Shërim të shpejtë Vuçiçit?

Postuar në 04 Maj, 2025 18:54
Lis Bukuroca

 

Sot në mëngjes lexova një shkrim në "Albania Post“. Autori, në fund, uroi shërim të shpejtë për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ashtu si edhe për kryeministrin sllovak, Robert Fiko.

Aty ndjeva një kundërshti të brendshme dhe thashë me vete: „A është e moralshme t’i urosh shërim një njeriu që ka shkaktuar aq shumë vuajtje?“

Si do të kishte reaguar një kundërshtar i stalinizmit, nëse dikush do t’i uronte shërim të shpejtë “xhaxhit”?

Shërim të shpejtë një politikani që, jo vetëm në të kaluarën, por edhe sot e kësaj dite, nxit tensione në Kosovë, Luginë, Bosnje dhe Mal të Zi? Një njeriu që nuk është penduar kurrë për gjenocidet në Bosnje dhe Kosovë!? 

A nuk është më e drejtë — qoftë edhe si mendim i pashprehur — t’i urohet vdekja, në mënyrë që të ndalet një burim i përhershëm dhune dhe trazirash në Ballkan? Mu si u ndal edhe Lufta e Dytë Botërore me vdekjen e Hitlerit.
Ai mendim, urimi për vdekjen, ishte një shpërthim instinktiv — një reagim i mbledhur nga gjithë padrejtësitë që ka shkaktuar, dhe dhuna që ai e ka përligjur në emër të nacionalizmit ekstrem serb. Por pastaj mendova: nëse unë i uroj vdekjen një vrasësi, çfarë më dallon nga ai? A nuk nis kështu ajo rrëshqitje e rrezikshme, ku njeriu humb vetveten dhe bëhet mu si ai me të cilët nuk pajtohet?! Shkurt e shqip: A do t’i uroja unë Vuçiçit shërim?

Jo, kurrë! Për ta sqaruar më mirë këtë qëndrim, dua të shtroj një pyetje më gjithëpërfshirëse

A është e drejtë t’u urohet vdekja Vladimir Putinit apo diktatorit të Koresë së Veriut, të cilët, me politikat e tyre, shkaktojnë vdekjen ose mjerimin e mijëra njerëzve?

Nëse përgjigjem “po”, cili është dallimi im nga ata? Ata kanë dëshirë të vrasin — dhe në atë çast, nëse e dëshiroj edhe unë, bëhem si ata. Kriminelë! Vrasës! Jo! Nuk dua. Prandaj nuk ua uroj vdekjen. 

I them vetes: Nuk duhet t’i dëshirohet vdekja askujt. Sepse nuk është etikë universale. Këtu mendova ta mbyll shkrimin dhe ta publikoj. Por nuk ishte një përfundim i plotë — vetëm një ndalesë e përkohshme. Sepse, papritur, më pushtuan pyetje të tjera

A është i drejtë ai qëndrim, ai oportunizëm moral, kur dihet se me varrosjen e tyre mund të shpëtohen mijëra jetë? Jo! Nëse ai vret pranë meje, nëse rrezikon jetën time apo të të tjerëve rreth meje, a do të ishte e moralshme t’i uroja vdekjen? Pa asnjë dyshim: po! 

Do të thotë: nëse është humane t’i dëshirohet vdekja kur ai rrezikon jetën time, atëherë është po aq humane t’i urohet vdekja edhe kur ai vret ukrainas në shtëpinë e vet.

Kështu, në rrethana të tilla, shfaqet si një etikë universale: të urohet zhdukja e së ligës — e atyre kriminelëve me pushtet absolut mbi jetën dhe vdekjen e njerëzve. Sepse nëse është e drejtë të lutemi për shërimin e njeriut të mirë, e drejtë është të lutemi edhe për vdekjen e njeriut të ligë.

Ky është një qëndrim moralisht i drejtë, veçanërisht kur nuk ekziston drejtësi tjetër — siç do të duhej të ishte, për shembull, një Gjykatë Ndërkombëtare.

Unë i jam gëzuar arrestimit të Millosheviçit. Edhe vdekjes së tij. Edhe pse, në të vërtetë, do të preferoja ta shihja ende të gjallë — por të burgosur.

Kur themi se askujt nuk duhet t’i urohet vdekja, sepse “bëhemi si ata”, këtë e pohojmë zakonisht sepse vrasjet ndodhin larg nesh dhe viktimat nuk jemi ne, por të tjerët. Në fakt, shpesh bëhemi humanistë në llogari të huaj. 

Kjo është një etikë e rrejshme. Hipokrizi. Dhe në fund, mizantropi e fshehur pas moralit. Prandaj, si një parim etik universal, më i drejtë do të ishte t’u urojmë vdekjen — jo shërimin, jo jetën. Ose, nëse kjo duket shumë, të paktën as njërën, as tjetrën. 

Një dilemë pa fund. Por, po të detyrohem të zgjedh, do të parapëlqeja urimin për ta çliruar botën nga një kriminel i madh. Sepse, siç ka ndodhur shpesh në histori, ka pasur raste kur ka qenë e domosdoshme t’u dëshirohet vdekja diktatorëve – ose madje të ekzekutohen.

Vuçiqit nuk do t’i uroja shërim. Kurrë! As të shpejtë, siç bëri gazetari, e as të ngadaltë. Mëkatet e tij kanë shuar çdo ndjenjë empatie te shumë popuj në Ballkan. Le të ndodhin ato që i meritojnë kriminelët që luajnë rolin e zotit. Karma e e di rrugën e vet…

https://albanianpost.com/vucic-dhe-fico-humbin-paraden-e-putin/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.