Termat e vdekur të Tranzicionit

Postuar në 30 Prill, 2025 21:14
Skerdilajd Zaimi

 

Një nga shfaqjet më inflacionare në Shqipëri është kriticizmi përmes ankesës. Shumëçka nuk funksionon kështu që të godasësh është e lehtë. Kur kritkon apo kur ankohesh është e lehtë edhe të ndiesh se ke të drejtë, se po bën një punë të mirë, ndërkohë që koha po provon se as drejtësia, as demokracia, as të drejtat, e madje as siguria personale nuk janë të dhëna që përmbushen vetvetiu.

Thënë kjo, ankesa është një premisë për kritikën e artikuluar përkundër politikave të caktuara, ndërkohë që as kritika nuk mjafton për ndryshimin. Duhet veprim dhe propozime. Është inflacionar kriticizmi sepse ai nuk përputhet shpesh me veprimin dhe qëndrimin konkret. P.sh PD-ja premton se do bëjë namin kur të vijë në qeveri, se do rrëzojë narkoshtetin e kështu me radhë. Megjithatë kur Flamur Noka u pyet para disa ditësh nëse Kastrati, Samir Mane e kategoria e këtyre janë oligarkë apo jo, ai tha: Jo. Kësaj “Jo-je” dramatike iu shtua komikja: Ta sqarojë unë se pse…

Mirëpo narkoshteti ka tek këta njerëz që kanë pasuri të paçekuar një garanci të madhe, kështu që si mundet të çmonotsh narkoshtetin pa kaluar qilizëm te këta. P.sh Samir Mane doli se I ka falur një vilë Ilir Metës e mandej Baton Haxhiut. Çfarë quhet kjo?!

Thënë kjo, është disi i çuditshëm fakti se ata që kritikojnë më rëndë, kthejnë më shpejt nga të gjithë. Bilbilenjtë e fillimit nisin e rëndohen pak, hyjnë në pazare, flasin me gjuhë të re, merren vesh për stabilitetin dhe e lënë pas “aventurën djaloshare të kritikës”.

Kritika e eksiton një pjesë sepse krijon faktorizim publik, por e fut subjektin e “qytetarit të shqetësuar” në rrezen e shikimit të pushtetit që ka se çfarë të ofrojë.

Ndaj edhe gojët mbyllen shpejt dhe Parlamenti është shndërruar në një skenë ku manifestohet akrobacia para shefit. Dhe jo ushtrimi i Fjalës për interesin publik. Këto mund të tingëllojnë si kërkesa të një kohe tjetër, si naivitetet që nuk lidhen më me realitetin, ndoshta për disa edhe si anakronizëm që nuk vlen më politikisht. Por sot më shumë se kurrë Fjala vlen. Jo vetëm për të kumtuar disa të vërteta, pasi në ditët tona e Vërteta është Grafike, kinematografike, është një “reels” në kohë reale që e përcjell Ngjarjen, çdo ngjarje madje, me një kuptim bërthamor mbi perceptimin e kujtdo.

Fjala ka sot rëndësi sepse spektakli i saj lidhet me disa atu që nuk mund të banalizohen: të menduarit, etika, vetëkontrolli, organizimi i mendimit, diferencimi në aftësi, distanca nga vulgariteti dhe se ajo merr autoritet dhe vlerë vetëm nën presionin e cilësisë. Fjala imponon replikë po me Fjalë, pra me mendim dhe fton çdo audiencë të arsyetojë dhe mendojë, çka sot po injorohet. Jo më kot kryeministri ka krijuar element figurativë të tepruar, pikërisht sepse ai nuk ka çfarë të thotë, nuk do që të kundërshtohet më, nuk do që ata që e dëgjojnë të mendojnë. Zoti Rama nuk i lejon dot më vetes as luksin e lapsuseve, sepse lapsuset vijnë me një bilanc dhe një bilanc real i qeverisjes mbi një shoqëri me ekonomi reale, detyron së paku kulturën e logaridhënies që është avantazh, jo shqetësim.

Nëse hedhim sytë vërdallë, aktorët e rinj politikë vetëm Fjalën nuk respektojnë, as e zotërojnë. Ata janë aktorë më të dobët sesa Edi Rama që dështon sepse luan të njëjtin rol prej kohësh. Në këto kushte dhe në këtë situatë është disi e pakuptueshme se përse dikush që është I shkolluar dhe i kualifikur do të donte të hynte në Parlament. Çfarë është sot Deputeti? Çfarë përfaqëson sot ai? Çfarë nyjëton figura e parlamentarit në debatin publik? Po a ekziston ky i fundit në të vërtetë?

Kjo është globale do mund të thoshte dikush. Po është e vërtetë. Ndoshta njerëzimi ka hyrë në fazën e refuzimit për të menduar gjatë, por në shoqëri të vogla diskutimi është më praktik si process dhe më i dobishëm sesa në vende të tjera që janë korporatizuar. Puna është se kjo kulturë e linjëziimit është vertikalizuar aq sat ë duket se thirrjet e dikurshme, nga jashtë e brenda se “duhet Dialog”, Dialog, Dialog, vijnë nga shekuj që nuk kanë ekzistuar ndonjëherë.

Është emblematic fakti se me kalimin e kohës institucionet bipartizane janë zhdukur, institucionet që dikur ishin nomenklaturë e Parlamentit janë shdnërruar në agjenci të Ekzekutivit dhe se politikat dikasteriale janë reduktuar në asgjë më shumë sesa performancë online e cila flet gjuhën e parasë.

Mund të kemi ndryshime, mund të ndodhë shumëçka, por nisur nga ajo që po shohim dhe cilësia e aderentëve të rinj në “lojë” vetëm Demokratike nuk duket e ardhmja. Të gjithë flasin për “qeverisjen” dhe qeverinë, se çfarë do bëjnë dhe sesi, askush për Demokracinë që është i vetmi shans që liria të ketë ende sado pak hapësirë ekzistence.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.