800 miliardë euro për të ringritur Europën!

Postuar në 09 Shtator, 2024 12:56

Ish-kryeministri italian dhe presidenti i BQE-së, Mario Draghi, ka prezantuar sot një raport 328  faqesh mbi konkurrencën e Bashkimit Evropian në Bruksel, me të cilin synohet ringritja e ekonomisë europiane dhe adresimi i sfidave me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Dokumenti, i ndarë në pesë fusha kryesore (produktiviteti, reduktimi i varësisë, klima, përfshirja sociale dhe strategjitë sektoriale), përfshin 170 propozime, të cilat do të  përfshihen në letrat e misionit drejtuar komisionerëve të rinj të BE-së.

Draghi thekson se BE-së i nevojitet një nivel i paprecedentë investimi, më shumë se dyfishi i atij të lidhur me Planin Marshall, i cili kanalizoi 13 miliardë dollarë – sa 150 miliardë dollarë sot – në Evropën Perëndimore në fund të viteve 1940 dhe në fillim të viteve 1950.

Draghi propozon një “strategji të re industriale për Europën”, duke i bërë thirrje BE-së të rrisë investimet me 800 miliardë euro në vit për të financuar reformat radikale dhe të shpejta për t’i dhënë ngadalësimit të Unionit, i cili nuk ka ecur me ritmin e SHBA-së dhe Kinës.

Rekomandimet kryesore përfshijnë lehtësimin e rregullave të konkurrencës për të mundësuar konsolidimin e tregut në sektorë të tillë si telekomi; integrimi i tregjeve të kapitalit duke centralizuar mbikëqyrjen e tregut; përdorim më i madh i prokurimit të përbashkët në sektorin e mbrojtjes; dhe një agjendë të re tregtare për të rritur pavarësinë ekonomike të BE-së.

Raporti i Draghit vjen ndërsa komisioni përgatitet për një mandat të ri pesë-vjeçar, ndërkohë që përballet me stanjacion ekonomik, një luftë në kufijtë lindorë dhe rritjen e partive të ekstremit të djathtë në të gjithë bllokun.

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, i njohur për kursimin e euros gjatë krizës së monedhës më shumë se një dekadë më parë, paralajmëroi se pa një rritje të investimeve të reja – të mbështetura nga financimi privat dhe publik – dhe produktivitetit të përmirësuar, Evropa do shkëputet akoma më shumë nga SHBA-ja dhe Kina.

Draghi propozon një plan prej 750-800 miliardë euro në investime shtesë vjetore, ekuivalente me 4.4-4.7 për qind të PBB-së së BE-së. Kjo do t’i çonte investimet në produktin e brendshëm bruto në një nivel të paparë që nga vitet 1970. Nëse Evropa nuk arrin të rrisë produktivitetin dhe nivelet e saj të rritjes, ajo rrezikon të shohë rënien e standardeve të saj të jetesës, tha Draghi. "Ne do të duhet të zvogëlojmë disa, nëse jo të gjitha, ambiciet tona," shtoi ai. "Kjo është një sfidë ekzistenciale."

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.