Hristijan Mickoski mandatohet si kryeministër i Maqedonisë së Veriut
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, ka ngarkuar kreun e VMRO-DPMNE me formimin e qeverisë së re. Hristijan Mickoski është mandatuar si kryeministër si kreu i partisë më numrin më të madh të votave.
Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO DPMNE-ja fitoi 58 vende në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Pas mandatimit, Mickoski ka një afat prej 20 ditësh për paraqitjen në Kuvend të kabinetit të ri qeveritar dhe programit të punës.
Pritet që emrat e kabinetit të ri të bëhen publikë brendas këtij muaji.
"Pres që ta dorëzoj përbërjen sa më shpejt të jetë e mundur, apo para festave fetare që vijnë - Kurban Bajrami (16 qershor) dhe Dita e shpirtrave (21 qershor)”, ka thënë Mickoski.
Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni shqiptar VLEN dhe lëvizja ZNAM. Të trija së bashku kanë 78 deputetë.
Pritet që në kabinetin e ri qeveritar, koalicioni i partive shqiptare të përfaqësohet me një zëvendëskryeministër, gjashtë ministra, dy prej të cilëve pa portofol, si dhe shtatë zëvendësministra.

Add new comment