Edhe opozita serbe kërkon sanksione ndaj Vuçiçit. Shqipëria nuk kërkon as heqjen e masave ndaj Kosovës

Opozita serbe i dërgon letër Josep Borrell që të vërë sanksione ndaj Aleksandër Vuçiç dhe enturazhit të tij. Vuçiç tha se kjo është një gjë e padëgjuar më parë. Mirëpo flirti i rivalëve me fuqi të huaja nuk është i ri. Dhe as tradhëti, pasi Vuçiç ka ardhur në këtë pikë edhe me mbështetjen e të huajve.
Vallë opozita serbe nuk e do Serbinë? Vallë dashuria apo marrëdhënia pozitive me vendin përcaktohet vetëm nga modeli i pushtetit? Me siguri që JO. Vendin mund ta duash ndryshe dhe për arsye të ndryshme nga një bashkëatdhetar i yti. Mund ta duash edhe pa u ngashëryer për simbolet dhe sidomos mund ta duash duke ia njohur dhe shpallur ato që i sheh si sëmundje.
Ndaj letra e opozitës serbe është një akt që denoncon një lloj Serbie, apo një pushtet të caktuar, jo vendin si të tillë. Dhe ajo vjen pas ngjarjeve të Banjskës, pas krimit që ndodhi aty ku Vuçiç u kap në flagrancë. Ku heroi i atij krimi, Radoiçiç është asgjë më shumë se një milioner dhe trafikant që merret me biznesin e flamurit.
Pse vallë atëherë Shqipëria nuk kërkon sanksione ndaj Vuçiç? Kërkon Kroacia, kërkon Kosova, kërkojnë disa vende, kërkon edhe opozita serbe? Pse Tirana zyrtare jo? Cili është interesi që mban lidhur heshtjen e detyruar të prostitutës politike me emrin Shqipëri, që sot ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, kapardiset për këtë dhuratë që ia dhanë, por nuk denjon që ta shohë vrasjen e atij policit për atë që është?
Linjëzim me BE-në, - do na thonë. E megjithatë ky linjëzim do shihet sesa do të funksionojë nëse BE-ja e prezanton një paketë masash; do të jetë pro Shqipëria? Dhe tjetra: pse nuk lobon Tirana zyrtare për heqjen e masave ndaj Kosovës, meqenëse Serbia ia ka mbyllur gojën për fare?
s.zaimi
Add new comment