Kosovës nuk i duhet Tirana

Takimi i Parisit shënon një zhvillim të rëndësishëm ndërkombëtar të paktën për qeverinë e Kosovës. Kryeministri i saj, i stigmatizuar në Tiranë dhe Beograd, Albin Kurti, është pritur në takime të nivelit të lartë ku është diskutuar situata në rajon dhe konkretisht marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Nga njoftimi i zyrës së Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, kuptohet se mesazhi i dhënë palëve është një: marrëveshje dhe dialog nisur nga situata e përgjithshme gjeopolitike në Europë.
Serbët e Kosovës duhet të rikthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të përmbushin detyrat e tyre dhe Kosova duhet të përputhë veprimet e veta për targat me marrëveshjet e së shkuarës dhe të rinisë negociatat për krijimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe pa vonesë
thuhet në njoftim.
Siç merret me mend, propozimi është që negociatat të rinisin ku janë lënë dhe në këtë kuadër, komuniteti ndërkombëtar nuk mund t’i ikë një angazhimi afatgjatë duke ndryshuar termat e dialogut. Rëndësia e aktivitetit në fjalë është se nëse diçka do të vihet në lëvizje ajo ka garanci të cilat nuk i jep asnjë marrëveshje dypalëshe, as ndonjë format si Open Balkan i z. Rama. Për sa i takon Kosovës, samiti konfirmon se izolimi diplomatik i vendosur nga Vuçiç dhe Edi Rama, nuk ekziston më, se procesi i dialogut është rrugë që do të vazhdojë, veçse nëse ndonjë marrëzi ndodh. Mbi këtë premisë duhet kuptuar edhe fakti politik i reagimit të Presidentit serb, Vuçiç, që pas takimit me Borrell dhe Lajçak ka reaguar duke deklaruar se situata për Serbinë është ndërlikuar.
Na pret një situatë shumë e ndërlikuar pas 21 nëntorit. Kurti po përpiqet të dëbojë serbët…Është fëmija i tyre, po kujdesen për të. Është e qartë se gjermanët janë ata që po i sigurojnë mbështetje për akte ilegale dhe Britania e Madhe – jashtë BE-së
ka thënë Vuçiç, një shenjë e vockël kjo për të dëshmuar besim te Franca si mike tradicionale e Serbisë.
Ai ka përsëritur se nuk do të lëshojë asnjë pjesë të territorit serb, edhe pse subjektivizimi ndërkombëtar i Kosovës tashmë është një fakt të cilin Serbia mbetet veçse ta njohë. Është një arritje kjo e Parisit që përputh një politikë të Prishtinës me ambiciet e Parisit dhe interesin e BE-së për një normalitet i cili nuk mund të nisë pa normalitetin në trajtim. Propozimi i presidencës çeke të BE-së për liberalizim të vizave është një sinjal domethënës se faza parapolitike e trajtimit të Kosovës ka marrë fund.
s.zaimi
Add new comment