Vaji i të mëngjërve për mandatin e Bashës dhe Berishës

Lulzimi i bëri me dhimbje koke. E pabesueshme por po ndodh. Ka vënë piskamën dynjaja socialiste se po u kërcënoka demokracia. Breg më breg e media më media, laryshi titujsh që kanë mbërthyer armikun e Shqipërisë: Lulzim Basha.
Të djegësh mandatet në fakt nuk do të thotë vetëm të braktisësh punimet e Parlamentit (çka në fakt opozita po e bën prej shumë muajsh) dhe të mos marrësh pjesë në zgjedhjet vendore, por do të thotë të tentosh të përmbysësh bazat e demokracisë. Do të thotë të zbrazësh vetë kuptimin e zgjedhjeve pasi, nëse fiton shantazhi i tij, nga nesër e tutje cilado forcë politike që humb në votime do të kishte të drejtën legjitime të digjte mandatet e veta parlamentare, duke e lënë vendin në mëshirë të anarkisë. Do të thotë të tentosh nëpërmjet shantazhit t’i imponosh shumicës kushtet dhe rregullat e vendosura nga pakica dhe kjo është e papranueshme për çdo shtet modern
Këto shkruan Carlo Bollino në një editorial të vetin në gazetën “Shqiptarja.com”. Zoti Bollino është gazetar me përvojë dhe ndoshta në sjell një analogji nga Italia: do të kishte mbijetuar ndonjë qeveri me skandalet e qeverisë së z. Rama? Dikush mund të thotë që z. Rama u rivotua. Po patjetër, por kjo nuk është baraz me mbylljen e gojës dhe heshtjen.
Mandati i deputetit është e drejtë përfaqësimi në një shtëpi që funksionon me rregulla. Mandati lidhet me zgjedhësit dhe jo me detyrime të tjera. Opozita po deklaron: nuk përfaqësoj dot asgjë në këtë shtëpi publike që quhet Parlament i Rilindjes.
Nuk ekziston forca e precedentit në këtë rast, pasi asnjë forcë politike, asnjë deputet nuk do të rendte që të dorëzonte mandatin pa një arsye themelore. Polemizimi që po prodhohet në shkallë industriale në këto momente në fakt synon të bëjë një hile që nuk ecën: ta transferojë krizën e thellë sistemike tanimë si përgjegjësi dhe pasojë e nje vendimi – ende të paformalizuar – të opozitës. Kur në fakt ky akt është jo shkaku, por pasoja dhe simptoma.
Përndryshe, nëse po flasim për parimet pse nga njëra anë është vënë kuja e mandateve kurse nga ana tjetër ka oferta për marrëveshje? Sistemi kushtetues e jep zgjidhjen: vazhdon lista emërore. Pra nuk ka krizë kushtetuese në këtë rast. Ka një vendim politik. Zoti Rama duhet të jetë i lumtur sepse do të ketë timonin të gjithë të vetin dhe rrugën bosh. Sa për sazexhinjtë është vërtet hall: me çfarë do i mbushin faqet përditë? Ndaj edhe mesa duket janë vërsulur dhe po ngjiten pas këpucës së opozitës që ndoshta edhe po tallet.
Add new comment