Irani deklaron marrjen nën kontroll të Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit

Marrëdhëniet mes Iranit dhe ShBA janë përshkallëzuar edhe më tej të paktën në planin verbal. Një ditë më parë, mediat raportuan se kreu i forcave detare të Gardës Revolucionare iraniane, gjeneral Alireza Tangsiri, u shpreh se Irani kishte marrë në kontroll Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit që e kontrollon atë.
Ngushtica ndodhet mes Omanit dhe Iranit dhe aty kalon 1/3 e naftës së botës dhe në vitet e fundit ajo është kthyer në pikë tensioni mes Teheranit dhe ShBA, aq sa kohët e fundit ShBA ka vënë në përdorim termin Gjiri Arabik.
Përkundrejt pretendimeve iraniane ka reaguar sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sipas të cilit Irani nuk mund të kontrollojë ngushticën e cila është kalim ndërkombëtar. Përmes një statusi në Tuiter, Pompeo shkruan se ShBA do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët për të siguruar kalimin dhe tregëtinë e lirë. Hormuzi është një tjetër çështje që i shtohet politikës së jashtme amerikane pas problemit serioz që ka në Detin e Kinës Jugore, ku Pekini ka ndërhyrë duke deklaruar sovranitet në ujëra që nga palë të treta nuk njihen si të tijat.
Add new comment