credins
Data sot është 18-05-2013, ora 11:28

Author Bios

Blogs by this author:

  • E keni vënë re që nuk po arrin njeri ta rrëfejë, qetë dhe natyrshëm dhe shtruar, incidentin e Vjenës, midis kryetarit të opozitës Edi Rama dhe një diplomati në ambasadën shqiptare në Vjenë, Egin Cekës?

    Kemi parë deri më sot reagime, dënime, distancime, arsyetime, shpjegime dhe interpretime, nga të gjitha palët; e kemi lexuar dhe na e kanë lexuar incidentin si metaforë të gjithçkaje nuk shkon me politikën dhe shoqërinë civile sot në Shqipëri, por vetë kronikën e incidentit s’e ka rrëfyer dot kush.

    Jemi të rrethuar nga gjithfarë mediash; dhe prej mediave presim që të funksionojnë si zgjatime të shqisave tona, për të na transmetuar çfarë ndodh gjetiu ose atje; ose për të na nxjerrë nga kafazi i këtu-së dhe tani-së.

    Por mediat tona, në atë masë që janë shqisa, veprojnë si nën influencën e lëndëve topitëse, halucinative, psikadelike.

    Nuk janë në gjendje të rrëfejnë dot asgjë, që nuk u ka ardhur e rrëfyer gati – nga një sekretarí partie, nga një megafon propagande, nga një agjenci e huaj, nga një raport burokratik policie.

    Shumë-shumë, mund të kallzojnë se çfarë ka ndodhur në televizion; ose epika të llojit “ky i tha”, “ai i tha”, “ky ia ktheu”, “ai ia përplasi.”

    Janë media të specializuara në ligjëratën e zhdrejtë, megafonë megafonësh.

    Dhe jo rastësisht: perceptimi kaq disociativ që ia bëjnë botës si rrjedhë ngjarjesh rimerr saktësisht, besoj unë, përçarjen e sotme të shoqërisë shqiptare, sipas vijave partiake, ose kuqeblu.

    Prandaj ndodh që jo vetëm interpretimet për ngjarjen të bien ndesh, por edhe përcjellja e vetë asaj çka ndodhur, thua se u referohet dy universeve paralele, të cilat ngjajnë mes tyre, por janë më interesante për nga ç’dallojnë.

    Ja si e përshkruan kryeministri Berisha ngjarjen, në fjalimin e vet në Kuvend:

    Diplomati i ri i thotë: zoti Rama, ne jemi këtu për të shërbyer, nuk jemi hajdutë votash. Si mund të na quash ne, hajdutë? Kjo mjaftoi për të shtrirë dorën dhe grushtin e pakontrolluar drejt diplomatit, në prani të dhjetëra e dhjetëra vetëve. Kjo mjaftoi për t’u lëshuar në sharje prej rrugaçi të mirëfilltë, me regjistër të gjendjes civile, ndaj familjes së diplomatit.

    Ja si e përshkruan, të njëjtën ngjarje, relacioni i deputetëve demokratë:

    Z. Rama pas këtij momenti ka reaguar çuditshëm, duke iu drejtuar me fjalët “kush të ka dërguar” dhe me ton arrogant dhe jashtë etike e ka urdhëruar të largohej nga ambientet e Akademisë. Diplomati Egin Ceka i është përgjigjur se nuk kishte pse të largohej nga një ambient publik. Pas këtij momenti, z. Rama me veprime fizike i është avitur dhe e ka kapur në pjesën e kokës dhe të flokëve, duke e tërhequr me dhunë.

    Dhe, tani, si e ka rrëfyer ngjarjen vetë viktima, Egin Ceka (që, sipas GSh, ka pranuar të flasë për “ex-press.al”):

    Këtu ai u irritua shumë. Në këtë moment drejtoi dorën ndaj meje, më kapi fort flokët dhe veshin dhe më tërhoqi me forcë. Në këtë moment u gjenda i befasuar, pasi nuk e prisja një dhunim të tillë, aq më tepër në një ambjent publik si Akademia Politike e Vjenës. Kam reaguar menjëherë, duke i larguar dorën.

    Çfarë më bën përshtypje, në këto formulime të drunjta, është pamundësia për t’u shprehur shqip; sepse edhe kjo që thotë Egin Ceka “drejtoi dorën ndaj meje” mund të jetë gjithçka, veç shqipes dëftore; pa shkuar deri te zhgarravina e firmosur nga deputetët e PD-së, ku vërehet se z. Rama i është avitur Cekës “me veprime fizike” (si tamam, xhanëm?), për ta kapur “në pjesën e kokës dhe të flokëve” – çfarë është kjo pjesë? A është kjo pjesë e Egin Cekës? Si mund të flasësh, në shqip, për pjesë të një personi?

    Më në fund Berisha, që për t’i shtuar dramacitet përrallës që tregon, i zëvendëson emrat e njerëzve me detyrat e tyre, duke e quajtur Cekën “diplomat”, pa çka se ai kish shkuar në takim si qytetar privat, jo si i dërguar i ambasadës; ndryshe nga Rama, që gjendej në takim si kryetar i PS-së dhe i opozitës…

    Sipas kryeministrit shqiptar, fjalët që ia tha “diplomati i ri” Ramës mjaftuan, që ky “të shtrinte dorën dhe grushtin e pakontrolluar”…

    Po çfarë ka ndodhur, xhanëm?

    Flet zëvendësministrja e Jashtme, z. Edit Harxhi, e cila do të ketë marrë të dhëna nga burime të brendshme, diplomatike nga Vjena (Mapo):

    Zoti Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve, Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishmit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent.

    Ndërsa Drejtoria e Komunikimit me Median, e PS-së, e ka rrëfyer ngjarjen kështu (Mapo):

    Pas takimit djali i Neritan Cekës, që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike.

    Te letra e hapur që ia dërgon Ramës, botuar sot në Panorama, i jati i viktimës, Neritan Ceka, i thotë kolegut të tij politikan:

    “[...] E ke kapur për veshi, si një fëmijë kopshti.”

    Ndërsa Gazeta 55, për të njëjtën ngjarje:

    Kryetari i opozitës ka tmerruar gjithë të ftuarit në një konferencë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, teksa ka sulmuar fizikisht diplomatin e Misionit të Shqipërisë në Vjenë Egin Ceka.

    Dhe pikërisht:

    Nga ana e tij Edi Rama nuk ka preferuar që të japë përgjigje për kërkesën e bërë nga diplomati Egin Ceka, por e ka kapur prej veshi dhe si të mos mjaftonte kjo, e ka goditur më pas në kokë.

    Ndërkohë, sipas MAPO-s, Fate Velaj, që e kish organizuar takimin e Ramës në Vjenë, e ka treguar ngjarjen kështu:

    Ata dialoguan me njëri-tjetrin dhe Rama i ra shpatullave dhe i tha, ik o djalë se nuk kam ardhur për ty, por kam ardhur për punë të tjera. Kjo ishte e gjithë historia”, – tha Velaj.

    Ja edhe një version tjetër i ngjarjes, sërish nga viktima Egin Ceka, këtë herë nga MAPO-ja (e cila, natyrisht, i referohet një interviste që Ceka ia ka dhënë TV Klan-it; sikurse i ka hije një gazete, që ta mbajë lexuesin në korrent të çfarë ndodh në TV):

    Zoti Rama nuk e mori parasysh argumentin dhe e ktheu diskutimin shumë shpejt në një çështje harbute, duke thënë që je i dërguar politikisht, kush të ka dërguar? Pse je këtu dhe vajti puna deri në një reagim fizik të zotit Rama. Bëri një akt provokativ për vete. Ai vuri dorën si për të thënë ‘djalë i mirë’ dhe e shfrytëzoi këtë taktikë për të tërhequr atë që mund të kapte dora e tij nga flokët dhe nga veshi im. Kaloi kufirin e kontaktit verbal me njeriun dhe bëri një gjest provokativ, siç duket me llogaritjen që do reagoj në të njëjtën mënyrë, gjë që unë nuk e bëra.

    Edhe një herë, sipas kësaj dëshmie, Rama ka “tërhequr atë që mund të kapte dora e tij nga flokët dhe veshi” i diplomatit. Të thuash se është fjala për një pirg me fara kungulli.

    Të gjitha këto “deponime” duket sikur i ka shkruar një polic; e njëjta vëmendje ndaj detajit të shkëputur nga konteksti; e njëjta shurdhëri ndaj sfondit të ngjarjes, ose e skenës, për t’u përqendruar te kontakti fizik vetëm, ose konsumimi i “veprës penale të dhunimit të personit”.

    Shqiptari publik nuk po arrin dot të nyjëtohet normalisht – përveçse kur është fjala për të rimarrë fjalët e të tjerëve, ose për ligjëratën e zhdrejtë.

    Të cilën ia kanë përcjellë mediat, mundësisht televizioni, i rimarrë të nesërmen nga kryetitujt e gazetave.

    Dhe në këtë mënyrë, debatit publik, që me të drejtë po shtjellohet rreth këtij incidenti që disi ka ndodhur, i mungon një premisë elementare e përbashkët, ose një konsensus për, të paktën, realitetin.

    Ose për çfarë ka ndodhur.

     

    Marrë nga Peizazhe të Fjalës

  • Pas nënkryetarit Denar Biba, edhe një anëtare e KQZ-së, Albana Shtylla, njoftohet se ka dhënë dorëheqjen. Arsyeja është e njëjtë: cenim i pavarësisë së institucionit.  Janë akte, veçanërisht i pari, i z. Biba, që meritojnë respekt të jashtëzakonshëm. E theksoj këtë, ngaqë dorëheqja e nënkryetarit ofroi një model dhe një precedent, se si duhet të sillet një zyrtar i lartë, përballë arrogancës të shtetit dhe partitokracisë.  Model të cilin, pa vonesë dhe admirueshëm, shohim ta ketë përqafuar edhe kolegia e Bibës, Shtylla.  Këtu ka vlerë të përmendim edhe se dorëheqja, e të dyve, nuk u bë për arsye personale ose dështimi profesional; por për arsye parimore. 

    Në thelb, Denar Biba dhe Albana Shtylla vendosën të largohen nga KQZ-ja meqë u ndien të cenuar në pavarësinë e tyre.  Edhe pse të vjen keq që figura me integritet të tillë nuk do të mbikëqyrin më zgjedhjet e tanishme, pse do të zëvendësohen, kushedi, me kolegë më të bindur ndaj diktateve partiake dhe më tolerues ndaj arrogancës, këtë herë, të legjislativit; akti i këtyre duket emblematik, dhe mishëron vullnetin e asaj pjese më të mirë të shoqërisë shqiptare, e cila nuk mund të pajtohet me aritmetikat banale të demokracisë à l’albanaise.  S’na mbetet veç të shpresojmë për efektin ngjitës të dorëheqjes, dhe të dëgjojmë nesër për zyrtarë të tjerë, formalisht të pavarur, që t’u thonë vaffanculo agallarëve të partive në Tiranë. 

    Është për t’u përshëndetur edhe që këto akte vijnë nga njerëz si Biba dhe Shtylla, juristë të përgatitur, të cilët janë në gjendje t’i artikulojnë mirë arsyet.  Veçanërisht Biba, duke deklaruar që “misioni i parë dhe i fundit i [parlamentit] nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura”, ia dha një shuplakë të mirë partitokracisë dhe pazareve që bëjnë partitë mes tyre, për ta ndarë mes tyre, si të ishte plaçkë, lirinë e institucioneve dhe të pushteteve, përndryshe të garantuar me Kushtetutë. 

    Këto dorëheqje janë vota e bardhë që kushedi do t’ua bëjnë të pamundur bajraktarëve të politikës të vazhdojnë të sundojnë siç kanë bërë deri më sot, ose kinse në mënyrë “demokratike.” -

    Peizazhe të Fjalës

  • Shqiptarët – si shoqëri dhe si shtet – u treguan të paaftë për të ndëshkuar, qoftë edhe simbolikisht, krimet e panumërta të kryera nga regjimi totalitar kundër qytetarëve të vet: vrasjet pa gjyq, dënimet e rënda për motive politike, torturat në hetuesi, konfiskimet e pasurisë, internimet, ndëshkimet e familjarëve të viktimave, trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë, përndjekjet e njerëzve në bazë të biografisë.

    Kësisoj, ne nuk u ndamë dot me të kaluarën, as gjetëm dot paqe.

    Edhe pse qëndrimi qytetar ndaj regjimit të djeshëm ka munguar në masë sa të madhe, aq edhe zhgënjyese, interesi i publikut për protagonistët e viteve totalitare mbetet artificialisht i lartë – po të gjykosh nga materialet e shumta që gjen në mediat për atë periudhë.

    Megjithatë, këto materiale, siç kemi pasur rast ta themi shumë herë, nuk sjellin ndonjë reflektim të ri për atë periudhë, por ose janë ripërtypje pozicionimesh politike të vjetruara, ose synojnë ta risjellin të shkuarën, të përzgjedhur e të filtruar, për t’ia kundërvënë së sotmes.

    Në përgjithësi, materialet arkivore, intervistat dhe rrëfimet për bëmat e udhëheqjes komuniste në vitet 1944-1990 i përmbushin të gjitha kriteret për t’u klasifikuar si një formë e pornografisë dokumentare.

    Kështu, meqë fjalimet e plenumeve të KQ dhe diskutimet në Byronë Politike tashmë janë shteruar si burime, gazetat u janë vërsulur dosjeve të gjyqeve kundër “grupeve armiqësore” në vitet 1970-1980, duke botuar – pa kurrfarë aparati kritik – deponimet e nënshkruara prej të pandehurve,  dëshmitë (e inskenuara) dhe deklaratat e pranimit të fajit, të cilat qartazi duket se janë përpiluar nga hetuesit vetë, kanë dalë nga laboratorët e policisë sekrete ose nga stilografi i vetë Enver Hoxhës.

    Efekti i materialeve të tipit “si deshëm ta vrisnim Enver Hoxhën me bastun” është toksik, qoftë për brezat e rinj, që nuk e kanë idenë se ç’ndodhte në atë kohë; qoftë për të gënjyerit e viteve 1970-1980, të cilët vdesin që të gënjehen nga pak edhe sot.

    Paralelisht me këtë pornografi dokumentare, e cila mbështet shpifjen, intrigën në oborrin e Hoxhës dhe poshtërimin e viktimave të dhunës totalitare, po shtjellohet edhe rehabilitimi, me mënyra djallëzore, i përgjegjësve kryesorë për krimet e pashembullta dhe të dokumentuara të periudhës komuniste, si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

    Nëse njëfarë nostalgjie e turmës për udhëheqës karizmatikë dhe të kërbaçit, mund edhe të kuptohet, sa kohë që shoqëria civile i ka qëndruar larg, ndoshta qëllimisht larg, ndarjes së qytetëruar me krimin totalitar, përkundrazi, është vështirë të kuptohet, dhe aq më pak të përligjet, qëndrimi i sotëm i disave, përfshi këtu edhe opinion leaders dhe historianë, të cilët haptazi po lëvdojnë cilësitë e udhëheqësve totalitarë, duke i prezantuar dhe rehabilituar këta si “burra shteti,” dhe duke anashkaluar, qëllimisht, krimet e tyre të rënda, që krime ishin madje edhe brenda kuadrit ligjor të kohës.

    Në vetvete, figura historike si Hoxha dhe Shehu e kanë luajtur rolin e tyre në histori dhe tashmë nuk kanë ç’të bëjnë më, përveçse të vihen në dispozicion të atyre që duan t’i përdorin. Nëse rehabilitimi folklorik i udhëheqësve të shtetit totalitar mund të interpretohet si simptomë e zhgënjimit total, të miletit, me klasën e tanishme në pushtet dhe profilin etik të pushtetarëve sot, atëherë analistët dhe historianët që i hipin këtij kali të zgjebosur veç po duan ta shfrytëzojnë zhgënjimin e turmës, për qëllime të mbrapshta politike.

    Turma i kujton me mall Hoxhën dhe Shehun, mes të tjerash, edhe si interpretë protagonistë të dhunës arbitrare dhe të kërcënimit politik masiv; sepse turma, që të riprodhohet në cilësinë e saj thelbësore si kope bagëtish, ka nevojë të mbajë në këmbë figurën e bariut, madje qoftë edhe kur ky bari tashmë s’mund të jetë veçse dordolec.

    Intelektualët, përkundrazi, u heqin qimet nga xhaketat këtyre dordolecëve jo sepse i ka marrë malli për t’u ndier të kërcënuar prej tyre, por sepse e shohin këtë si një okazion të vyer, për të marrë drejtimin e kopesë; çka edhe mund ta arrijnë, po të kemi parasysh se diskursin kritik ndaj totalitarizmit, të paktën sa u takon aspekteve thjesht kriminale të atij regjimi, e ka monopolizuar një klikë e vogël dhe vetë-shërbyese e së djathtës, të cilën e motivon më shumë dëshira për të larë hesapet, sesa bindja që pa u ndarë me të shkuarën komuniste shoqëria shqiptare nuk i bën dot të vetat ato parime politike që formalisht tashmë i ka përqafuar. Përkundrazi, e majta vazhdon t’i ruhet kësaj teme me mendjeshkurtësi karakteristike, meqë ende dëshiron votat e nostalgjikëve; dhe nuk ka as energji, as kapacitet që ta ripërkufizojë veten si alternativë ndaj pseudo-majtizmit politik të djeshëm.

    Hoxha dhe Shehu kanë vdekur dhe u janë tretur kockat; sistemi totalitar në Shqipëri nuk ka asnjë shans që të kthehet; prandaj rehabilitimi i udhëheqjes totalitare duhet parë i tëri në kontekstin e sotëm politik, të zhgënjimit me retorikën integriste, pluralizmin, Europën, tregun e lirë; por edhe të ndezjes së retorikës kombëtariste, të ksenofobisë dhe të etjes për t’iu qasur dilemave dhe sfidave të shumta politike siç iu qas Aleksandri i Madh nyjës gordiane: me shpatë.

    Në thelb, rrëmbushja e kalkuluar për Hoxhën, Shehun dhe lakejtë e tyre nuk shqetëson pse është shprehje e nostalgjisë për të djeshmen; por sepse përfaqëson një vullnet politik të sotëm i cili nuk e pranon dot pluralizmin, dialogun, negocimin, kompromisin dhe të tjera karakteristika themelore të aksionit politik në një shtet modern dhe demokratik, si ai që parashkruan Kushtetuta; meqë pluralizmin, dialogun, negocimin dhe kompromisin i konsiderojnë si të fëlliqura tashmë përfundimisht, nga abuzimi i paskrupullt që ka bërë me to klasa e sotme politike, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet.

    Kjo do të thotë edhe se Hoxha dhe Shehu, të rehabilituar si “burra shteti”, nuk po u shërbejnë aq komunistëve të vjetër e të rinj, që ende qarkullojnë në kulisat e politikës në Tiranë; por pikërisht fashistëve të vetvetishëm në mes tonë, ose të gjithë atyre që shpresën për shërim e shohin te higjiena e arbitraritetit në emër të “rregullit”, e ushtrimit të forcës dhe e dhunës së kulluar. A nuk ta thonë vallë, në Itali sot e kësaj dite, që Mussolini të paktën i detyronte trenat të vinin në orar?

     

    Marrë nga blogu Peizazhe të Fjalës

  •  

     

    Botimi i rezultateve kryesore të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Shqipëri për vitin 2011, të realizuar nga INSTAT-i, u shoqërua me polemika të mëdha.

    Veçanërisht u kontestuan të dhënat për përbërjen fetare të popullsisë dhe për pakicat.

    Censusi numëroi një popullsi prej 2 800 138 vetësh, nga të cilët 82.58% u deklaruan të “përkatësisë etnike dhe kulturore” shqiptare, 0.87% (24,243) të “përkatësisë etnike dhe kulturore” greke, 0.20% (5,512) të “përkatësisë etnike dhe kulturore” maqedonase, 0.12% (3,368) të “përkatësisë etnike dhe kulturore” egjiptiane, e kështu me radhë; në një kohë që 390,938 vetë, ose 13.96%, preferuan të mos përgjigjen.

    Ndërkohë, myslimanët në Shqipëri rezultojnë të jenë 56.70% e popullsisë (1,587,608), pa llogaritur bektashinjtë (2.09%/58,828); ndërsa katolikët janë 10,03% (280,921) dhe ortodoksët 6.75% (188,992); edhe për këtë kategori, 13,79% ose 386,024 vetë preferuan të mos përgjigjen.

    Sipas një kriteri tjetër, 98.767%  të pyeturve kanë deklaruar gjuhën shqipe si gjuhë amtare; ndërsa greqishten vetëm 0.5%, maqedonishten 0.2% dhe arumanishten 0.1%.

    Debate kanë ngjallur, në këto shifra, edhe përqindja e popullsisë së krishterë të besimit ortodoks (6.75%), edhe të dhënat për pakicat.

    Kështu në vështrim të parë duket e vështirë të besosh që në Shqipëri ka gjithsej 188,992 të krishterë ortodoksë – po të mbahet parasysh që shqiptarë të kësaj feje kanë jetuar tradicionalisht në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Myzeqe, Berat, Pogradec, Korçë, Kolonjë, Përmet, Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë; pa llogaritur këtu edhe vllehët (arumunët), maqedonasit dhe grekët etnikë, të cilët i përkasin gjithashtu asaj feje.

    Veçanërisht në qarqet e Korçës (220,357 banorë), Fierit (310,331 banorë), Gjirokastrës (72,176 banorë), Beratit (141,944 banorë), Vlorës (175,640 banorë) Durrësit (262,785 banorë) dhe Tiranës (749,365 banorë) prania e komuniteteve të krishtera ortodokse (etnike shqiptare dhe joshqiptare) ka qenë tradicionalisht e tillë, sa të na e bëjë të pabesueshme shifrën prej 188,992 banorësh të kësaj feje, që rezulton të ketë mbarë Shqipëria, sipas Censusit.

    Sipas një deklarate reaguese të KOASH-it, e cila nuk i ka njohur rezultatet e Censusit, në bazë të të dhënave që disponon vetë Kisha, “numri i të krishterëve ortodoksë e tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë.” Kështu me intuitë, duket sikur kjo shifër alternative i përgjigjet më mirë realitetit, sidomos po të merret si pikënisje përkatësia kulturore ose e prejardhjes, jo praktika e besimit fetar. Reagimi i mëtejshëm këtu.

    Ende nuk kemi parë gjëkundi ndonjë shpjegim çfarëdo, për këtë mospërkim midis të dhënave dhe pritjeve të arsyeshme, që kujtdo e ka një ide për strukturën fetare-kulturore të popullsisë së Shqipërisë.

    (Përkundrazi, kemi parë dhe ngrënë disa reagime gjysmake, nga palë të ndryshme ndonjëherë edhe në skajet e spektrit politik, të cilat nga padija ose për interesat e tyre private duan që këtë rënie të përqindjes së të krishterëve ortodoksë në popullsinë e Shqipërisë ta trajtojnë si dukuri të njëjtëme diferencën midis pretendimeve të ekzagjeruara të disa qarqeve greke brenda dhe jashtë Shqipërisë për numrin e grekëve etnikë në Shqipëri, dhe numrin e po këtyre grekëve etnikë të dalë nga Censusi i tanishëm.)

    Të dhënat komprometohen më tej edhe nga dy faktorë jostatistikorë: humbja dramatike e besueshmërisë së institucioneve publike të administratës Berisha nga njëra anë; dhe thirrjet e vazhdueshme të palëve të ndryshme për bojkotim të censusit (veçanërisht nga përfaqësues të pakicave etnike), gjatë muajve kur ky ishte duke u zhvilluar.

    Nga këta faktorë, i pari është veçanërisht përcaktues – meqë administrata e tanishme është kapur shpesh duke i manipuluar të dhënat në favor të saj dhe të politikave të partive në fuqi. Kësisoj, INSTAT-it i ka rënë besueshmëria dhe i ka humbur autoriteti, pavarësisht nga cilësia e të dhënave që prezanton.

    Institucionet publike në Shqipërinë e sotme e kanë humbur kontaktin me të vërtetën.

    xhaxhai.wordpress.com

     

     

  • Disa njerëz motivohen të marrin pjesë në jetën publike vetëm nga urrejtja ose ndonjë ndjenjë tjetër negative – përçmimi, frika, racizmi.

    Kohët e fundit, këta po i shohim të shtohen mes bashkatdhetarëve.

    Edhe ata që deri dje kishin turp të dilnin kështu hapur, tani kanë marrë zemër, falë degradimit të përgjithshëm të jetës publike.

    Madje ka edhe më: mu nën sytë tanë, po krijohen solidaritete të mbrapshta, mbi baza urrejtjesh të tilla.

    E tillë ka qenë dhe mbetet vala e mllefit kundër historianit zviceran Oliver Schmitt, i cili gjithnjë e më shpesh po i prezantohet publikut si njeriu “që ka hedhur baltë” mbi Skënderbeun.

    Natyrisht, librat e përkthyer të Schmitt-it shiten për bukuri; në Panairin e tanishëm të Librit në Tiranë, esenë e tij për shqiptarët nuk e lanë të binte në tokë.

    Meqë kam të drejtë të supozoj se këtij autori librat nuk është se po ia blejnë për t’ia shkatërruar ose gjithsesi hequr nga qarkullimi, atëherë s’më mbetet veç të nxjerr përfundimin se atyre që e vlerësojnë historianin zviceran u mungon guximi t’i dalin atij në mbrojtje publikisht.

    Kjo është për t’u shqetësuar: frika e disave, përballë mosfrikës së disa të tjerëve.

    Kohët e fundit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës e zgjodhi Schmitt-in anëtar me korrespondencë të kësaj akademie.

    Unë do ta përshëndetja këtë vendim, edhe sikur të bazohej vetëm në veprën e Schmitt-it për Arbërinë venedike, ose duke lënë mënjanë veprat e tij kushedi më kontroversiale.

    Të tjerë nuk mendojnë kështu. Kështu, sot në MAPO Jusuf Buxhovi – nga pozitat e “shkrimtarit, historianit dhe qytetarit të Kosovës” – e konsideron skandaloz këtë veprim të akademikëve në Prishtinë.

    Për Buxhovin, Schmitt-i është i njohur “për qëndrimet rrënuese pa kurrfarë bazash shkencore ndaj historiografisë shqiptare, të cilat ai prej kohësh po mundohet t’i promovojë në emër “të rishqyrtimeve” historike”; dhe gjithashtu për qëndrimin e tij “fyes” ndaj Skënderbeut; sikurse edhe për faktin që në një vepër të tij për Kosovën, Schmitt-i ka “delegjitim[uar] rolin historik të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në dobi të tezave hegjemoniste serbomëdha”.

    Buxhovi, i cili e quan Schmitt-in “sllavist” dhe ia konsideron mendimin si të kushtëzuar nga filtrat e historiografisë hegjemonistë serbomadhe, e konsideron pranimin e tij në Akademinë e Kosovës si rrezik “hendikepimit që mund t’u bëhet historianëve të Kosovës në rrugën e tyre për të studiuar të vërtetën historike”.

    Fatkeqësisht nuk e njoh veprën e Schmitt-it për Kosovën, së cilës i referohet Buxhovi; por te Shqiptarët historiani zviceran më duket se ka shprehur qëndrime mjaft të drejtpeshuara dhe aspak antishqiptare, në lidhje me popullimin e atyre trojeve në Mesjetë; dhe kam të drejtë të besoj se ky autor nuk do ta ketë ndryshuar dramatikisht pozicionin e tij ndaj kësaj çështjeje, nga një vepër në tjetrën.

    Kështu, kur analizon, te Shqiptarët, dinamikën e marrëdhënieve shqiptare-serbe në Kosovë gjatë Mesjetës, Schmitt-i e pohon shprehimisht se “nuk mund të qëndrojë teza serbe e një migrimi të vonë [të shqiptarëve, 2Xh] drejt Kosovës dhe Maqedonisë” [f. 146]; dhe unë këtë nuk do ta quaja kurrsesi “delegjitim të rolit historik të shqiptarëve”! Te kjo vepër, autori duket se dallimin mes shqiptarëve dhe sllavëve (serbëve) në Kosovë e sheh si një dallim kryesisht vertikal, ose të lartësisë së vendbanimeve – shqiptarët më lart, sllavët më poshtë; dhe këtë përfundim ai e nxjerr jo si sllavist, por duke iu referuar burimeve katolike dhe regjistrave osmanë.

    Duket sikur arsyeja kryesore, për të cilën Schmitt-i u dashkësh lënë jashtë Akademisë në Prishtinë, është se ky thotë gjëra që i bien ndesh një farë diskursi kombëtarist skematik dhe ndonjëherë esencialist, i cili mbahet e përcillet si historiografi nga disa qarqe politike kombëtariste në Tiranë dhe në Prishtinë.

    Edhe sikur tezat dhe hipotezat e këtij historiani të mos i qëndrojnë dot kritikës së mirëfilltë, atij nuk mund t’i mohohet puna e jashtëzakonshme që ka bërë, për të ndriçuar aspekte të historisë së shqiptarëve në Mesjetë; si dhe interesi që ka ngjallur dhe ringjallur, në qarqet akademike shqiptare dhe gjetiu në Europë, për çështje të mprehta të historiografisë sonë kombëtare.

    Kaq do të mjaftonte, për të përligjur pranimin e tij si anëtar korrespondent i një Akademie modeste dhe në kërkim të profilit dhe të prestigjit të vet mes simotrave, si ajo në Prishtinë.

    Që Schmitt-i është “sllavist”, siç e quan gati me përçmim Buxhovi, nuk është gjë arsye për ta lënë jashtë tryezave të dijes albanologjike, përkundrazi. Shqiptarët dhe sllavët kanë ndarë shumë gjëra mes tyre në Mesjetë; dhe një sllavist veç mund të përfitojë nga specializimi që ka, kur vjen puna për të ndriçuar çështje të errëta të Mesjetës shqiptare.

    Madje edhe debati i rihapur me Schmitt-in, në rang akademik, jo në nivel rrugaçësh dhe fanatikësh kombëtaristë me shkumë në gojë, vetëm do t’i ndihmonte historiografisë shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë. Veç të mirë i vjen albanologjisë, nga autorë si Schmitt, Clayer, Bartl, Nadin, Matzinger, Fischer, Schramm, Vickers, Malcolm dhe të tjerë historianë, antropologë dhe historianë të gjuhës, të cilët u janë qasur aktivisht shqiptarëve në këto njëzet vjet.

    Natyrisht, që të ndodhë kjo, është e nevojshme që debati të rikornizohet në mënyrë të tillë, që tanët ta kuptojnë dhe ta pranojnë, mundësisht në publik, se historianët perëndimorë nuk kanë për synim të ushqejnë mitin tonë kombëtarist, as të konfirmojnë tezat e ekzagjeruara shqiptarocentrike të historiografisë sonë.

    Nuk përjashtohet kurrsesi, që edhe mes historianëve të huaj të ketë të tillë që të frymëzohen, për arsye të ndryshme, nga antishqiptarizmi (sikurse nuk përjashtohet që të ketë të tillë edhe mes historianëve shqiptarë); por edhe këta mund të luftohen vetëm në atë masë që dija historiografike albanologjike mbetet e hapur ndaj kontributit të të gjithëve.

    Dhe, në çdo rast, është e papranueshme që Schmitt të futet në radhët e këtyre “antishqiptarëve” vetëm e vetëm ngaqë nuk ka ecur me hapin e togës, dhe ka kërkuar të vërtetën historike ashtu si ka mundur, në vend që t’i kruante bishtin legjendës kombëtariste.

    Prandaj shpreha keqardhjen për klimën e përgjithshme të censurës, që është krijuar në hapësirën publike – e cila legjitimon një lloj militanti provincial nga shpirti dhe paranojak nga leximi që i bën realitetit; militant i cili sheh prapa çdo kundërtie dhe provokimi intelektual dorën e “armikut”.

    Me qëndrime të tilla veç drejt një izolimi të ri mund të shkohet.

     

    Peizazhe të Fjalës

  •  

    Do të doja të polemizoj me shkrimin e z. Gjokë Vata botuar në MAPO-n e dt. 10 tetor 2012 (“Replikë me Ardian Vehbiun për gegnishten”), por nuk e kam të lehtë të shtyhem më tej një vargu jo-sh; meqë autori më vë në gojë gjëra që nuk më rezulton t’i kem thënë, për më tepër edhe duke mos më cituar saktë.

    Kështu, unë nuk di të kem shkruar gjëkundi shkrime ‘antigegnisht’, as të kemfyer gjëkundi ‘gegnishten e tri të katërtave të popullsisë shqiptare’; unë asnjëherë nuk di të kem shkruar se ‘Gegërishtja është një para fallso e denjë të qëndrojë në një muzeum’ (ky pohim i fundit është edhe absurd në vetvete); sikurse nuk di të kem shkruar gjëkundi se ‘Gegërishtja është një zhargon katolik’.

    Mëkati i autorit është se nuk u ofron ndonjë aparat pseudo-citateve të shumta që sjell, dhe me të cilat futet pastaj në polemikë më shumë rapsodike. Kjo nuk është serioze, madje do ta quaja haptazi shpifje në rrethana të tjera – dhe shpifja mund të demaskohet, por jo të përdoret si bazë për ta vazhduar debatin.

    Është e drejta ime elementare, si drejtpërdrejt i prekur nga kjo zallahi, që t’i shoh të ankoruara citatet që më atribuohen; sikurse besoj është edhe e drejta e lexuesit, që të informohet saktë për premisat e çdo debati.

    Pikëpamjet e mia për çështjet që e shqetësojnë z. Vata janë publike dhe lehtësisht të citueshme; përveç artikujve në mediat, të cilat kanë natyrë doemos publicistike, ato gjenden të artikuluara në dy librat e mi kushtuar çështjeve të sociolinguistikës, politikës gjuhësore dhe pragmatikës së ligjërimit publik: “Shqipja totalitare” dhe “Fraktalet e shqipes”, botuar të dy në gjerdanin Excipere, të Shtëpisë botuese “Çabej”.

    Kushedi duhet t’i kujtoj z. Vata se kam qenë një nga të parët gjuhëtarë shqiptarë të Tiranës, pas vitit 1990, që kam ngritur menjëherë zërin kundër padrejtësisë kriminale që iu bë gegërishtes nga regjimi komunist totalitar; sikurse mund t’ia konfirmojë këtë edhe Arshi Pipa, i cili artikullin tim për këtë çështje, botuar më së pari te një revistë arbëreshe në Itali, e përfshiu menjëherë në revistën ‘Albanica.’ Por edhe ky akt i thjeshtë shfajësimi do të më bënte të dukesha si i akuzuari në këtë mes, duke i amplifikuar, sado tërthorazi, insinuatat dhe shtrembërimet.

    Shkruan autori në polemikën e tanishme: “Martin Camaj përveçse shkrimtar e poet [...], asht edhe nji nga gjuhtarët ma të zot shqiptar e autor i nji gramatike që, ngase hedhe shkencërisht poshtë standardin, as nuk përmendet kurrë.”

    Vërtet. Por ndoshta duhet shtuar këtu edhe se, pikërisht këtë gramatikë të Camajt, kam qenë unë që e kam përkthyer në italishte, ku edhe është botuar nga Edizioni Brenner në vitin 1995 (“Grammatica albanese”, http://goo.gl/TIW5E); dhe është e përdorshme, sot e kësaj dite, prej studentëve italianë të gjuhës shqipe, duke u bërë edhe, njëkohësisht, pjesë e spikatur e bibliografisë albanologjike në italishte!

    Më vjen keq që, për shkak të një shkrimi të pasur me insinuata, pasaktësi, shtrembërime dhe gënjeshtra, m’u desh të ulem dhe të flas për veten; do të dëshiroja që për mua të flasin gjërat që shkruaj, të cilat janë publike dhe lehtësisht të citueshme.

    Do të dëshiroja edhe që ta çoja më tej këtë debat, meqë më duket me interes për të ardhmen e kulturës publike të shqiptarëve; por, për fat të keq, nuk mund ta bëj këtë me z. Vata, i cili nuk polemizon me mua, por me dordolecin që ka ndërtuar vetë.

    Autorit dhe të tjerëve do t’u thoja kështu miqësisht: më jepni një nivel të denjë, të nderuar kolegë, ku të bisedojmë së bashku; më respektoni, që t’jua kthej respektin dhjetëfish, se ashtu edhe lexuesi do të na ishte mirënjohës.

    MAPO.al

     

  • Lexova dje, në MAPO, një polemikë të Astrit Canit që më referohet drejtpërdrejt me emër (“Gegënishtja dhe gjuha shtetërore e Ardian Vehbiut”), por pa e përligjur dot këtë retorikë të bujshme në tekst.

    Përshtypja ime është se kjo polemikë vijon një debat të paradokohshëm, në blogun “Peizazhe të fjalës”, në të cilin z. Cani u pozicionua ngjashëm me sa më lart.

    Megjithatë, ndërhyrja e tij e tanishme nuk i referohet gjë haptazi as shkrimit tim në “Peizazhet”, as ndonjë shkrimi tjetër publicistik, as dy librave të mi për çështjet në fjalë – “Shqipja totalitare” dhe “Fraktalet e shqipes”, në të cilat unë e kam nyjëtuar me hollësi qëndrimin tim ndaj shqipes së njësuar, standardit, normës, varianteve letrare, dialekteve dhe orvatjeve për rishikim të statusit që ka sot shqipja e 1972-shit.

    Do të ishte mirë që, në këtë polemikë, z. Cani të citonte me saktësi ato pasazhe të miat, me të cilat polemizon; sikurse e kërkojnë edhe normat më elementare të debatit. Duke e shpërfillur këtë detyrim, z. Cani e ka zhvlerësuar argumentin e vet, sepse çdo lexues ka të drejtë të mendojë se ai po lufton me mullinjtë e erës.

    Ku e paskam thënë unë, bie fjala, se “gjuha është e shtetit?” dhe se “shteti është pronari i gjuhës”? Si mund t’ia lejojë vetes autori i artikullit të nxijë me dhjetëra rreshta për t’iu kundërvënë zellshëm këtyre tezave, pa e saktësuar më parë se ku i kam formuluar unë ato, në ç’kontekst specifik dhe brenda ç’argumenti timit?

    Ku e ka parë ky zotëri të kem quajtur unë gjëkundi letërsinë e Koliqit “letërsi dialektore”, në një kohë që unë, së bashku besoj me dhjetëra kolegë të tjerë të fushës, jo vetëm dimë të bëjmë dallim mes dialektit dhe variantit letrar të mbështetur në dialekt, por edhe e kemi përdorur këtë dallim si premisë në analizat tona?

    Z. Cani zë të flasë për “vehbizëm”, term që e ka krijuar vetë dhe që i jep ndoshta kënaqësi intelektuale; por në fakt nuk ka gjë aq të spikatur, as të padëgjuar ndonjëherë, në qëndrimet e mia ndaj çështjeve të standardit, të normës dhe të marrëdhënieve të shqipes së njësuar me dialektet dhe variantet letrare, sa të përligjë krijimin e këtij termi të posaçëm, i cili duket sikur shënon ndonjë ideologji tinzare, kushedi edhe të helmatisur.

    Me shkrimet e mia të herëpashershme, unë përpiqem, ashtu si z. Cani, të ndihmoj – me aq mundësi sa kam – që ta ruaj shqipen, kulturën shqiptare dhe shoqërinë shqiptare nga shpërbërja dhe rrëgjimi, të cilat i kërcënohen sot. Kur ka qenë rasti, kam folur dhe mjaft gjatë edhe për traditën e vyer të gegërishtes letrare dhe trajtimin që iu bë kësaj tradite nga regjimi totalitar; por në momentin e tanishëm më është dukur më urgjente, dhe shoqërisht më e dobishme, që ta përqendroj vëmendjen në atë çfarë kemi të përbashkët, si shqiptarë, ose shqipen e njësuar; jo në atë çfarë na ndan në sinkroni – dialektet; ose në diakroni – fillesat e ndryshme të traditave letrare.

    Natyrisht, unë besoj se mënyra si u imponua standardi, në vitet 1960-1970, ishte përçarëse dhe e dhunshme; njëlloj si shumë masa të tjera përshpejtuese dhe voluntariste të regjimit të atëhershëm, që ngutej të përftonte hegjemoni territoriale dhe sociale edhe në fushën gjuhësore; dhe jo vetëm besoj, por edhe e kam shtjelluar këtë shumë herë dhe në shumë vende. Por ky interpretim i historisë së vonë nuk i përligj orvatjet e tanishme, për ta goditur standardin, kinse në emër të rivendosjes së një të drejte të shkelur me këmbë. Argumenti është i ndërlikuar; meriton të shqyrtohet në disa nivele, dhe kurrsesi nuk shterrohet dot me shkrime në mediat; edhe pse është mirë që flaka e debatit të mbahet ndezur me çdo kusht e me çdo mjet.

    Ndezur, pra; por me korrektesë dhe integritet, jo me retorikë dhe histeri. Tre të katërtat e atyre që thotë z. Cani në shkrimin e vet nuk kanë fare lidhje as me mua, as me pikëpamjet që kam shprehur unë; çfarë e shndërron titullin e shkrimit në një marifet cirku, nga ana e autorit.

    Z. Cani është polemist i pandershëm – dhe kjo nuk i falet. Sentimentalizmi, retorika, gabimet logjike i falen sepse askush prej nesh nuk ia hedh dot gurin e parë; pandershmëria jo.

    Për sqarim – unë s’kam lidhje as me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, as me keqtrajtimin e pafalshëm që iu bë traditës letrare gege në atë periudhë; sikurse s’kam lidhje me fetë e shqiptarëve dhe komunitetet përkatëse; dhe as me institucionet që merren sot me mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e standardit.

    Unë gjithsesi jam munduar ta shtjelloj gjetiu se çfarë i ndodhi gegërishtes letrare pas vitit 1945, ishte pasojë, e hidhur por jo dhe aq subjektive, e mënyrës si kishin rrjedhur ngjarjet jo vetëm gjatë Luftës II Botërore, por edhe më parë; praktikisht që me fillimet e Rilindjes Kombëtare – kur modeli kulturor tosk: populist, ekstrovert dhe ekspansiv, u përplas me modelin kulturor katolik geg: elitar, ekskluziv dhe introvert; teksa një masë kritike gegësh në Kosovë dhe gjetiu, kryesisht të fesë Islame, u lanë padrejtësisht jashtë jo vetëm kufijve shtetërorë, por edhe zhvillimeve organike të përbashkëta me pjesën tjetër të shqiptarëve; dhe kur roli i Shkodrës, si kryeqendra të paktën kulturore e Shqipërisë, erdhi duke u dobësuar, për arsye gjeopolitike.

    Prandaj, këtu nuk është fjala thjesht për të vendosur nëse do të themi e shkruajmë ‘pamuk’ apo ‘pambuk’  (ose për të parafrazuar Swiftin, se nga cila anë duhet thyer veza e zier, nga e gjëra apo nga e ngushta); por për më tepër, shumë më tepër dhe pikërisht: a duam vërtet dhe a jemi në gjendje, ose më mirë, a i kemi institucionet dhe vullnetin e duhur shoqëror që të zhbëjmë sot rezultatet, sado të debatueshme në vetvete, të gati një shekulli e gjysmë përpjekjesh, suksesesh, disfatash, gabimesh dhe mëkatesh në lëmin e homogjenizimit kulturor të një shteti të ri dhe me institucione kaq të dobëta, si yni?

  • Më në fund, edhe ResPublica vendosi t’i moderojë komentet, gjë të cilën e përshëndetim! Prej kohësh besoja se ajo faqe shumë e mirë e medias shqip po e vuante plehun që i mblidhej, për shkak të anonimëve të frustruar, që nuk u linin kusur autorëve – mes të cilëve edhe mua.

    Kjo formë komunikimi të nyjëtuar si një varg i pafund ndyrësish, sulmesh ad hominem, goditjesh xhamash me llastiqe, shpifjesh dhe rrugaçërish rrezikonte edhe për shkak të natyrës së saj virale, ose aftësisë për t’u klonuar nga një forum në tjetrin.

    Gjithnjë prej kohësh, kam thënë edhe se përçudnimi i lirisë së shprehjes, që u jep hapësirë veprimi parazitëve të komunikimit publik, nuk është veçse forma më efikase e censurës, në një epokë si kjo e sotmja, ku liria e fjalës kultivohet me aq pompozitet dhe vetëkënaqësi, sa është shndërruar në zhguall pa përmbajtje.

    Mustafa Nanoja dhe kolegët e tij kanë treguar tashmë se kanë çfarë t’i thonë lexuesit dhe çfarë vlerash t’i përcjellin kulturës publike të informacionit shqip, duke ruajtur këndvështrimin specifik dhe origjinal të një faqeje online, më e mira në blogosferën shqipe, për llojin e vet. Duke i dëbuar nga faqja lehësit dhe snajperët e shumtë, ResPublica u krijon mundësi të tjerëve, komentuesve seriozë dhe të përkushtuar, që të bëhen pjesë e komunikimit në faqe dhe gjetiu.

    Lexoja në reagimet ndaj këtij lajmi edhe shqetësimin e disave se mos moderimi do t’ia prishte paanshmërinë informacionit në faqe, duke e bërë këtë të anojë edhe më majtas.

    Këtu m’u kujtua një eksperiment që pat bërë Radio Radicale, në Itali, dikur në fillim të viteve 1990 (tetor 1993), kur, në shenjë proteste ndaj një ligji për informacionin, i hapi mikrofonat ndaj telefonatave të çfarëdoshme, rregullisht anonime, të dëgjuesve.

    Kush sintonizohej në valët e asaj Radioje – nga më të dëgjuarat në Itali – mund të dëgjonte mesazhet që linin thirrësit, të pacensuruara dhe të paprekura.

    Ndodhi ajo që pritej: dalëngadalë, por pandalshëm, mesazhet erdhën e u degraduan deri aty sa t’u ngjanin zhgarravinave në muret e nevojtoreve: vetëm sharje, breshëri fjalësh të ndyra, shkëmbime kërcënimesh mes tifozerive të ndryshme, pasthirrma të urrejtjes dhe të përçmimit.

    E majtë është haleja, apo e djathtë?

    Në mungesë të një moderimi çfarëdo, komunikimi i ndërmjetësuar nga elektronika erdhi e u shndërrua në një kakofoni majmunësh të mbetur pa seks; ku nuk gjeje më gjurmë të arsyes, të respektit ndaj tjetrit (Tjetrit), të mirëkuptimit.

    Të gjithë ata që shpresojnë, me optimizëm të papërligjur, se komunikimi dhe debati me rrugë elektronike mund të vetë-rregullohet pa qenë nevoja për mbikëqyrje nga lart, duhet të kenë parasysh eksperimentin e Radio Radicale-s.

    Eksperiment që provoi se, në kontekste elektronike anonime, ose kur folësit nuk janë në kontakt “fizik” mes tyre, nuk ka shkëmbim dhe debat që të mos i nënshtrohet entropisë dhe të rrëgjohet sakaq në ulërima.

    Moderimi – qoftë si përzgjedhje, qoftë si orientim i diskutimit, qoftë si zbatim rregulli dhe mundësi “ndëshkimesh” për kë nuk i përfill rregullat, duhet menduar, në këtë rast, si një formë e injektimit të rregullsisë, ose të anti-entropisë në një sistem i cili nuk rregullohet dot vetë dhe, i lënë në mëshirë të fatit, është i dënuar me “vdekje termike.”

    Drejt këtij modeli po orientohet tashmë krejt komunikimi online: i lirë në nivelin epror, sa kohë që Interneti ka vend për të gjithë; por i kufizuar me moderim, në çdo hapësirë veç e veç.

    Marrë nga Peizazhe të Fjalës

  • Në përgjigje të një vërejtjeje simes për dallimin që duhet të bëjmë midis varfërisë dhe varfërimit të shqipes, një koleg më pyet, në komentet, nëse mund ta shohim eksperiencën gjuhësore nën totalitarizëm jashtë kontekstit ideologjik dhe politik, ose në aspektet e saj praktike dhe në sfidat që realiteti ia krijonte ligjërimit. Ai sqaron edhe se ka parasysh, në radhë të parë, përkthimet me cilësi shumë të lartë të klasikëve të marksizmit, cilësi që ka mbetur e patejkaluar deri më sot, në fushën e vet.

    Tema më duket me aq interes, sa po e nxjerr më vete.

    Në fakt, çfarë thotë kolegu është e vërtetë: cilësia e shqipes në përkthimet e veprave të Marksit, të Engelsit dhe të Leninit mbetet edhe sot model për ligjërimin filozofik, dhe kjo meritë u duhet njohur përkthyesve të këtyre veprave, shpesh jo vetëm anonimë, por edhe intelektualë të dënuar e të shurdhuar, që kanë punuar në internim dhe në burgje.

    Këta njerëz kanë pasur jo vetëm ndjeshmëri të rrallë gjuhësore dhe njohje të shqipes në potencialin e saj si gjuhë e të menduarit, por edhe formim të plotë filozofik, së paku në lidhje me argumentet për të cilat kanë përkthyer.

    Tekste të tilla si dyvëllimëshi i veprave të zgjedhura të Marksit dhe të Engelsit, ose edhe disa përkthime nga Lenini, treguan se shqipes nuk i mungon asfare aftësia për të shprehur nocione filozofike – me kusht që ligjërimi filozofik të lëvrohet.

    Përkthyesit e teksteve filozofike marksiste, si Sejfulla Malëshova ose Koço Tashkoja (sa për të sjellë dy shembuj), vërtet e ushtruan mjeshtërinë e tyre në totalitarizëm, por ata ishin formuar gjuhësisht në një epokë tjetër, dhe pikërisht në vitet 1920-1930, kur shqipja e shkruar e nivelit libror po lëvrohej gjithnjë e më tepër në debatet intelektuale të kohës, sidomos në revista si “Përpjekja shqiptare” ose “Leka.”

    Në atë periudhë përpjekja për të filozofuar shqip nuk ndeshte në ndonjë barrierë të pakapërcyeshme censure ose auto-censure, siço do të ndodhte më vonë.

    Martesa midis shkollimit adekuat (në filozofi dhe konkretisht në filozofinë marksiste) dhe kompetencës letrare në shqip mundësoi lulëzimin e ligjërimit shqip filozofik dhe politik, pavarësisht nga tradita që pothuajse nuk ekzistonte.

    Sikur kjo traditë të mos ish ndërprerë dhunshëm në fusha të tjera, sot shqipja do të ish më pak e varfër, pse do të ish më pak e varfëruar. Kështu, ligjërata fetare, teologjike dhe etike, e lëvruar në revistat kulturore katolike si “Leka” dhe “Hylli i Dritës” do të kish pasur edhe ajo mundësi të nyjëtohej në rrethanat e reja të gjysmës së dytë të shekullit XX, madje edhe duke krijuar rrethanat për lindjen e një diskursi progresiv në gjirin e shkodranishtes letrare, tradicionalisht mveshje e përçuese e konservatorizmit në të gjitha nivelet.

    Përkthyesit e punishteve të ligjëratës marksiste nuk mbajtën gjallë vetëm shqipen filozofike; por ndihmuan edhe në konsolidimin gjuhësor të fushave të tjera, si ekonomia politike; për shqipen librore, roli i një teksti të përkthyer të kalibrit të Kapitalit është i krahasueshëm me rolin e përkthimeve biblike, në kristalizimin e një letrarishteje anembanë botës së krishterë: pse ai tekst i jep shprehjes së mendimit një strukturë organizuese të domosdoshme, një skelet, një telajo.

    Marksi është filozof i traditës filozofike perëndimore; i përket asaj tradite dhe nuk mund të kuptohet veçse në kontekstin e asaj tradite. Të gjithë ata që e sollën Marksin në shqip, me zotësi dhe erudicion, i sollën shqipes jo vetëm ligjëratën marksiste, por edhe bazat për ligjëratën filozofike, e cila është edhe shkalla më e lartë e nyjëtimit të ligjëratës diturore; dhe kjo pavarësisht nga misioni që do t’u ngarkohej këtyre teksteve, nga pushteti totalitar i kohës.

    Megjithatë, ligjërata marksiste e sjellë në shqipe me nivelin e duhur gjuhësor erdhi dhe e humbi lidhjen e vet me mendimin, e sidomos me mendimin dialektik; sepse u përdor si dogmë, jo si ftesë dhe katalizator për debate; dhe bartësit e saj u detyruan ta përsëritin mekanikisht përmendësh, jo ta përvetësojnë organikisht, në mënyrë kritike dhe ta përdorin pastaj qoftë edhe për ta kthyer kundër vetes.

    Thonë për Marksin se u pat shprehur dikur që “nuk ishte marksist”. Përtej batutës, kjo duhet kuptuar ndoshta edhe si një distancim i filozofit nga shëmtia ku ia katandisën ndjekësit mendimin dhe filozofinë; ose përpjekja për t’ia kalcifikuar pikërisht shpirtin kritik, pa mëshirë kritik, të këtij mendimi. Nëse Marksin e sollën në shqip njerëz që e zotëronin dialektikën dhe e njihnin atë autor në majë të gishtave, Marksi i studiuar, i analizuar, i komentuar dhe i konspektuar në sallat e universiteteve dhe të bibliotekave në Shqipëri (për të mos përmendur ligjëratën politike) u katandis në dordolecin, mumjen, karikaturën e vetvetes; pse u prit aty si të ishte ndonjë sekretar partie ose priftuc province, bartës jo i dialektikës por i dogmës, jo i mendimit por i rrafshimit të mendimit.

    Klasikët e marksizmit, duke filluar nga Marksi vetë, i njohu më mirë shqipja sesa shqiptarët.

    Kjo ndodhi edhe ngaqë, pas vitit 1960 dhe izolimin e plotë akademik të Tiranës, universiteti, së paku në lëmin e humaniteteve, e humbi rolin e vet përgatitor të mendjeve të lira dhe universale, për t’u shndërruar në një praktikum për komisarë dhe zbatues të vijës së Partisë, ose përçues në bazë të një diskursi që rridhte nga lart, kryesisht në formën e teksteve të Enver Hoxhës, dhe ishte gjithnjë e më i varfër, i thjeshtuar dhe i trullosur, në mendim, në gjuhë dhe në shpirt. Kësisoj, edhe veprat e Enverit, sidomos ato me pretendime teorike, si Imperializmi dhe revolucioni, nuk ishin veç pamflete politike ku megalomanisë së autorit nuk i përgjigjej kurrfarë filozofie, dhe aq më pak ndonjë farë marksizmi.

    Sot Enverin mund ta kundrojmë ftohtë, madje edhe ta lëmë përkohësisht mënjanë, për t’u marrë me tema më të ngutshme, më alarmante për momentin; edhe pse tradita e tij si lider populist dhe manipulator i turmave sa vjen e ri-imponohet, në shkretëtirën e mendimit politik shqiptar bashkëkohor. Në të njëjtën kohë, tradita e bukur e ligjëratës filozofike, e përcjellë në tekstet shqipe nga përkthyesit e veprave të klasikëve të marksizmit në vitet 1950 dhe 1960, rrezikon të shpërbëhet e të humbë jo ngaqë marksizmi nuk është më aktual në akademitë shqiptare, por ngaqë filozofia e atij niveli sot pothuajse është braktisur, dhe përkthimet e filozofëve bashkëkohorë, edhe kur janë të mira, mbeten të palexuara dhe të papërvetësuara prej mendjeve.

     

     

    Peizazhe të Fjalës

  • Një herë e një kohë, kur Enver Hoxha ende nuk i kish hequr avokatët mbrojtës nga sistemi gjyqësor i Shqipërisë totalitare, qëllonte që, gjatë ndonjë gjyqi politik, të ngrihej avokati mbrojtës dhe të kërkonte dënimin maksimal për të pandehurin.

    Se pse bënte kështu, veç mund ta marrim me mend. Disa kishin frikë se mos përfundonin vetë në bangon e të akuzuarve ; të tjerë kushedi ishin të bindur se të pandehurit, të cilit kishin për detyrë t’i mbronin, nuk meritonin gjë tjetër veç litarit.

    Kjo m’u kujtua, kur lexoja këto ditë si Jozefina Topalli, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po sillet si një nga përkrahëset më të zjarrta të nismës së Berishës & Co. për t’ua hequr imunitetin zyrtarëve të lartë hic et nunc.

    E përsërit: kjo që çaprashit kështu është Kryetarja e Kuvendit, ose personi që, sipas Rregullores së Kuvendit, Neni 1,

    “[...] përfaqëson Kuvendin, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij.”

    Tani, sipas Kushtetutës në fuqi, imuniteti parlamentar mbetet një nga të drejtat e njohura me ligj, të anëtarëve të Kuvendit; pavarësisht nga ç’mendojnë Berisha, Europa ose Rama.

    Prej Kryetares së Kuvendit, qoftë edhe thjesht për etikë profesionale dhe shpirt solidariteti me institucionin që kryeson, pritej që ta kundërshtonte, edhe vetëm pro forma, çdo nismë që synon kufizimin e të drejtave të anëtarëve të këtij institucioni.

    Edhe sikur znj. Topalli, privatisht, të ishte dakord e tëra me nismën për heqjen e imunitetit, ajo bënte mirë ta mbante këtë opinion për vete dhe rrethin e saj të ngushtë, ndërsa në publik të mbronte institucionin që ia kanë ngarkuar të drejtojë dhe të administrojë.

    Si mund të jetë kjo zonjë  Kryetare e Kuvendit, sa kohë që kërkon të zhvishen nga privilegji i imunitetit deputetët, respektimin e të drejtave të të cilëve ajo është e detyruar të sigurojë?

    Apo vallë ajo mendon se të drejtat e deputetëve do të respektohen më mirë, dhe vetë Kuvendi do të funksionojë më mirë, sikur Prokuroria të lejohet t’i ndjekë penalisht përfaqësuesit e zgjedhur, sipas orekseve dhe paranojave të ekzekutivit?

    Natyrisht, opinioni i zonjës Topalli, sa kohë që kjo i konformohet vullnetit të Berishës, nuk ngre asnjë peshë; por janë pikërisht incidente të tilla, të vogla në vetvete, ose shprehje të tilla të besnikërisë ndaj vijës politike, që të bëjnë të mendosh se, kur vjen fjala për zbatimin e sistemit demokratik në Shqipëri, shtetarët dhe pushtetarët tanë luajnë “shtëpiash”, duke i zhveshur ligjet nga fryma, për t’i kthyer në shkronjë të vdekur.

    Për t’u kthyer tani te avokatët mbrojtës të diversantëve dhe të komplotistëve në kohët totalitare, më duhet të shënoj edhe që, Enveri, pasi u lodh me hipokrizitë e tyre, vendosi t’i shporrë këta krejt, si figura profesionale, ose aktorë palë në skenën e gjyqit, pse veç i harxhonin kohën dhe krijonin ndonjëherë përshtypjen – e gabuar – se prokurorët e popullit mund edhe ta kishin gabim.

    Marrë nga Peizazhe të Fjalës (http://xhaxhai.wordpress.com)