Përgjigjet e kryeprokurorit të ri për 21 Janarin dhe Gërdecin në intervistën e parë në detyrë

Postuar në 17 Dhjetor, 2012 19:22

Adriatik Llalla ka dhënë mbrëmë në Zërin e Amerikës një intervistë për gazetarin Ilirjan Agolli, ku ndër të tjera është pyetur edhe për 21 Janarin dhe Gërdecin si dhe për perceptimin negativ që kanë qytetarët për drejtësinë për shkak të mosndëshkimit të politikanëve të lartë edhe kur këta bëjnë hapur krime. Më poshtë një pjesë nga përgjigjet e tij:
Zëri i Amerikës: Qytetarët kanë një perceptim shumë negativ për cilësinë e punës në sistemin e drejtësisë, gjykatësit, prokurorët, avokatët. Kryesisht ky perceptim vjen prej faktit se nuk dënohen zyrtarë të lartë.
Adriatik Llalla: Ky është një tjetër problem shqetësues për shoqërinë tonë. Unë do ta filloj punën time me reformimin e institucionit të prokurorisë. Në institucionin tonë ka mjaft prokurorë që nuk e meritojnë që të jenë prokurorë, që nuk duhet të gëzojnë statusin e prokurorit sepse janë vetë shkelës të ligjit. Unë do të punoj për evidentimin e tyre, dhe largimin..
Zëri i Amerikës: Si do ta bëni këtë vetëpastrim?
Adriatik Llalla: Gjykoj se nuk është një punë e vështirë. Evidentimi i këtyre prokurorëve është i lehtë, aq më tepër në shoqërinë tonë ku këta njihen nga vetë trupa e prokurorëve. Mbi bazën e informacioneve, unë do të nxit publikun e interesuar, që ka punë me prokurorinë, që të denoncojnë pranë zyrës së prokurorit të përgjithshëm të gjithë rastet e prokurorëve që kryejnë shkelje të ligjit. Këta prokurorë do të hetohen nga zyra përkatëse e prokurorit të përgjithshëm. Po ashtu, qysh nesër institucioni ynë do të hapë një adresë të postës elektronike, ku gjithë qytetarët do të denoncojnë rastet e korrupsionit si në rradhët e prokurorisë ashtu edhe gjithë sistemin e drejtësisë, edhe më tej.  
Zëri i Amerikës: Zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë janë të përfshirë në procese gjyqësore si ai i Gërdecit. Si e mendoni vazhdimin dhe mbylljen e kësaj çështjeje?
Adriatik Llalla: Unë jam në ditët e para të marrjes së detyrës. Jam duke grumbulluar informacionin në lidhje me këto çështje të rëndësishme dhe të ndjeshme për opinionin publik.
Zëri i Amerikës: 21 janari është një tjetër ngjarje flagrante që njerëzit e panë drejtpërdrejt në televizion. Shumë qytetarë mendojnë se drejtësia është e pafuqishme të dënojë zyrtarë të lartë të përfshirë në ngjarje të tilla, apo edhe politikanë të lartë.. Pse vonohet drejtësia në ngjarje kaq flagrante, kur protagonistët janë në vendngjarje, lënë gjurmë të shumta aty?
Adriatik Llalla: Hetime të tilla janë të rëndësishme të kryhen si duhet qysh në çastet e para. Ne do të veprojmë me përparësi në ngjarje të tilla dhe unë synoj që të gjithë përgjegjësit e këtyre ngjarjeve do të hetohen dhe ju siguroj se do të ndëshkohen sipas ligjit. A.N.

 

Intervista e plotë:

http://www.zeriamerikes.com/content/adriatik-llalla-korrupsi...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.