Mentor Nazarko: Berisha i sotëm është kundër të djeshmit për çështjen çame

Postuar në 08 Tetor, 2012 06:09

Lidhur me jehonën “patriotike” që pati fakti që ministri ynë i jashtëm, Edmond Panariti përmendi në një bisedë me homologun e vet në Athinë çështjen çame kam intervistuar Mentor Nazarkon, i cili njihet si ndjekës e njohës i kësaj çështjeje. Nazarko ka publikuar dhe një libër me titull Lufta e Fundit, ku trajtohet ky argument. Ja intervista në chat:

 

Nano: Nazarko, shtypi ynë i ka bërë raportime të hareshme vizitës së ministrit Panariti në Athinë, e sidomos nënvizimit të çështjes çame në bisedën me homologun e tij. Keni vënë re dhe ju të njëjtën hare?

Nazarko: Sigurisht, ka dhe stimulime me induksion, por nga aq sa ka dalë në dritë, rezulton se është bërë diçka e dobishme. Pse? Në kontaktet diplomatike nuk mund të kërkosh nesër diçka që nuk e ke pretenduar sot. Me këtë që ndodhi, duket se kjo çështje është futur në axhendë. Kështu që është e vështirë të dalë më.

Nano: Po pse ka qenë, sipas jush, jashtë axhendës për vite të tëra?

Nazarko: Ka patur një periudhë, në të cilën ajo është ngritur intensivisht në të gjitha nivelet, dhe ajo është periudha 1991-1996, kur të gjithë krerët më të lartë të shtetit e ngrinin për diskutim atë, duke filluar me takimin Alia-Micotaqis, dhe duke vijuar me Berishën, Meksin, Serreqin.

Nano: Po pala greke …

Nazarko: Pala greke detyrohej të jepte një përgjigje shumë më pozitive se kjo e sotmja (asokohe Presidenti Papulias ishte ministër i jashtëm). Por pas Traktatit të Miqësisë në 1996, dhe rënies së shtetit tonë në 1997, midis dy vendeve dolën përparësi të tjera dhe Traktati duket se ofroi njëlloj iluzioni që sot e përdor pala greke. Shteti shqiptar u dobësua.

Nano: Po më pas? Është e majta, apo e djathta që mban më shumë përgjegjësi në këtë "escamotage" të çështjes?

Nazarko: E majta ka një alibi, atë që pas 1997-ës, i duhej të fliste për probleme aktuale si ndërtimi i shtetit, ndihma ekonomike, etj. Ka dy persona që e ngritën megjithatë. Zoti Meidani, në disa takime me palën greke, pas të cilave nuk e ftonin më në Greqi, si dhe në OKB në 2001, në Asamblenë e Përgjithshme kur kërkoi abrogimin e ligjit të luftës . Ish kryeministri Meta mendohet se e ka ngritur gjithashtu në takim me homologun Simitis.

Nano: Po më pas akoma?

Nazarko: E djathta që pasoi në 2005-ën, e udhëhequr nga Berisha, kishte një kompleks të llahtarshëm ndaj Greqisë, pasi mendonte se ajo e kishte rrëzuar në 1997-ën. Kështu kjo çështje doli nga axhenda. Por dhe preteksti i Traktatit të Miqësisë ka shërbyer..... Pra e djathta në mandatin e parë e ka ngritur cilësisht, pa kompleksin e bllokimit të integrimit, apo pretekste të tjera. E djathta e sotme, jo. Kurse e majta në përgjithësi thuajse e hoqi nga axhenda për të ardhur tek Berisha që e nxori fare.

Nano:  Me një fjalë e shihni si kompleks subordinimi të Berishës pas asaj që i ndodhi në vitin 1997?

Nazarko: Sigurisht, sepse Berisha në 1996 i rregulloi shumë mirë marrëdhëniet me Greqinë, pas krizës së viteve 94-95, me masakrën e Peshkëpisë, arrestimin e të katër minoritarëve, etj. Aq e vërtetë është kjo, sa  në 1996 u firmos Traktati i Miqësisë  që shënon aktin legal më të lartë midis dy vendeve dhe Shqipërinë e vizituan zyrtarë të lartë grekë. Greqia e Simitis-it nuk kishte interes të destabilizonte Shqipërinë, nga e cila do t'i vinin armë dhe refugjatë. Ajo thjesht u bë aktive pas shpërthimit të Jugut. Por jugu shpërtheu sepse atje piramidat kishin gllabëruar shumë pará, madje kishin dhe selinë e themelimit, dhe jo pse Greqia kishte ndërhyrë. Siç e thashë, Traktati ofron një pretekst që gjoja qetëson palën tonë dhe Berisha e përdor atë për t’u justifikuar.

Nano: Etiketat që i vihen Berishës (edhe për shkak të marrëveshjes mbi kufirin detar), por edhe gjithë klasës politike në përgjithësi si e shitur, tradhëtare, jo patriote, etj, i shihni si folklor urban?

Nazarko: Në fakt, klasa politike e djathtë, me Berishën në krye dhe një pjesë e mirë e së majtës filluan të kenë kompleks të madh Greqinë. Kur tërhiqesh vazhdimisht nga ngritja e një çështjeje, apo disave, atëherë e ke të vështirë të ecësh para. E vërteta është se nëse e majta i ka bërë koncesione të mëdha në ekonomi Greqisë, në sektorë strategjikë si celularët, bankat, rrugët, etj Berisha i ka bërë koncesione në axhendën historike të ekstremizmit grek. Ato fillojnë me legalizimin përfundimtar të Janullatos-it, dhe vijojnë me legalizimin e varrezave, me lehtësirat për kompanitë celulare në dëm të Eagle-it në rastin e privatizimit, me Marrëveshjen e ujërave, me shkollat, etj. Sa për konceptin e tradhëtisë, mund ta sqaroj pak më ndryshe...

Nano: Po ....

Nazarko: Sot në politikë nuk ka tradhëti në kuptimin klasik. Por nëse ti cënon, nëse ti dëmton interesin kombëtar, s'ka fare rëndësi sesi quhesh, tradhëtar ose jo. Në rastet e mësipërme, interesi kombëtar është dëmtuar rëndë. Nuk është rrethanë lehtësuese se e ke bërë këtë në emër të forcimit të pushtetit tënd personal.

Nano: Në këtë pikë jam dakord me ju, Nazarko. Por le të kthehemi tek argumenti ynë. Panariti, sipas jush, pati një axhendë individuale, teksa e përmendi këtë çështje pas shumë vitesh? Apo është një nismë e Metës? Apo e gjitha është bërë me dijeninë, e nën këshillat, e Berishës?

Nazarko: Jo tamam. Ajo çështje mbetet në kancelarinë shqiptare, dmth në Ministrinë e Jashtme. Unë besoj se me sugjerimet e ekspertëve atje, me sugjerimet e Metës, me presionin publik të Idrizit që është aleat, ajo çështje u ngrit. Nuk më rezulton që Berisha ta ketë ngritur publikisht vitet e fundit pa e pyetur njeri nëpër intervista.

Nano: Idrizi u shpreh, me plot entusiazëm gjithashtu, se "tani e tutje kjo çështje nuk mund të dalë më nga axhenda e diplomacisë shqiptare". Duket si vetgënjim, pasi kjo çështje, siç e thatë dhe ju, ka qenë njëherë në axhendë, madje “bujshëm”, e më pas ka dalë, madje “fare lehtshëm”.

Nazarko: Jo, Idrizi ka të drejtë. Nëse dikush pas Panaritit nuk do ta përmendë më, atëherë kjo do quhej zbythje. Ai rivendosi një hipotekë në trajtimin diplomatik të saj, këtë thotë Idrizi, që synon ta fiksojë përfundimisht me anën e rezolutës parlamentare. Sigurisht ka shumë rëndësi mënyra sesi do ta vijosh trajtimin. Por unë kam një tezë tjetër: Nuk duhet folur për “çështje çame”, duke përdorur kështu emërtesë gjeografike shqiptare, sepse në këtë rast Greqia do përdorte simetrikisht emërtesën “çështja e Vorio Epirit”. Duhet folur për të drejtat që u lindin shqiptarëve, dikur shtetas grekë, pas vrasjeve, grabitjeve të pronës, largimit me forcë nga territori grek, para dhe pas Luftës së dytë botërore.

Nano: Sidoqoftë, në çdo rast kemi të bëjmë me të njëjtën çështje në thelb.

Nazarko: Në thelb, po. Por, kur flitet për “çështje çame”, identifikojmë tragjedinë e shqiptarëve të Çamërisë. Ndërsa Greqia ka përzënë, ka grabitur dhe shqiptarë të tjerë jo çamë, dhe në tërësi pasuritë e të dy kategorive vlerësohen në disa miliarda euro. Këto duhen kompensuar domosdoshmërisht. Dhe Panariti e ngriti dhe këtë çështjen e kompensimit.

Nano: Le të vimë tek zgjidhja e çështjes. Në këtë mes duhet të ketë një zgjidhje maksimaliste, një realiste, një minimaliste, e një "asnjë zgjidhje". Tani, zgjidhje maksimaliste dhe "asnjë zgjidhje" merren me mend se çfarë janë. Pyetja ime është: cila është zgjidhja realiste?

Nazarko: Zgjidhje realiste do të ishte një zgjidhje tërësore, dhe jo individuale, siç thotë Traktati i Miqësisë, që e ka varrosur në një farë mënyre me individualizimin që i bën kësaj çështjeje. Brenda saj do të ishte një kërkesë ndjese… dhe kompensim i pronave të shqiptarëve, që me krizën që ka Greqia përfaqëson një barrë të rëndë. Por nëse s'ka pará tani, do ketë nesër. Dhe atje ku pronat janë të lira akoma, mund të ketë riatdhesim

Nano: Po për një zgjidhje minimaliste "të pranueshme" nga pala jonë mund të flitet?

Nazarko: Oreksi vjen duke ngrënë. Duhet patjetër kërkesa e faljes dhe patjetër kompensimi. Por nëse fillohet të flitet për kompensim, atëherë zgjohet vëmendja e fjetur e mijra familjeve shqiptare që kanë pasuri të mëdha në Greqi. Dhe kjo shndërrohet në çështje elektorale jo vetëm për çamët. Atëherë po, që s'do të ketë zbythje si deri më sot. Kur diçka ta kërkojnë mijëra familje, atëherë politika do mendohej mirë...

Nano: Pyetja e fundit: Beson njimend se mund të ketë praktikisht ndonjë zgjidhje të kësaj çështjeje?

Nazarko: Besoj se po, megjithëse jo shumë afër. Por që të ketë zgjidhje, duhet që kjo çështje tërësore, siç e sqarova më lart, të trajtohet vazhdimisht dhe cilësisht. Opinioni publik të jetë më i qartë, dhe ajo të mos nënvleftësohet nga disa mendimtarë snobë që e quajnë patriotizëm të sforcuar. Duhet të mos kemi kompleks nga grekët dhe të përdorim të gjithë rrugët, diplomatike, juridike, vendore dhe ndërkombëtare.

Nano: Efkaristo poli!

Nazarko: Parakalo!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.