Stuhi shiu nga veriu në jug, përmbytje në Lezhë, probleme në porte e akse rrugore

Postuar në 01 Nëntor, 2012 04:16

TIRANË-Reshjet e shiut të shoqëruara me erëra të forta kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore dhe porte detare në vend. 

Elbasan 
Stuhia me shi dhe erë ka përfshirë qytetin e Elbasanit duke shkaktuar përmbytje në segmente të Unazës Rrugore dhe shkarje dherash. Era ka rrëzuar disa pemë në këtë Unazë, kurse në aksin Përrenjas-Librazhd, problem janë bërë dherat që kanë mbuluar segmente të caktuara të rrugës nacionale. 
Situata kritike sinjalizohet dhe në segmentin Librazhd-Murrash, ku janë rrëzuar massive të shumta me gurë. 

Lezhë 
Moti i keq që ka përfshrë vendin ka shkaktuar përmbytje në komunën Kolsh të Lezhës. Ferdinant Ndoi, kryetar i Komunës së Kolsh bëri të ditur se në disa shtëpi ka prezencë uji në oborre, ndërsa dhjetra familje në fshatin Barbuloi janë bllokuar nga uji. 

Durrës 
Stuhia detare, që përfshiu rajonin detar të Durrësit gjatë natës së kaluar, nuk ka shkaktuar dëme në basenin portual, ndërsa reshjet e rrëmbyera që ranë për afro 40 minuta gjatë paradites së sotme, kanë bllokuar disa nga rrugët dhe kryqëzimet kryesore të qytetit. 
Sipas burimeve të kapitenerisë, tragetet e linjës Bari-Durrës kanë vonesa disa orëshe, ndërsa njëri prej tyre do të mbërrijë në qytetin bregdetar rreth orës 15.00. 
Edhe tragetet që lundrojnë drejt Barit (Itali) janë nisur nga Durrësi me 6-7 orë vonesë, për shkak të stuhisë detare dhe të detit të trazuar, me forcë deri në 6 ballë në det të hapur. 
Burime nga institucioni i prefektit të qarkut, bënë të ditur se "ujrat e grumbulluara kanë shkaktuar probleme në disa banesa private në lagjen e plazhit dhe atë të Shkozetit, ndërsa po punohet për normalizimin e situatës". 
Rrugët “Aleksandër Goga”, “Skënderbeu”, "Taulantia" dhe “Dëshmorët”, si dhe disa nga kryqëzimet në hyrje dhe në periferi të tij, kanë qëndruar nën pushtetin e ujrave për më shumë se një orë, deri kur ndërhyrja e punonjësve të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve krijoi kushte për lirimin e pusetave dhe kullimin e ujrave. 

Vlorë 
Përvec probleme në port, ku tragetet janë nisur me vonesë, në Vlorë, stuhitë me erë dhe shi gjatë natës kanë dëmtuar zbukurimet për 28 Nëntor, ditë kur shënohet 100-vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar. 
Kjo situatë meteorologjike pritet të vazhdojë me të njëjtat karakteristika në pjesën më të madhe të ditës së sotme, ndërkohë që vlerat e temperaturave do të shënojnë rënie krahasuar me ato të një dite më parë. Kjo tablo sinoptike është rrjedhojë e përfshirjes së rajonit në një zonë me presion atmosferik të ulët dhe e pranisë së masave ajrore të paqëndrueshme dhe të ftohta, me origjinë kontinentale. Burime të Kapitenerisë së Portit detar bënë të ditur të enjten se, era do të fryjë me parametra mesatarë, në drejtimin nga kuadrati Jug-Jugperëndim, me shpejtësi nga 4-6 deri në 6-8 m/sek, në afërsi të bregut të detit, ndërsa temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 19-21 gradë celcius dhe ato minimale nga 12-14 gradë celcius. Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.

Burrel 
Reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të gurëve dhe dherave në aksin, Burrel-Milot dhe në Klos-Bulqizë. 

Gjirokastër 
Rrëshqitje dherash ka patur dhe në aksin Gjirokastër-Tepelenë, por me serioze sipas policisë, situata është paraqitur në vendin e quajtur Ura e Leklit. Në këtë segment rrugor qarkullimi kryhet vetëm me një kalim. 

 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.