KQZ nxjerr jashtë median

Postuar në 17 Qershor, 2013 16:04

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në këto 23 vjet, raportimi i mediave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e 23 qershorit, por edhe në ditët pasuese, është menduar të bëhet nga jashtë institucionit. 

KQZ ka gjetur një mënyrë sa origjinale po aq edhe unike për raportimin mediatik, pikërisht nga disa çadra që janë vendosur tashmë jashtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Nxjerrja e medias jashtë KQZ-së dhe raportimi nga çadrat, përvec temperaturave të larta në ditën e zgjedhjeve dhe më pas, vështirëson transmetimet edhe teknikisht. 

Kjo, pasi raportimi nga KQZ-ja do të bëhet nga dy ambjente të ndryshme, nga çadrat jashtë dhe brenda nga salla në momentet që KQZ ka mbledhje. 

Në kuadër të angazhimit të plotë që KQZ shprehu se ka ndaj plotësimit të detyrimeve për transparencë ndaj përfaqësuesve të medias, është menduar që edhe informacioni nga sistemi i të dhënave nga Vendet e Numërimit të Votave, që përbën edhe interesin më të madh mediatik në ditët e zgjedhjeve, të jetë i aksesueshëm përmes një ekrani të vendosur jashtë. 

Vendimi për t’i nxjerrë mediat në çadra, nga sqarimet zyrtare ka si shkak vetëm atë se holli i KQZ-së nga ku është raportuar për një seri proçesesh zgjedhore, papritmas rezulton të jetë i papërshtatshëm. 

Vendimi shkaktoi kundërshtimin e gazetarëve, pas të cilit kryetarja e KQZ-së Lefterije Lleshi u deklarua e hapur për ta diskutuar me përfaqësuesit e mediave. 

Ndërkaq, çadrat janë ngritur tashmë dhe madje është porositur edhe tapiceria për veshjen e dyshemesë së tyre. Por për shkak se ajo kishte ngjyrën vjollcë, tapiceria nuk është pranuar nga administrata e KQZ-së, duke u kthyer mbrapsht për ndërrim ngjyre.

 

 

 Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.