Bode: Ekonomia u ngadalësua jo për fajin tonë

Postuar në 11 Janar, 2013 14:36

 

Ministri i Financave, Ridvan Bode pranoi se rritja ekonomike në vitin 2012 zbriti në nivelin më të ulët që nga fillimi i krizës, përtej çdo vlerësimi të qeverisë.

“Ekonomia shqiptare për vitin 2012 mendohet të ketë një rritje 2% ose 1.5 për qind, duke shprehur atë që është dëshmuar në vitet e mëparshme, dinamizmin më të mirë krahasuar me ekonomitë e rajonit. Ajo është më e ulët se mesatarja historike, por edhe më e ulët se vitet e krizës”, deklaroi Bode.

Ndonëse vëren se edhe në 2012, Shqipëria ka vijuar të ketë rritje më të lartë se ekonomitë e tjera të rajonit, zoti Bode thotë se përballë krizës së zgjatur që vjen nga eurozona ekonomia është dobësuar.

“Kriza e gjatë ka çuar në një rritje më modeste, bazuar në kapacitetet që ne mendonim se do krijoheshin nëse nuk do ishte kriza globale”, nënvizoi Bode.

Veç ngadalësimit të ekonomisë, kriza ka sjellë dhe përkeqësimin e treguesve fiskalë të vendit. Ministria e Financave llogarit se në fund të vitit borxhi publik kërceu në 61.9 për qind të prodhimit kombëtar.

Por zoti Bode thotë se arsyet e rritjes së tij lidhen me garancitë që shteti jep për ndërmarrjet publike dhe jo me huamarrjen e qeverisë.

“Është deklaruar në media se qeveria po merr shumë para borxh. Jo, nuk është e vërtetë. Huaja është 3.2 për qind e GDP-së. Viti i fundit i qeverisë socialiste ka pasur 5.1 për qind të GDP-së si huamarrje”, tha Bode.

Edhe me këtë rritje borxhi, ministri i Financave ripërsëriti qënrimin se qeveria nuk do të marrë në shqyrtim asnjë masë për të rritur taksat, pasi sipas tij kjo do të dëmtonte më shumë ekonominë.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.