Berisha:Nacionalizmi, s’komentoj Arvizun

Postuar në 18 Dhjetor, 2012 02:56

Në takimin e radhës me gazetarët, kryeministri Sali Berisha kritikoi premtimin e PS-së, nuk donte të komentonte deklaratat e ambasadorit Arvizu, si dhe dha shpjegime për statusin, censusin dhe zgjedhjet e qershorit 2013.

Berisha kritikoi premtimin e Partisë Socialiste për heqjen e taksës për të gjithë biznesin e vogël, duke e cilësuar këtë premtim si të parealizueshëm. “Premtimi i PS për heqjen e taksës së biznesit të vogël, është premtimi i një politikani unik në Europë dhe botë, ku u thotë shqiptarëve që opozita do të kërkojë që borxhi të llogaritet nga banka e shtetit, të mbahet nga banka e shtetit dhe të llogaritet si përqindje

 

e PPB-së”, tha Berisha.

Kryeministri kritikoi edhe taksën progresive, një ndër shtyllat kryesore e programit “Rilindje Kombëtare” e socialistëve.

“Taksa progresive është taksë famëkeqe që e instaloi për herë të parë në Shqipëri, daja i Ramës në vitin 1946 dhe unë ju garantoj se po të hetoni në arkivë do të gjeni se ky është edhe autori kryesor i ligjit për tatimin e jashtëzakonshëm. Biznesi ka patur dhe ka tek kjo qeveri, mikun dhe mbështetësin më të fuqishëm. Bizneset janë rritur mbi 2.5 herë”, shtoi kryeministri.

Rezoluta për çamët

Berisha refuzoi të japë një përgjigje të prerë për pyetjen mbi rezolutën për çamët. Kryeministri tha se mazhoranca do të shqyrtojë këtë propozim të paraqitur nga aleatët duke deklaruar më parë se Partia Demokratike është nismëtare e një sërë lëvizjesh në dobi të çështjes çame.

“Çështjen çame së bashku me mikun tim, të ndjerin Gramoz Pashko, e kemi ngritur për herë të parë në janar të vitit 1991 kur kryeministri i Greqisë, Mitsotaqis u bë kryeministri i parë që takoi opozitën shqiptare, na ftoi në takim dhe në atë takim, një ndër problemet që ne biseduam ishte ai çam. Në Traktatin e Miqësisë të 1995 me Greqinë ka një klauzolë mbi çështjet e pronësisë së shqiptarëve në Greqi dhe të grekëve në Shqipëri, janë çështje juridiko-teknike që do të zgjidhen në bazë të këtyre procedurave. Për fat të keq, kjo çështje mbeti në vend-numëro. Nuk ka asnjë problem territorial mes dy vendeve, ka një traktat miqësie që njohim kufijtë e dy vendeve, traktati përbën një bazë të shkëlqyer për të zgjidhur problemet tona”, tha kreu i mazhorancës.

Deklaratat nacionaliste

Deklaratat nacionaliste të lëshuara me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Berisha i cilësoi si ripërsëritje të qendrimeve të mëhershme të tij dhe refuzoi të komentojë deklaratat e lëshuara pak ditë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu ku ky i fundit dënonte rritjen e ndjeshme të gjuhës nacionaliste si destabilizuese.

“Nuk jam këtu të komentoj deklaratat e ambasadorëve, por deklaratat e mia janë një ripërsëritje e qendrimeve të mia, absolutisht. Edhe në festimet e Lidhjes së Prizrenit 3 vite më parë, do të gjesh të njëjtat deklarata, edhe në verën e vitit 1992 do të gjesh dekretin e 17 korrikut të 1992 që thotë se shtetësia shqiptare do t’u njihet të gjithë shqiptarëve me origjinë kudo që ndodhen, pavarësisht nga shtetësia që kërkojnë të mbajnë. Ky qendrim ka qenë ligjor dhe këtu nuk ka asgjë të re përvec zhurmës mediatike, përkundrazi disa rrethana të reja janë më të favorshme sepse sot shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë, të gjithë këta shqiptarë kanë lëvizur para shqiptarëve në Shqipëri në mbarë Europën dhe problemi i vizave nuk ka asnjë lidhje. Problemi i vetëm është vetëm Kosova dhe Shqipëria beson në konsolidimin e pavarësisë së Kosovës që kontribuon në përforcimin e stabilitetit në rajon”, tha kryeministri.

Statusi, censusi dhe zgjedhjet

Ashtu si edhe në daljet e tjera të kryeministrit apo edhe të eksponentëve të tjerë të mazhorancës, kryeministri Berisha fajësoi Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për mosvotimin e 3 ligjeve që sipas tij, ndëshkuan shqiptarët në mosmarrjen e statusit të vendit kandidat.

Kryeministri Berisha nuk preferoi të komentojë as deklaratën e ambasadores gjermane në Tiranë, Corola Holtkemper, se Shqipëria nuk do ta merrte statusin e vendit kandidat, edhe në rast se miratonte tre ligjet në parlament. Ai tha se Bashkimi Europian funksionon me institucione dhe ai i përmbahet qëndrimit të tyre zyrtar.

“Unë dua të përsëris se nuk komentoj deklarata ambasadorësh, por kur do merrnim ftesën në NATO ishin dy ambasadorë, që iu thanë socialistëve se nuk e merrnim statusin, ndërkohë që vendet e tyre e mbështetën fuqishëm. Pra, unë merrem me institucionet, por në televizor gjithashtu dëgjova ministrin për çështjet europiane të Gjermanisë, që përsëriste qëndrimet e BE.

Sipas Berishës, vetëm 3 ligjet ndëshkuan vendin tonë, ndërsa kërkesat shtesë të përmendura në rekomandimin e Bashkimit Europian, si zgjedhjet, lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor ishin bazat për çeljen e negociatave.

Javën e kaluar, INSTAT publikoi rezultatin e regjistrimit të popullsisë, proces i kryer një vit më parë. Sipas kryeministrit, të dhënat e përftuara nga INSTAT tregojnë zhvillimin ekonomik dhe social të shqiptarëve, rritjet e pronave. Berisha kritikoi opozitën mbi deklaratat e saj për analfabetizmin si të pavërteta. Shkollimi i fëmijëve të tyre, shqiptarët e kanë patur dhe e kanë prioritet, tha kryeministri.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme, kryeministri tha se Partia Demokratike do të shkojë në to me koalicionin më të gjërë në historinë e zgjedhjeve shqiptare.

Akuzat e PS për pasurinë, Berisha: E vërteta do merret vesh shpejt

Në takimin e radhës me gazetarët, kryeministri Sali Berisha komentoi akuzat e deputetëve të Partisë Socialiste lidhur me deklarimin e pasurisë së vajzës dhe dhëndërrit të tij.

“Bëjnë publike një deklaratë të bërë publike në institucionet publike për to, së bashku me të gjitha të ardhurat e tatueshme të njerëzve të mi, të cilën e kanë bërë vit për vit. Vetëm një gjë ka këtu, shumë shpejt do merren vesh arsyet pse e bëjnë, kjo pastaj do të jetë pak më ndryshe. Ata po flasin, ke dëgjuar ti ndonjë reagim? Jo! sepse ka një institucion, është gjithcka e dokumentuar kurse se cfarë fshihet pas këtyre klithmave, absolutisht kjo do të merret vesh shumë shpejt”, tha kryeministri Berisha.  

Për problemet me CEZ-in dhe energjinë

Në takimin e radhës me gazetarët, Kryeministri Sali Berisha i faturoi mungesën e energjisë elektrike keqmenaxhimit të kompanisë CEZ, e cila sipas tij nuk u tregua e aftë në asetet e saj në Shqipëri.

“Energjia elektrike është e garantuar 100 përqind. Mungesa e energjisë elektrike është pasojë e keqmenaxhimit të kompanisë CEZ”, tha kryeministri duke shtuar më pas se gabimi më i madh i drejtuesve të kompanisë ishte vendimi për ndërprerjen e energjisë për ujësjellësat, ndaj kërkoi që të vihen para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata persona që kanë dhënë një urdhër të tillë.

 

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.