Berisha sulmon mediat: Po ndërhyjnë në garën për kryetar të PD-së. Unë do jem neutral

Postuar në 04 Korrik, 2013 14:49

Kryeministri dhe kryetari i në detyrë i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie se ata duhet të sillen si opozitarë tani e tutje.

“Është në detyrën tonë më parësore flakja mënjanë e mantelit të një force politike në pushtet, pra të pushtetarëve, përveshja e llërëve për t’u shndërruar në opozitën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë.

Partia Demokratike ka potencialin më të madh se kurrë në historinë e saj për t’u bërë pushteti moral i vendit për të ndërtuar, promovuar dhe ngritur me të vlerat dhe parimet të cilat ajo ndan me qytetarët shqiptarë dhe partitë simotra kudo në botë.

Partia Demokratike duhet të bëhet e vetëdijshme në çdo qelizë të saj për domosdoshmërinë jetike të rolit të saj si opozitë e fuqishme që ecën e sigurt drejt fitores së radhës.

Pikërisht në këtë kuadër evenimenti më madhor dhe i rëndësishëm është gara për lidershipin e ri,” tha Berisha.

Sërish kryetari i PD kërkoi që të mos përdoret pushteti për të ndikuar tek vota. Ai theksoi se do jetë neutral në këtë garë.

“Kam gjykuar se është interesi më i mirë i secilit prej jush të dashur anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike në tërësi, që në këtë proces asnjeri të mos mund të përdorë pushtetin partiak apo shtetëror për të ndikuar tek vota juaj.

Natyrisht, jam i vetëdijshëm se me këtë qëndrim cenoj në një farë mënyre një të drejtë të atyre anëtarëve të Partisë Demokratike që janë sot me pushtet partiak, apo shtetëror administrativ. Por, kjo është vetëm aparencë sepse unë jam shprehur, cilido prej këtyre zotërinjve që kemi këtu në këtë tavolinë dhe prej çdo zyrtari të Partisë Demokratike që dëshiron të lobojë publikisht dhe jo publikisht për njërin apo për tjetrin kandidat të kësaj partie, është i lutur të ndjekë shembullin e kryetarit, të japë dorëheqjen fisnikërisht, Kryetari do e ruajë neutralitetin, kurse ai të mos e ruajë, por të lobojë nga mëngjesi deri në darkë për kandidatin që do.

Kjo mendoj unë, sado që krijon një lloj cenimi të lehtë, është në interesin më të mirë të procesit dhe anëtarëve dhe anëtareve të Partisë Demokratike.

Unë kam besim të madh tek anëtarësia e Partisë Demokratike se do realizojmë procesin më të civilizuar që kjo parti ka njohur ndonjëherë,” tha Berisha.

Kryeministri sulmoi edhe mediat, duke thënë se po tentojnë që të ndërhyjnë në garë.

“Kam besim të madh se do të zgjedhim një lidership, tek i cili besojmë më shumë se do të arrijmë qëllimin tonë. Kam besim të madh në integritetin e anëtareve dhe anëtarëve, e zyrtarëve të Partisë Demokratike, drejtuesve të saj të të gjitha niveleve dhe njerëzve të pushtetit të saj se do të dimë jashtë çdo lloj interesi, të bashkohen me lidershipin e ri në interesin më të mirë, të Partisë Demokratike.

Më duhet gjithashtu t’ju njoftoj se ai që do të zgjidhet nga anëtarësia e partisë, dhe duhet të biem dakord miqtë e mi, atij do t’i japim dritën jeshile t’i propozojë forumeve ekipin që mendon se na çon më shpejt në pushtet.

N.q.s do të ishte një konventë e gjerë, secili kandidat do të paraqitej në stilin e partive tona me ekipin e tij të ngushtë, por kjo është konventa më e gjerë.

Të zgjedhim së pari liderin më pas të ecim në kompletimin e lidershipit në tërësi,” tha Berisha.

“Të dashur anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike,

Është një orë e veçantë për ju, të refuzoni me përçmim çdo lloj ndërhyrjeje në ndërgjegjen tuaj, të çdolloj e cilitdo.

Përpjekje të dështuara bëhen nga segmente të caktuara të atyre që kontrollojnë mediat, nga botë me të cilën ne s’na lidh asgjë, nga të huaj sharlatanë, të cilët harrojnë që kur tentojnë të ndërhyjnë në këtë mënyrë janë thjesht një qe në pleh dhe asgjë tjetër.

Por, ndërgjegjja, integriteti juaj është më i lartë se çdo kush tjetër, ndaj dhe kërkoj nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të refuzojmë me përçmim përpjekjen për të ndërhyrë, nga Sali Berisha nuk keni asnjë përpjekje, zero. Detyra ime dhe e juaja është ta nxjerrim procesin në bregun e fitores siç na takon,” vijoi kryeministri./ep

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.