Cilin dezinformacion do të hetojnë këta hajdutë?

Postuar në 03 Prill, 2024 20:01

Është ngritur së fundmi me votat e shumicës një komision hetimor parlamentar për dezinformimin. Siç është bërë me dije, komisioni do të merret me dezinformacionin me origjinë nga Rusia dhe aktorë të tjerë malinjë, nisur edhe nga nisma të ngjashme në Europë. Me këtë rast pati një prononcim edhe kryeministri Edi Rama, që e cilësoi nismën shumë të rëndësishme.

Mirëpo ka një problem: komisioni vetë përfaqëson një akt dezinformimi. Sepse mëton të hetojë në rrugë parlamentare diçka për të cilën nuk ka asnjë shqetësim real të ngritur nga agjenci të specializuara. Të marrim p.sh sulmin kibernetik të Homeland Justice: me të dhënat që vuri në zotërim, subjekti në fjalë mund të përhapte dezinformacione, duke tjetërsuar dhe përdorur në “mënyrë hibride” informacione zyrtare. Kjo nuk ndodhi. Sulmi vetë u cilësua si kibernetik dhe kaq. 

Dy vite më parë z. Rama e cilësonte PD-në, “Partia e Rublave”, nisur nga supozimi se ishte financuar me para ruse. Sot ai është në marrëveshje bashkëjetese demokratike me këtë parti. Edhe pse për rublat nuk e dimë. Të marrim eposin e akuzave që partitë adresojnë për njëra-tjetrën. A përfaqësojnë ato dezinformacion të qëllimshëm? Pak vite më parë në media rodhi një dokument I OSBE-së sipas të cilit z. Rama ka 200 milionë euro. Pse nuk u cilësua kjo një dezinformim?

Mund të ecet gjatë me raste të ndryshme për të kuptuar edhe më qartë se teknika informative që është një ndër aspektet e dezinformacionit është lëndë e parë e një politike si kjo jona e cila nuk ka asnjë sekret për të fshehur, por alibi për të mbajtur në këmbë. Dhe që këtej ne mund të pyesim: si vepron dezinformimi në një shoqëri që nuk beson në asnjë kod etik dhe moral? Në një politikë që ka vetëm atunë e forcës si manifestim legjitimiteti? Për çfarë e manipulon Rusia, Kina, apo Irani shoqërinë shqiptare? për çfarë përpiqen të na gënjejnë dhe helmojnë këto shtete në raport me orientimin tonë perëndimor?

Sigurisht, për ASGJË. Sepse perëndimi si adresë e jona është tanimë si puna e Masadës për hebrenjtë: ne nuk kemi ku të shkojmë edhe nëse do të duam. Eksistenca jonë ekonomike, familjare, siguria jonë, ashtu siç e perceptojmë është e lidhur me Europën ku edhe kemi investuar de facto fëmijët tanë, apo të ardhmen e tyre.

Nuk na duhet as Rusia, as Serbia dhe as Irani të na deformojnë gjykimin tonë mbi politikën. As të të na bindin se ky vend nuk bëhet. Këto ne i kemi të trashëguara dhe kuptimet më objektive të historisë sonë. Ndaj të krijosh sot një komision parlamentar për dezinformacionin është si të thuash se kur unë them se në Parlament ka 140 hajdutë, po hajdutë hajdutë, ky është një aspekt propagandistik malinj kundër Shqipërisë. A nuk ishte media dikur një Kazan? Nga ata që “helmonin njerëzinë”? Sot kazani nuk përmendet më, sepse kanë nisur prangat dhe ajo që dje u cilësua si pakicë e zhurmshme, kalon sot për procedim penal. Çfarë do hetojnë këta karagjozë anonimë?

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.