Lamtumira e radhës

Postuar në 15 Mars, 2024 15:36

"Po punoj me të gjitha forcat, sepse kjo është finalja për mua. Sipas ligjit, këto zgjedhje do të jenë të fundit". Presidenti turk paralajmëroi me këto fjalë, për të disatën herë, tërheqjen nga politika.

Ndërsa agjencitë perëndimore e raportuan këtë lajm kryesisht nën titullin “Erdogan po mendon të largohet nga politika”, në Turqi deklarata u prit me mosbesim, sidomos në rrjetet sociale.

Po tërhiqet për të disatën herë”, shkruan shumë komentues.

Hakkı Taş, politolog në Institutin Gjerman për Studime Globale (GIGA), u jep të drejtë atyre që e shohin me skepticizëm lajmërimin e Erdogan.

Erdogan foli për zgjedhjet e tij të fundit në vitin 2009. Pastaj në vitin 2012 tha se do të kandidonte për herë të fundit për kryetar të partisë. Dhe në vitin 2023 premtoi se do të kërkonte mbështetjen e votuesve për herë të fundit dhe më pas do t’ia dorëzonte stafetën brezit të ri, kujton Taş.

Përgjatë këtyre viteve, pavarësisht se ka folur disa herë për largimin nga politika aktive, pas çdo zgjedhjeje, Erdogan ka vijuar të zbatojë programin e tij dhe në të njëjtën kohë të zgjerojë kompetencat e veta.

Sot Erdogan është më i pushtetshëm se kurrë. Ai është i pari president që është edhe kryeministër. Përveç kësaj, ai është edhe kryetar i partisë së tij.

Analistët politikë e shohin deklaratën e Erdoganit më shumë si një lëvizje taktike. “Ai i përdor emocionet e votuesve të tij dhe kërkon edhe një herë besimin e tyre për t'i mobilizuar ata”, thotë Taş.

Erdoğan, një politikan islamik-konservator, ka 22 vjet në pushtet. Fillimisht si kryeministër dhe që nga viti 2014 si president. Megjithatë, zgjedhjet lokale të mbajtura më 31 mars janë shumë të rëndësishme për të. Në dhjetë vitet e fundit, në Turqi janë mbajtur disa referendume, zgjedhje parlamentare, lokale dhe presidenciale. Politika, shoqëria dhe ekonomia janë vazhdimisht në atmosferën e fushatave zgjedhore.

Pas zgjedhjeve lokale në fund të marsit, situata duhet të qetësohet. Nëse nuk shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare ose presidenciale, Erdogan do të qeverisë për katër vitet e ardhshme. I guximshëm nga fitorja e tij në zgjedhjet lokale, ai dëshiron të zgjerojë edhe më tej pushtetin e tij dhe, nëse është e mundur, të ndryshojë Kushtetutën. Dhe ai po mendon edhe për pasardhësin e tij.

Për këtë, Erdoganit i duhen veçanërisht metropolet e forta ekonomikisht - Stambolli, Ankaraja, Izmiri dhe Antalia. Ato përbëjnë pothuajse gjysmën e prodhimit ekonomik të vendit. Në mënyrë të veçantë, “lufta” bëhet për metropolin 17 milionësh të Stambollit, i qeverisur nga opozita prej vitit 2019.

Kryetari Ekrem İmamoğlu nga Partia Popullore Republikane Kemaliste kërkon një mandat të dytë dhe deri më tani fushata e tij zgjedhore po zhvillohet me sukses.

Rivali i tij, Murat Kurum nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP e Erdoganit) ka qenë deri tani një figurë e zbehtë. Edhe pse për pesë vite ishte Ministër i Urbanistikës dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ai mbeti relativisht i panjohur.

Turgut Altinok, kandidati i Erdoganit në Ankara, nuk është i suksesshëm as në fushatë. Pavarësisht parullave të ashpra nacionaliste-fetare, ai nuk grumbulloi shumë pikë. Sondazhet tregojnë se kryebashkiaku aktual Mansur Javas nga opozita CHP po kryeson ngushtë.

Kjo është arsyeja pse Erdogan ndjeu edhe një herë se duhej të përfshihej vetë në fushatë. Prej ditësh, ai kalon nga një tubim i madh parazgjedhor në tjetrin, duke mbajtur fjalime dhe duke inkurajuar mbështetësit.

Erdogan është i vetëdijshëm për rolin që luan Stambolli në politikën e të gjithë Turqisë. Ai vetë e ka nisur karrierën në Satmboll, ku ka qenë kryetar bashkie përgjatë viteve 1994-1998. Stambolli është ekonomikisht i fortë dhe në Turqi ka një shprehje: Kush fiton Stambollin ka fituar Turqinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.