Ultimatum TikTok-ut!

Postuar në 11 Mars, 2024 14:30

SHBA po e kushtëzon përdorimin e aplikacionit Tik-Tok me ndërprerjen e lidhjeve të tij me kompaninë kineze mëmë. Aplikacioni popullor shihet si rrezik për sigurinë kombëtare, përmes transmetimit të të dhënave të qytetarëve amerikanë te qeveria e Pekinit.

Një propozim dypartiak i çuar në Kongres pasi ka marrë dritën jeshile në Komitetin e Tregtisë dhe Energjisë, kërkon nga gjiganti kinez ByteDance, pronar i TikTok, t'i shesë aplikacionin popullor një entiteti amerikan, brenda afërsisht 180 ditëve nga hyrja në fuqi e projektligjit.

Nëse Dhoma e miraton projektligjin, ai do të duhet të kalojë për votim edhe në Senatin e SHBA.

Me këtë projektligj në diskutim, kompanisë kineze ByteDance i jepet një afat kohor që t’ua shesë aksionet e saj të TikTok subjekteve amerikane, përndryshe aplikacioni, i përdorur nga mbi 170 milionë qytetarë amerikanë, do të bëhet i paligjshëm dhe i paaaksesueshëm përmes dyqaneve të aplikacioneve të menaxhuara nga Apple dhe Google.

Vendimi është nxitur nga frika e spiunazhit. SHBA e sheh me shqetësim marrëdhënien që ka pronësia e ByteDance me qeverinë e Pekinit.

TikTok, nga ana e tij, ngul këmbë se nuk ndan dhe nuk dëshiron të ndajë të dhënat e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze: "Ky projekt-ligj ndalon plotësisht TikTok, pavarësisht se sa shumë përpiqen autorët ta maskojnë atë", tha zëdhënësi i kompanisë. Kjo masë "do të dëmtojë miliona biznese, do t'u mohojë artistëve audiencën dhe do të dëmtojë qindra mijëra krijues në të gjithë vendin", shtoi zëdhënësi i TikTok.

Por TikTok nuk ka përballë vetëm qeverinë amerikane. Shefi ekzekutiv i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, e ka identifikuar rritjen e TikTok si një nga kërcënimet më të mëdha për perandorinë e tij të mediave sociale.

Dhe ky aspekt bëhet akoma më i rëndësishëm nëse sheh suksesin e aplikacionit në tregtinë elektronike. Firma analitike e tregut Sensor Tower vlerëson se ByteDance grumbulloi më shumë se 4 miliardë dollarë të ardhura përmes blerjeve brenda aplikacionit vitin e kaluar, krahasuar me vetëm 143 milionë dollarë për Instagram.

Në vitin 2023, TikTok gjeneroi 1.1 miliardë dollarë të ardhura bruto nga mallrat në Shtetet e Bashkuara, vlera totale e mallrave të shitura në platformën e tij, sipas statistikave të brendshme financiare të TikTok, të cilave u referohet Financial Times.

Me fjalë të tjera, nëse TikTok del nga tregu amerikan, Meta Platforms, pronar i rivalit të tij Instagram, do të përfitonte direkt.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.