Mediat europiane hedhin në gjyq Google

Postuar në 28 Shkurt, 2024 21:10

Tridhjetë e dy organizata mediatike evropiane kanë paditur gjigantin e teknologjisë, Google, duke kërkuar dëmshpërblim prej rreth 2.1 miliardë euro.

Padia lidhet me praktikat e reklamave dixhitale të gjigantit të teknologjisë amerikane. Mediat paditëse pretendojnë se kanë "pësuar humbje për shkak të një tregu më pak konkurrues".

Pa abuzimin e Google me pozicionin e tij dominues, kompanitë e medias do të kishin marrë të ardhura dukshëm më të larta nga reklamat dhe do të kishin paguar tarifa më të ulëta për shërbimet e teknologjisë së reklamave”, thuhet në një deklaratë të studiove ligjore që përfaqësojnë organizatat.

Midis grupeve mediatike janë disa nga kompanitë kryesore evropiane të lajmeve, duke përfshirë Axel Springer (e cila ka në pronësi POLITICO), Schibsted me bazë në Norvegji dhe grupe Benelux si DPG Media dhe Mediahuis.

Padia u ngrit në një gjykatë holandeze.

Në qershor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian e akuzoi Google për biznesin e tij të reklamave.

"Shqetësimi ynë paraprak është se Google mund të ketë përdorur pozicionin e saj në treg për të favorizuar shërbimet e veta të ndërmjetësimit," tha në atë kohë nënpresidentja ekzekutive Margrethe Vestager.

Kjo mund të dëmtojë konkurrentët e Google, por edhe interesat e botuesve, duke rritur njëkohësisht kostot e reklamuesve.

Mbikëqyrësi i konkurrencës i Bashkimit Evropian e ka hetuar Google për këtë çështje që nga viti 2021.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.