Qeveria miraton rregulloren e re për oponencën teknike të projekteve ndërtimore

Postuar në 11 Janar, 2024 20:29

Qeveria ka miratuar një rregullore të re për projektet që duhet t’i nënshtrohen oponencës teknike. Rregullorja e re e hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shfuqizon atë të vitit 2010 dhe synon të kontrollojë ndërtimet e reja në fazën e miratimit të projektit dhe atë të zbatimit. Projektet e reja do t’i nënshtrohen oponencës teknike, e cila verifikon paraprakisht zbatimin e standardeve të ndërtimit dhe ligjeve në fuqi.

Projektet që bëhen subjekt i oponencës teknike nisin që nga ato të ndërtesave për banim dhe shërbime, objektet në varësi të institucioneve shtetërore, strukturat akomoduese, projektet infrastrukturore, atë që lidhen me energjinë, rrjetet inxhinierike, projektet industrial, bujqësore, ato të trajtimit të mbetjeve etj.

Oponenca e projektit kryhet në dy faza. Gjatë fazës së parë oponenca kryhet ndaj projektit për miratimin e lejes së ndërtimit të veprës dhe gjatë fazës së dytë për projektzbatimin strukturor. Gjetjet dhe udhëzimet e oponencës në fazan e parë reflektohen në projekt ose, nëse kundërshtohen me vërtetime dhe argumentime përkatëse nga projektuesi të cilat pranohen dhe nga oponenti, shprehen në oponencën përfundimtare.

Sipas VKM-së së re, oponenca teknike kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimit. Ngarkohen me këtë detyrë specialistë të fushës, të licencuar në projektim me një eksperiencë prej 15 vitesh.

Vendimi parashikon që kërkesa për kryerjen e oponencës të bëhet nga zhvilluesi në institucionin përkatës, i cili ka detyrimin që brenda një afati 5-ditor të verifikojë dokumentacionin dhe të ngrejë grupin e kontrollit të projektit që harton oponencën brenda një afati 60-ditor.

Oponencat e projekteve të kontrolluara regjistrohen në një regjistër, i cili mbahet nga institucioni që kryen oponencën dhe publikohet në faqen e tij zyrtare.

Institucioni që kryen oponencën është i detyruar të dorëzojë pranë ministrisë përgjegjëse për ndërtimin një raport vjetor për oponencat e kryera të një viti më parë, në tremujorin e parë të vitit aktual.

Nevoja për kontrollin e ndërtimeve lindi pas tërmetit të nëntorit 2019.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.