Një Kimi personale që nuk prodhoi dot miqësi nacionale

Postuar në 30 Dhjetor, 2023 14:28

Në një konferencë të mbajtur sot, kryeministri Edi Rama, ka deklaruar ndër të tjera se ai vazhdon të përsërisë qëndrimin e mbajtur që në “krye të herës” se Serbisë i duhen vënë sanksione për ngjarjet e Banjskës dhe se Kosovës i duhen hequr masat shtrënguese pasi sipas tij ajo ka reaguar ndaj kërkesave që i janë bërë nga komuniteti ndërkombëtar. Zoti Rama madje e ka cilësuar ngjarjen e Banjskës si “akt terrorist” duke bërë një hap para, ose pas, varet sesi e sheh, nga qëndrimet apo termat e përdorur më herët. P.sh në datën 14 dhjetor, zoti Rama do të shprehej ndër të tjera:

Se çfarë ndodhi në Banjskë dhe shpallja e zisë kombëtare që pasoi për vrasësist e Afrim Bunjakut jo vetëm që ishte një ngjarje asnjë lidhje me vlerat europiane, por ka lëkundur besimin dhe ka vënë në pikëpyetje edhe linjën e gjatë të kredisë në kuptimin politik që Unioni së bashku me vendet e tjera të rajonit përjashtuar Kosovën, në këtë rast, i kanë dhënë Serbisë për ta nxitur që të përfshihet përfundimisht në anën e duhur të historisë së këtij rajoni dhe për të mbajtur sa më larg zjarrin e përhapjes së konfliktit që ka shpërthyer në Ukrainë

Më tutje, pra disa kohë më parë, kryeministri Rama do të shprehej kur pyetej për kërkesën për sanksione ndaj Serbisë, do të shprehej ndër të tjera se:

Shqipëria nuk është për t’i mbajtur iso atyre që thuhen në Prishtinë

Deklaratë kjo e bërë nga samiti i Granadës.

Më 12 tetor, zoti Rama, deklaroi nga Kuvendi i Shqipërisë se:

Shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, mu si hija që e ndjek kudo njeriun, sapo del drita

Siç shihet terminologjia e përshkrimit të ngjarjeve të Banjskës ka lëvizur jo pak në 2 muaj dhe ajo detyrimisht që do të lidhet edhe me evidentimin e përgjegjësive që shkojnë në Serbi.

Dalja me kërkesë publike për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë ilustron në të vërtetë jo një ndryshim të qëndrimeve të z. Rama, por një refleks që vjen nga Brukseli për Beogradin, sidomos në dritën e zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 17 dhjetorit. Politika e z. Rama është e thjeshtë dhe ajo i përmbahet një parimi që buron nga karakteri i tij dhe jo interesi i Shqipërisë:

Afër të fortit, afër suksesit, larg problemeve.

Ka patjetër diçka utilitare në këtë lloj filozofie, por ajo përjashton në vetvete konceptin e mikut, armikut, partnerit etj.. Ajo lidhet me koniunkturën, momentin, imazhin e kështu me radhë, të gjithë katalogun e cilësive që ka manifestuar ky individ në jetën publike.

Dëgjojeni në konferencën e sotme: nuk merrem me dikë që është shpallur non grata nga SHBA. As shoh ëndrra me të dënuar. Për Berishën kjo.

Kur u pyet për Ilir Beqajn, toni i zërit ndryshoi. Kur u pyet për McGonigal, zi ra edhe një ton më poshtë, për pak u bë bas.

Çfarë na thotë se lëvizja nga një pro-serb në një kryeministër neutral, apo ca më keq me qasje kundër qëndrimeve të Serbisë, nga një profet i ndarjes së Kosovës, apo një Republike të KFOR-it, në një politikan që nuk sheh më asnjë problem te Prishtina veç rivalitetit me kryeministrin e atyshëm, është asgjë më shumë sesa një politikë e intuitës dhe e mungesës totale të një busulle morale, por edhe një skrupuloziteti etik që vlen edhe për magjinë e jetës së këtij njeriu: Dukjen.

Për ata që rendin të thonë se Rama është objektiv dhe parimor, se te qëndrimi ndaj Serbisë e udhëheqin interesat dhe e Mira, dotë duhet të kujtojmë se parimi Aristotelian që zgjedh të Vërtetën para Platonit, nuk aplikohet pasi ne e njohim zotërinë në fjalë. Ai është kampioni i braktisjes së tjetrit, sepse Kompleksi I inferioritetit është shtysa themelore e tij për protagonizëm. Si mund të shpjegohet ndryshe që çdo projekt I politikës së jashtme ku del ky person dështon?

Për të mbetur te Kosova dhe rajoni: thirrja e tanishme e z. Rama për sanksione, kur Aleksander Vuçiç është në ditët më të vështira të marrëdhënieve të veta me Perëndimin, nuk do të kalojnë pa u shënuar në Beograd dhe kjo vlen për të kuptuar se nismat e bashkëpunimit rajonal kanë vdekur tashmë zyrtarisht dhe praktikisht. Se fanfarat e një kohe të re, të miqësisë serbo-shqiptare, përfunduan njësoj si nismat e tjera të mëhershme, në realitetin e ftohtë të një marrëdhënieje që nuk shkon dot përtej domosdoshmërisë për një korrektesë fqinjësh që duhet të caktojnë mirë dhe qartë kufijtë e tyre. Kimia e Aleksandrit me Edin nuk aplikohet dot as formalisht mes serbëve dhe shqiptarëve edhe sepse mesa duket shqiptarët dhe serbët janë më të vërtetë në prapësinë e tyre, apo edhe identitetin sesa z. Rama që siç thotë vetë është venecian, kroat, raguzian, mirditor, tropojan për disa, vuniots, beratas e sipas disa të tjerëve edhe vllah.

Ngjan gati jo si idhtar i miqësisë shqiptaro -serbe nga pozita e një shqiptari, por si homo balcanicus që ndërmjetëson mes dy kombeve. Një rol që nuk ngjit dhe kjo është e qartë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.