Falë fshatit kam një mendim më të gjerë për njeriun

Postuar në 27 Nëntor, 2023 16:37
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Lindita Keli Ottarson, është padyshim si ato surprizat, brenda çokollatave të fëmijëve kinder surprise. Madje përfytyrimi, që më vjen më shumë ndërmend, është ai i matrioshkave prej druri, ashtu të futura nën njëra-tjetrën. Sa herë, që ti hap një, gjithmonë e më tepër matrioshka të madhësive të ndryshme ndodhen brenda së njëjtës matrioshkë. Lindita është ndoshta shqiptarja e parë, që u vendos në Reikjavik të Islandës në fillim të viteve ‘90 dhe ku mori formimin e saj akademik për kanto. Por, ajo çka më mahniti më shumë ishte energjia e saj vitale për të kombinuar detyrimet e saj si nënë e tre fëmijëve dhe në të njëjtën kohë të ndjekë ëndrrat e saj profesionale, në një vend si Islanda, ku ngjan me mbërritjen e njeriut të parë në hënë.

Saga islandeze e Linditës do të pasohet nga ajo norvegjeze, ku prej 18 vitesh Norvegjia është atdheu i dytë i saj nordik. Aty, ajo ka krijuar grupin “Koralb”, që këndojnë këngë popullore shqiptare në trajtë zërash koralë. Por nervi artistik i Linditës nuk përfundon vetëm te veprimtaria e saj artistike. Nëse do të kishte një çmim për gratë shqiptare të diasporës, Lindita do e meritonte padyshim një të tillë.

***

Ende dhe sot ruaj në kujtesë fustanin lino të mësueses sime rioshe e bukurane të shkollës “7 nëntori” në Berat. Tashmë kjo shkollë nuk ekziston më, e kanë bërë rrafsh, sepse pengonte arkitekturën e lagjes muze të qytetit, Mangalemit. Kur isha në klasë të parë erdhën dy mësues nga shkolla e muzikës, një pianist dhe një violinist. I thonë mësueses sime: “Na jep disa fëmijë, që kanë vesh për të kënduar se do t’i marrim diku”. Në atë kohë, s’kisha parë asnjëherë piano në jetën time. Mbaj mend një lloj frike, frikën që u shkaktohet fëmijëve nga e panjohura, e vetme, pa shoqërinë e prindërve, me dy të huaj, që po na çonin të na provonin veshin. 

Pasi kaloje ndërtesën e Hotel “Tomorit” në Berat, të ashtuquajturin Turizmi, ishte njësoj si të kaloje kufirin, hyje drejt një zone të panjohur. Dega e pianos sapo ishte hapur, pasi deri në atë kohë kishte vetëm degë violine. Brenda së njëjtës ditë, më duhej të bëja mësimet e zakonshme në shkollën time të parë dhe pas mbarimit të shkoja te shkolla e muzikës, pra ndiqja dy shkolla. Për tetë vjet studioja piano çdo ditë, nga një orë. Ngaqë s’m’u dha mundësia të vazhdoja për asnjë instrument, ndoqa studimet për gjuhë letërsi në Tiranë.

Më pëlqeu Tirana, por e përjetova këtë ndjesi me një lloj kompleksi, atë të provinciales së kujdesshme, që vjen nga një vend i vogël. Tiranasit atëherë në fakultet, ishin një lloj klike, madje shumica e tyre as të përshëndesnin. Në Islandë, ku jetova për shumë vite, nuk përjetova asnjëherë një lloj distance e dallimi. Nuk ekziston koncepti i fshatit, nuk ka rëndësi nëse vjen nga Reikjaviku ose jo. Por, edhe në Norvegji ku jetoj aktualisht, secili ka krenarinë e vendit nga vjen dhe të dialektit, që flet. Kur mbarova studimet në 1987-n, u emërova mësuese e shkollës së mesme në fshatin Kutalli të Beratit, por pavarësisht se më pëlqente mësimdhënia punova vetëm një vit, pasi pastaj fillova punë në Komitetin e Rinisë.

Fshati më ka shpëtuar si njeri, sepse falë fshatit kam një mendim më të gjerë për njeriun. Mënyra si jetonin në fshat, në sytë e mi përbënte një lloj barazie, një lloj demokracie. I flisnin njëri-tjetrit në emër, fëmijët ishin mësuar me punë që të vegjël, çoheshin herët, qenë më tokësorë, më të lidhur me tokën. Fshati më jepte lirinë, e cila më mungonte në qytet. Ato vite kanë lënë shumë gjurmë tek unë dhe u kam kushtuar një seri rrëfenjash të shkurtra personale, në faqen time letrare “Rrëfimet e Linditës”.

Vitet ’80 dhe fillimi i viteve ’90, përkuan me vdekjen e parakohshme të babait. Në Shqipëri jemi shumë të prirur nga tradita, çdo gjë merr përmasa të tepruara, nuk e lënë njeriun të mbajë zi, ta procesojë në mënyrën e vet. Procesin e zisë e kam përjetuar ndryshe, me mënyrën time. Shkonim çdo të djelë në varreza. Si e vogla e shtëpisë lulet m’i jepnin mua. Unë i mbaja poshtë, që të isha e padukshme rrugës, mos të tërhiqja vështrimet e djemve të rinj. “Mos i mbaj sikur i ke vjedhur”, më thoshin. Ku shkonim në varrezë, nga reparti ushtarak përbri, dëgjohej deri në kupë të qiellit emisioni i së djelës; më shumë dëgjohej muzika sesa të qarat, duhet të qanim në kor. Dashur padashur, jam mësuar me largimet, me humbjen e njerëzve, humbja e tyre sikur më përgatiti të bëhem më e fortë. Kohët e fundit jam njohur me filozofinë e stoicizmit, që të parapërgatit për gjërat e dhimbshme, për humbjen.

Në vitin 1992, ka pasur një krizë të madhe shpirtërore, idhujt e dikurshëm u shembën. Pikërisht në atë kohë u njoha më bashkëshortin tim islandez, kur erdhi në Shqipëri si pioner i fesë Bahai. Mbaj mend kur u hap kisha e Shën Spiridhonit në Goricë të Beratit dhe habinë e atyre që më pane, sepse në atë kohë punoja në Komitetin e Rinisë. Pavarësisht se rrënjët e mia nuk ishin ortodokse, u përpoqa të gjeja një lidhje mes meje e ikonave. Por nuk e gjeta, besimi për mua është diçka që vjen nga brenda vetes. Kur u njoha me bashkëshortin tim aktual, më pëlqeu se ishte ndryshe nga njerëzit, që kisha njohur më parë. Në verë të vitit 1993 fluturova për në Reikjavik, përmes Frankfurtit. Kur mbërrita te check -in, dy punonjës të rinj gjermanë, po e këqyrnin me vëmendje pasaportën time. Më dukej sikur po bëja diçka ilegale, aq sa nuk durova dhe e tensionuar i pyeta se përse po e shikonin kaq gjatë. Gjatë kohës që prisja aeroplanin, dëgjoja njoftimet e ndryshme, e kanë me mua mendoja, do të më dalë emri në altorparlant e do të  thonë “Lindita Ottarson të paraqitet te kontrolli”.

Mbërrita në qershor në Islandën e 7 gradëve, me një fustan të hollë, pa ditur kurrfarë gjëje për këtë vend. Jetuam 12 vjet në Reikjavik. Të tre fëmijët e mi, dy vajzat e djali lindën aty. Islanda ishte në krizë atëherë, në fillim s’kishte punë. Isha gati të bëja çfarëdolloj pune ndaj dhe një ditë iu drejtova një fabrike peshku, e veshur sikur kisha dalë nga kutia e kukullës, me xhup rozë, fund me lule e këpucë të bardha. Kuptohet, që drejtori mori Ollgën që vinte nga Polonia e jo Linditën “rozë”, që vinte nga Shqipëria. Gjuhën islandeze e mësova në një familje islandeze, ku bëja babysitting. Më vonë, arrita të gjeja punë në një kopsht fëmijësh, ku m’u njoh e drejta e mësuesisë me diplomën shqiptare. 

Shqipëria ka qenë kaq keq gjatë viteve ‘90, sa mendova që do ta duroj me çdo kusht motin e keq të Islandës. Për shkak të klimës m’u prish tërësisht sistemi i veshjes, e harrova Linditën mesdhetare. Imagjino, fryn aq shumë erë në Islandë, sidomos para ndryshimeve klimatike, sa edhe shiu bie pjerrtaz, duhet të mbahesh pas një shtylle, që mos të të fluturojë era. Isha shumë e etur për ta njohur këtë vend, shumë ndryshe nga Shqipëria dhe me njerëz shumë të mirë. Në fillim flisnim anglisht mes nesh, pastaj vetëm islandisht me bashkëshortin. Në vitin 1995 kalova me sukses një audicion dhe vendosa të vazhdoj shkollën e muzikës, mbasditeve, pas orarit të punës. I jam shumë mirënjohëse Alina Dubik, mësueses sime të kantos, sepse ka ndikuar jashtëzakonisht në zhvillimin e talentit tim.

Shkollat e muzikës në Islandë e kanë pragun e kalimit më të ulët, nuk është si në Shqipëri, që duhet të jesh e martuar me instrumentin, që të kesh mundësi të vazhdosh më lart. Më pëlqente të këndoja arie, kisha një zë melodioz, por të papërpunuar. Kur isha studente në Tiranë kërkoja të lexoja partiturat, serenatën e Shubertit e këndoja në shqip, pasi një pjesë e operave ishte e përkthyer. Vajza ime e parë, Hulda Elira ka dëgjuar shumë muzikë gjatë kohës sime të shtatzanisë. Nuk u mjaftova vetëm në një shkollë, por u regjistrova edhe në një shkollë të dytë muzike, që të konsolidoja e pasuroja formimin tim teorik. Isha bërë nënë për herë të dytë, por kjo nuk më dekurajoi të ndiqja dy shkolla muzike, sapo lija vajzat në kopsht, rendja drejt bankave të shkollës. Rrija në bankën e parë, çfarë lumturie! Të jep një lumturi që s’e ke ndjerë më parë, më e re. Sepse kur je në moshë më të madhe, e bën me dëshirë, ke pjekurinë e duhur. Studiova për nëntë vjet ndërkohë që linda fëmijën e parë, të dytë dhe të tretën. Mbaj mend që isha shtatë muaj shatzane me fëmijën e tretë kur dhashë koncertin e paradiplomës. 

Pas lindjes së Miriamit, vajzës sime të dytë, erdhën dhe refugjatët e parë nga Kosova në Islandë. Në atë kohë kisha arritur në një nivel shumë të mirë të islandishtes dhe më kërkoi Kryqi i kuq dhe Minitria e Punëve Sociale t’u jepja mësim refugjatëve për 9 muaj. “E bekuar qoftë lufta”, kanë një shprehje në Islandë, që është pak e hidhur dhe e ashpër, ç’ njerëzore në plan të parë. Kjo ndodhte, ngaqë sa herë që bëheshin luftra në Europë, Islanda përfitonte, pasurohej, eksportonte mishin e saj, hapeshin vende pune, krijohej një lloj begatie. Mua lufta në Kosovë, më hapi një derë të jashtëzakonshme për të dhënë mësim, por edhe të punoj si përkthyese.

Pas 12 vitesh jetese në Islandë, vendosëm për shkak të klimës më të mirë e mundësive të reja, të jetojmë në Norvegji. Tashmë prej 18 vjetësh, jetojmë në Drammen të Norvegjisë, 45 minuta larg nga Oslo. Norvegjishten e ndërtuam mbi islandishten, ishte më e lehtë për ne, sepse islandishtja konsiderohet norvegjishtja e vjetër. Fill pas tre muajsh qëndrimi në Norvegji, nisa të lexoj roman në norvegjisht. Edhe në Norvegji punoj në një kopsht me fëmijë 3-5 vjeç, ngaqë e ndiej, se kam për të dhënë shumë më tepër nga vetja te fëmijët.

Në Norvegji, iu ktheva sërish këngës shqipe, ndoshta malli për rrënjët. Në Islandë e kisha ende kompleks, një ndjenjë turpi për të kënduar këngë popullore, se kënga popullore të tregon të zhveshur. Rastësisht njoha një kitarist kosovar, Agron Penin, tingulli i kitarës së të cilit më pëlqeu shumë dhe vendosëm të bëjmë një album bashkë, që doli për herë të parë në Prishtinë. Albumi përbëhet nga 6 këngë, “O kujt t’i qahem”, “Asaman”, “Pranvera filloi me ardhë”, “Kur më vjen burri nga stani”, “Lulja, o lulëza ime”, “Fluturës”.

Vitet e fundit, kam zbuluar dëshirën time për akuarelin duke vizatuar me fëmijët në kopsht. Më intereson veçanërisht shprehja e fytyrës njerëzore. Kjo dëshirë shpërtheu, gjashtë javë pas një operacioni të vështirë që kisha, ndjeja që duhet të merresha medoemos me diçka, se ndryshe do të vdisja. Sa herë, që shihja vepra arti kisha një lloj gulçi, sikur më merrej fryma, një lloj ah-u. Vjehrra ime më dha një libër pikture, ulesha çdo natë e ndiqja kurse online. Fillova të kuptoja kombinimet e ngjyrave, sikur muzika, që vinte nga kufjet më drejtonte dorën. Ka qenë terapi e madhe për mua piktura, kromoterapi, terapi ngjyrash. Pylli është i pranishëm në të gjitha pikturat e mia. Kam hapur dy ekspozita akuareli, një në Shkodër e një në Berat dhe kam marrë komente inkurajuese.

Në vitin 2018, me iniciativën time u krijua kori i parë vokal në Skandinavi, Koralb. Kori përbëhet nga 14-15 zëra, repertori është vetëm me këngë shqiptare dhe kemi realizuar shumë koncerte deri në tani në Norvegji. E filluam me tre të vogla dhe më pas arritëm të zhvillojmë koncerte në sallën më të madhe të Drammen, në Oslo, koncerte mbresëlënëse për një kor amator. S’kanë ditur të gjithë që në fillim të këndojnë, por kanë ecur jashtëzakonisht. Ia kemi dalë mbanë më së miri, pavarësisht se nuk kemi pasur asnjë mbështetje institucionale nga përfaqësitë diplomatike shqiptare në Norvegji. Së fundi, kam filluar të jap mësime falas mbi gjuhën shqipe në Drammen një herë në javë. Motoja ime është të kontribuoj si dhe me çfarë të mundem.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mbreselenes jeteshkrimi jua.Nje grua e forte mund t'ja dale me sukses.
Ndaj te njejtat konsiderata me ju per fshatiin pasi edhe une kam punuar gjashte vjet.
Nderim dhe respekt per cdo shqiptar qe ja del kudo ndodhet.
Fshati me ka shpetuar si njeri sepse fale fshatit ksm njohur me thelle njeriun.

Submitted by Rilindje (not verified) on

Shume bukur.
Kemi nevoje për lajme te tilla.

Submitted by Lindita (not verified) on

Ju falenderoj!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.