Rutte bashkon pikëpamjet anglo-saksone me Europën Kontinentale

Postuar në 01 Nëntor, 2023 19:24

Kryeministri holandez, Mark Rutte, është një nga favoritët e hershëm për postin e shefit të NATO-s. Në rrugën drejt zyrës së kreut të aleancës ushtarake të Perëndimit, Rutte ka dy pengesa fillestare: rekordin e varfër të Holandës në shpenzimet e mbrojtjes dhe faktin që është mashkull.

Tre zyrtarë të lartë europianë, në kushte anonimati, kanë pranuar për Politico se Rutte pritet të marrë mbështetje të gjerë. Njëri prej tyre parashikon se ai do të mbështetet nga vendet e krahut lindor.

"Rutte sjell avantazhin e të qenit një politikan me shumë përvojë nga një vend që tradicionalisht ka qenë një brez transmetimi midis pikëpamjeve anglo-saksone dhe të Evropës Kontinentale. Ai mund të shihet nga vendet më të mëdha anëtare [NATO] si një zgjidhje e mirë kompromisi," thotë Ben Schreer, drejtor ekzekutiv i zyrës në Berlin të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Megjithatë, zgjedhja në këtë post është çështje marrëveshjesh të brendshme dhe lobimit për të fituar mbështetjen unanime të të 31 anëtarëve – gjë që jo gjithmonë favorizon ata që janë kandidatët e hershëm. Shefi i NATO-s duhet të marrë edhe miratimin nga Shtetet e Bashkuara, anëtari më i rëndësishëm i aleancës. Por tani për tani, te ligjvënësit e Uashingtonit, Rutte ka pak vëmendje.

Holandezi 56-vjeçar që drejton ekonominë e pestë më të madhe të BE-së prej 13 vjetësh, është përfolur prej kohësh si politikani i interesuar për karrigen kryesore në NATO, duke pasur parasysh se karriera e tij në politikën kombëtare do të përfundojë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vendit më 22 nëntor. Të dielën, ai foli për ambiciet e tij në një intervistë me radiostacionin Den Haag FM, duke thënë se puna e sekretarit të përgjithshëm "do të ishte interesante pasi do të ofronte mundësinë për të kontribuar për disa vite në skenën ndërkombëtare në një periudhë të ndryshimeve dramatike globale”.

Qeveria e Rutte-s është pozicionuar me kujdes si një nga partnerët më të besueshëm të Ukrainës.

Megjithëse Holanda vazhdoi të blejë gazin rus të tubacionit derisa u ndërpre nga Gazprom në maj të vitit të kaluar, Rutte është zhvendosur gradualisht në kampin skeptik ndaj Rusisë – një dinamikë e përshpejtuar nga rrëzimi i fluturimit MH17 të Malaysia Airlines në vitin 2014 nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Avioni ra mbi Ukrainën lindore, duke lënë të vdekur 198 qytetarë holandezë.

Kryeministri holandez i ka “lustruar” kredencialet e tij transatlantike duke u bashkuar me administratën e Biden për ndalimin e eksporteve drejt Kinës të pajisjeve të avancuara të prodhimit të gjysmëpërçuesve – edhe pse vendimi anashkaloi rrugën (më të ngadaltë) të politikëbërjes së BE-së dhe zemëroi gjigandin holandez të mikroçipëve ASML.

Detyra më e rëndësishme për pasardhësin e Stoltenberg, megjithatë, do të ishte menaxhimi i një presidence tjetër të Trump. Gjatë mandatit të parë të Trump, marrëdhëniet SHBA-Holandë ishin relativisht të qëndrueshme. Megjithatë, duke marrë parasysh planet e Trump për ta tërhequr SHBA-në nga NATO, gjërat do të komplikoheshin.

Trump i ka kritikuar ashpër vendet e NATO-s për shpenzimet e ulëta në mbrojtje dhe Holanda është ndër të parat në këtë listë. Në vitin 2014 ajo shpenzoi vetëm 1.14 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen, ndërsa aleanca ka një objektiv shpenzimi prej 2 për qind. Këtë vit, Haga do të shpenzojë 1.7 për qind të PBB-së dhe ka rënë dakord të shpenzojë 2.03 për qind në 2024 dhe 2.01 për qind në 2025.

Një pengesë më pak e kapërcyeshme për Rutte është të qenit mashkull. Që nga krijimi në vitin 1949, NATO është drejtuar gjithmonë nga burrat. Nëse e merr këtë detyrë, Rutte do të ishte holandezi i katërt në këtë post, duke mposhtur të gjitha kombësitë e tjera.

"Ka një shans shumë të madh, duke pasur parasysh mbështetjen politike për të, që kjo detyrë t'i shkojë një gruaje evropiane," tha Rutte në intervistën në radio. “Gjë që gjithashtu do të ishte shumë mirë”.

Deri më tani, për rivalet femra era fryn në anën e kundërt.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, është një nga zërat kryesorë në botë për mbështetjen e Ukrainës, por disa në Evropën Perëndimore dhe në SHBA besojnë se një lider balltik i NATO-s do të ishte shumë provokues për Moskën.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, është një tjetër kandidate e përfolur, ndonëse disa vende të NATO-s ngurrojnë në emërimin e një sekretari të përgjithshëm nordik për të tretën herë radhazi pas Stoltenberg dhe kolegut danez, Anders Fogh Rasmussen.

Ndërkohë, Franca e ka bërë të qartë se lideri i ardhshëm duhet të jetë nga Bashkimi Evropian, duke vënë veton ndaj peshave të rënda si zëvendëskryeministrja kanadeze, Chrystia Freeland, e cila është me origjinë ukrainase, si dhe ish-sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Kësaj liste i shtohet edhe emri i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, megjithëse ajo aktualisht aspiron për një mandat tjetër në detyrën kryesore të BE-së.

Të gjitha këto, tani për tani, e lënë Rutte në një pozicion të favorshëm në garë – megjithëse rruga mund të rezervojë të papritura.

Rutte ka dhënë prova se mund të bashkëpunojë efektivisht me parti të ndryshme në qeveritë e njëpasnjëshme të koalicionit holandez, si dhe me udhëheqës të tjerë të BE-së dhe me disa presidentë amerikanë.

Kjo mund të jetë njëkohësisht karakteristika e tij më pozitive dhe dobësia më e madhe.

"Ai nuk do të godasë tryezën me grusht dhe nuk do t’i frikësojë të tjerët që të ndjekin pozicionin e tij. Ai vetë ka thënë se i mungon vizioni dhe nuk është një mendimtar i thellë për Evropën... [Rutte] do të jetë i pranueshëm për shumë njerëz, por çështja është nëse ai do të jetë me të vërtetë njeriu që do t’i shumëfishojë forcën NATO-s, diçka që tani i duhet më shumë se kurrë", thotë Rem Korteweg, studiues në Institutin Clingendael, në Holandë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.