Një mazhordom part time në OKB

Postuar në 20 Shtator, 2023 17:50

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka publikuar sot në faqen e tij në Facebook një foto nga oborri i selisë së Kombeve të Bashkuara. Të jetë foto rastësore, e shkrepur me "sy artisti" nga dikush prej stafit, apo z. Rama po pozon?

Vetëm kur imagjinon një kryeministër që pozon për një foto Facebook, vetëm, si artist, shtetar, vizionar, aty për Shqipërinë në qendrën e botës, mund ta kapësh gravitetin e sëmundjes. E gjendjes Trans ku ndodhet politika. 

Si pjesë e rëndomtë e propagandës personale, shoqëruar mandej me tituj komikë nga videot live: Rama, debat me ambasadorin rus në OKB, fotoja në fjalë konfirmon sesa pak serioze është politika shqiptare, se ajo nuk arrin as në 100 vjet shtet të maturohet dhe sesi delirantët dhe kllounët që kalojnë nga qeveria e saj nuk mbarojnë ndonjëherë.

Shqipëria nuk ka kurrfarë roli thelbësor në atë që ndodh sot në OKB. Të mos jemi naivë. Kryeministri e di këtë shumë mirë, ose do të duhet ta dinte, por luan për konsum të brendshëm, për të ndërtuar obeliskun e vetes përballë një shoqërie që sa vjen e pranon të dorëzojë edhe sovranitetin e fundit që ka: atë të arsyes.

Shqipëria nuk ka kurrfarë roli në këtë botë ku jetojmë, jo vetëm për shkak të madhësisë së saj, por sepse ajo nuk përfaqëson asgjë më shumë sesa një kufi politik në hartë. Ajo nuk e marketon dot veten për asgjë, sepse i tillë ka qenë raporti ynë me zhvillimin, modernitetin: një vazhdim i feudalizmit dhe vasalitetit. Me zgjedhje.

Sa fatkeqësi, aq edhe dritshkurtësi. Sepse ky delir i kaluar për sukses, po tërheq zvarrë një shoqëri të tërë në deliret e një zhvillimi imagjinar, që ka nisur të ndërtojë një identitet laraman ku hyn krimi, autoktonia, horrllëku dhe gjithfarë gjërash që në të vërtetë i qetësojnë shqiptarit të sotshëm kompleksin e të qenit i fundit në botë dhe i përjashtuar nga pushteti i të mëdhenjve.

Kjo është e rëndë për një shoqëri si jona që do të duhet të lërë mënjanë një herë të vetme kostumet që vesh sipas nevojës e të shohë veten për atë që është. Është e rëndë kjo hipnozë e dikujt që nuk e di se çfarë do e çfarë është, e që shërbehet me dozat e përditshme të këtij kllouni, që pason atë kllounin tjetër që fliste për vendin e dytë pas Gjermanisë. E me radhë deri te klasikët e Komunizmit, apo monarkët që kanë lidhje me Skënderbeun.

Njësoj. Dhe pas mbetet përjetësisht një Shqipëri rrënojë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Presidenti Zelensky jam mirënjohës për prezencën tuaj këtu. Fjalët e tua të forta përcjellin qartësisht së bashku dhe vendosmërinë tuaj kurajon.
Kryeministri Edi Rama ka debatuar me ambasadorin e Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, gjatë mbledhjes së sotme.

Shqipëria e përfaqësuar nga Rama drejton sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën bën pjesë edhe Rusia.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se përfaqësuesi i Rusisë po provokonte dhe po fliste për tema që nuk kishin lidhje me takimin. Nebenzya: Ju po veproni si kryetar i Këshillit të Sigurimit, nuk po flisni si përfaqësues i Shqipërisë. Objektivi juaj është të zhvilloni një takim siç sanksionohet në rregullore.
Rama: Sapo ju përgjigja pasi mu drejtuat si kryeministri shqiptar dhe pasi filluar të thonit gjëra të pasakta lidhur me atë çka është procedura këtu. Nëse nuk doni që t’ju përgjigjem në cilësinë e kryeministrit shqiptar, mos më provokoni.
Nebenzya: Zoti kryetar ju drejtohem vetëm si kryetar i Këshillit të Sigurimit, asnjëherë si kryeministër, ju lutem përmbahuni nga vlerësimet politike.
Keshtu e percjell lajmin kolegu yt i lapsit.
Nuk besoj do thuash qe eshte dashnor i Rames.
Por ka ca limite. Ku eshte komikja ne gjithe kete? Se mua sme ben per te qeshur. As per te qare - per carità. Eshte nje situate normale ne nje mbledhje te veshtire te KS. Te cilen kryeministri e percolli me zotnillik. I cili ty te mungon totalisht. Te mbyti vreri o i shkrete. Fle me gogolat besoj. Je bo per dhimse.

Submitted by redaksia on

Pranohen te gjitha. Edhe qe mund ta kem gabim gjithe kohes, ne cdo shkrim. Apo opinion. Por me fal: Zotnilleku i ketij?! Ai lloj zotnilleku mendoj se u mungon shume njerezve. Por nuk ka rendesi fare kjo teme ne te vertete. 

Submitted by Anonymous (not verified) on

E nis me foton! Fotoja eshte shume e gjetur, eshte e bukur, eshte per marketing – po pse nuk duhet ta beje ai marketingun politik? Thua qe: “Shqipëria nuk ka kurrfarë roli thelbësor në atë që ndodh sot në OKB.“ Shqiperia po drejton punimet e asamblesese OKB dhe ky eshte nje rrol. Po jetojme kohe ku gjerat jane nen trysni, jane nen presion, dhe debati politik eshte stresues per te gjithe ato qe miren me politike. Edi Rama ishte jo ne lartesine e me te medhnjve, po ishte ne elementin e Burrit te Shtetit si politikan. Ne dy minuta beri nje permbledhje si burre shteti, ku tregoj nje profil te larte politik duke ngritur problemet e shqetesimet si perfaqsues i Shqiperise, po dhe duke treguar profil politikani te kompletuar me nje ligjerim debati plot logjike, duke vizatuar ne substance problemin qe po jeton bota dhe duke e denuar ate. Si mund ta injoronte Edi Rama strukturen e problemit, strategjine politike imperiale te sulmeve ushtarake dhe situaten ne Kosove, jo vetem si principe njerzore po dhe si ligjesi nderkombetare, po mbi te gjitha si shqiptar ku jemi direkt nen rrezen e veprimeve te agresioni rus. Edi Rama shkelqeu ne fjalen e tij. Ai eshte i zoti ne retorike dhe mund ta mbulonte cdo gje ne mjegull duke ju shmangur fjalimit konfrontues, po ai zgjodhi ligjerimin ne emer te lirise e demokracise dhe mire keshtu. Po dhe ai njeri eshte dhe kur e meriton duhet ta themi qe doli shume mire ne fjalen e tij ne OKB. Kaq kemi ne ne dore te mbajme qendrim me profilin tone.

Submitted by Robert (not verified) on

Edi rama është fatkeqësi që egziston, për ne në rradhë të parë, por edhe për më larg. Është iluzionist brenda anakronizmit dhe deziluzionit, ka sens të gabuar të realitetit. Skerdilajdi e ka detyrim nga profesioni ta ndjekë e ta dëgjojë, po ju të tjerët sju kuptoj si e dëgjoni? Apo pjesë e masturbimit, se për gjë tjetër svlen, sidomos për mendimin, elokuencën, retorikën që e zotërojmë të gjithë ne që mbaruam shkollat në RPSSH, ku na e mësuan gjuhën shterpe letrare dhe na ngopën me stilistikën publicistike alla qemal stafa.
Për Edin nuk pyes as për Zot por lutem të zhduket një ditë e më parë nga faqja e dheut. Për idiotin narcist që snjeh modesti, që vetëkënaqet vetëm me vete, me letrat murale të zhgarravinave të tij dhe me veprat katastrofike arkitektonike si mustarda pas 15 katëshit hotel tirana, pemës së betonit ngjitur me gjykatën e lartë, stadiumit me emër linje ajrore dhe kullë, etj.
Mjerë ju o syleshë!

Submitted by Qerrja e Tait (not verified) on

Ti paske ikur me kohe o Berti. Shume ankesa paske.
Letersine e quan shterpe. Kur ne kohen e sociializmit mund te lexoje shume vepra letrare te perkthyera ne gjuhen shqipe, biles me shume se sot. Cvajg, Toldtoin, Shekspirin, Danten, Hemingwein etj etj.
Ankohesh per beton e per picture, per stadium e soj......
Ndoshta eshte lajthitje e rastit.
Kryeministri na ka nderuar ne OKB dhe per kete, aleatja jone SHBA e nderon dhe e perkrah ne postin qe ka.

Submitted by Robert (not verified) on

Qerre lexo, mëso, eduko sensin e kritikës dhe estetikës, se kushedi ndo jë ditë bëhesh edhe karrocë!
Derri lopët atyre që pëlqejnë riikthimin e autoritarizmit në shqipëri!

Submitted by Asterisk (not verified) on

Rama tregoi nje guxim pak te tepruar do te thosha per te thene, qe une nuk jam rob i Rusise dhe thjesht dua ta kem mire me Ameriken. Pak si atehere kur deklaronte para shtepise se bardhe qe do ishte fatkeqesi qe amerikanet te zgjidhnin Trumpin.
Qe te kuptohemi, jo, ne ato qe tha ne keshill, nuk ka asgje qe nuk shkon, perkundrazi, por ketu qendron kleçka. Fjalet dhe vendimet ne keto keshilla nuk i thone llapazanet por ata qe per momentin e kane 'topin' me te madh dhe mbeshteten nga aeroplanmbajtese, perndryshe ka me mijera e miliona qe te marrin gjak ne vetull me fjale. Gjithsesi, atij fjalen i dhane dhe ai fjalen perdori. Topat e avionet ka kush i perdor.
Deri ketu, mire, dhe kaq. Nese opozita ne AL do ishte konstrukltive kjo Rames as nuk do i hiqte dhe as do i shtonte pike ne shtepi. Ne fund te fundit nuk do e votojne ukrainasit por albanezet, dhe per ta ka rendesi se sa i ka shtuar ne pjate. Nese kjo eshte pozitive do t'i marre ato vota, ne te kundert, ... ja japin Sala e Likja si shperblim per t'i mbajtur jashte burgu e ne politike aktive.

Submitted by Fillestari (not verified) on

Hamleti thotë "është e rrezikshme kur të vegjlit futin kokën aty ku më të fortët kryqëzojnë shpatat".
Sigurisht shqiptarët duhet tu bëjnë qejfin perëndimorëve dhe amerikanëve në veçanti. Është po ashtu e drejtë të mvash anën e Ukrainës, viktimë në këtë konflikt.
Por të dalësh me flamur dhe për qoftë dhe një minutë të vetme të dalësh me flamur kundër një fuqie globale, në një luftë që nuk ka pikë rëndësie për Shqipërinë dhe shqiptarët është marri.
Nesër Amerikanët mund të humbasin krejt interesin për Europën. Pushtetin pastaj mund ta marrë prapë Trump që bën pazarllëk pa ju dhimbsur askush e asgjë. Ndihma perëndimore që sot trimëronë kryeministrin mund të zhduket për një vit. Askush nuk mund të vërë dorën në zjarr për këtë.
Në këto kushte, sa më pak të flasësh, sa më pak të bësh kot si trim, e sa më shumë punë të bësh në qetësi për të forcuar veten pa ta dëgjuar zërin kundërshtari, aq më mirë bën. Ka një precedent historik të shqiptarëve që trimëroheshin nën Perandorinë Osmane, deri sa kjo e fundit nuk i mbronte dot më. Rezultati? Fqinjët kishin kohë që përgatiteshin për atë ditë dhe shqiptarët humbën gjysmën e territorit më 1913.
Një qeveri bën punë në heshtje dhe nuk llap në publik duke eksportuar dhe në OKB vrazhdësinë dhe standartet e ulëta të debatit që rëndom i shohim në parlamentin shqiptar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.