Dështimi i kundërofensivës ukrainase sjell probleme politike afatgjata

Postuar në 19 Gusht, 2023 14:56

Shërbimet inteligjente amerikane janë shprehur pesimiste mbi suksesin e asaj që u trumbetua si kundërofensiva ukrainase. Gazeta e njohur “The Washington Post” citon burime të vetat sipas të cilave objektivi për të marrë qytetin juglindor të Melitopol nuk mund të përmbushet.

Vlerësimi i zymtë bazohet në efikasitetin brutal të Rusisë për të mbrojtur territorin e pushtuar përmes falangave të fushave të minuara dhe llogoreve, çka do të sjellë debate në Kiev dhe kryeqytetet perëndimore se pse një kundërofensivë që mori miliarda dollaë në armatim perëndimor nuk përmbush synimet

shkruan gazeta.

Melitopol konsiderohet kritik për Ukrainën pasi hap rrugën drejt Krimesë dhe është në kryqëzimin e dy autostradave dhe një hekurudhe që i lejon Rusisë të lëvizë personelin dhe mjetet ushatrake. Ky dështim që është tashmë version zyrtar në tavolinë, ka pasoja politike.

Së pari mbi besueshmërinë e Ukrainës dhe kapaciteteve të saj për të marrë iniciativën në front dhe të mos lejojë që të kalohet në luftë llogoreje, e cila do të ishte e pamundur të financohet gjatë.

Së dyti ajo ka pasoja politike në Perëndim. Gazeta shkruan se për shkak të dështimit në fjalë, kongresmenët amerikanë po hezitojnë të miratojnë një paketë prej 20.6 miliardë dollarësh të kërkuar nga presidenti Joe Biden, për të pajisur me armë ushtrinë ukrainase, që deri më tani ka marrë thuajse të gjitha llojet e armëve.

Problemi i tretë, dhe mesa duket më i rëndësishmi, është simetria e furnizimit në front. Rusia që u provua se nuk ishte në gjendje të mbyllte me sukses një operacion sulmi në Ukrainë, ka ditur të qëndrojë, të krijojë vijë të stabilizuar fronti dhe të shmangë dështime të mëdha, pavarësisht ndihmës së jashtëzakonshme ndaj Ukrainës. Po kështu Rusia ka ditur të eliminojë problemet politike brenda, sidomos me lëvizjen e Prigozhin, ndërkohë që ka gjetur dy burime financimi: Kinën dhe Iranin.

Gazeta britanike “The Telegraph” raporton se Kina ka furnizuar Rusinë me metale të rralla, që kanë rëndësi për prodhimin ushtarak, ajo i ka dhënë Rusisë, dronë, helikopterë dhe pajisje optike. Kompanitë ruse të vëna nën sanksione kanë marrë furnizime nga Kina në masë të madhe, duke provuar kështu dy gjëra: së pari, se sanksionet nuk funksionojnë nëse nuk janë globale. Së dyti se Ukraina është fronti i testimit reciprok mes Perëndimit dhe Kinës, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe atë ekonomik. Ndërhyrja energjike e Perëndimit pas sulmit të 24 shkurtit 2022, e shndërroi Ukrainën në problemin kryesor strategjik të Perëndimit, duke mbivlerësuar një situatë që mund të menaxhohej ndrysh, ndoshta dhe duke lënë një mundësi daljeje. Aktualisht Ukraina nuk mund të braktiset dhe është e qartë se rezultati për të do arrihet në fushëbetejë, diçka që nuk është e pëlqyeshme dhe që nuk pranohet gjatë.

Nga ana tjetër, vetë Rusia që po sheh dështimin e kundërofensivës ukrainase, po përgatitet për një luftë në shkallë të gjerë që do të ndryshonte rrënjësisht natyrën e konfliktit dhe investimit në të. Ajo po përmirëson dronët iranianë “Shahed” dhe deri në 2025-ën pretendon se do të ketë prodhuar në Alabuga të Tataristanit 6000 njësi.

Duke nisur nga viti 2024, Rusia do të kalojë nga lëshime sporadike të dronëve Shahed në sulme më të rregullta me qindra prej tyre

citohet inspektori i OKB-së, David Albright.

Kjo do të shënonte një kthesë në vijën e frontit duke e shtuar koston e ruajtjes së armatimeve ukrainase dhe duke reduktuar kapacitetin e ushtrisë së saj. E vetmja strategji e vlefshme në këtë kontekst do të ishte goditja e objektivave brenda në Rusi, diçka për të cilën Kievi duhet të marrë leje nga furnizuesit e vet me armë, pasi në atë rast konflikti do të ishte edhe formalisht një sulm i palëve të treta mbi Rusinë. Pa folur për pasojat mbi rendin ndërkombëtar që edhe kështu është në pikën e vet fundore të besimit.  

s.zaimi

Comments

Submitted by Asterisk (not verified) on

Dobesia pro-ruse ngre aq shume krye ne shkrimet tuaja sa eshte sfide kunder llogjikes per ta quajtuar te rastesishme. Lum si ju qe i gezoheni Putanes se Kremlinit, ju qofshi. Shpresoj t'ia kete vlejtur...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.