Teoria e mallkimit të fuqisë, një shpjegim për luftën në Ukrainë

Postuar në 29 Korrik, 2023 15:29

Giulio Gallarotti, profesor i studimeve mbi qeverisjen dhe mjedisin në Universitetin Wesleyan dhe profesor ndihmës i shkencave politike në Universitetin e Kolumbias, në një intervistë për Kathimerini analizon luftën në Ukrainë, përmes teorive të gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai shpjegon teorinë e "mallkimit të fuqisë (pushtetit)", sipas të cilës të fuqishmit priren të nënvlerësojnë kundërshtarin e tyre, ashtu si Goliathi nënvlerësoi Davidin. Diakronizmi i kësaj paradigme e gjen bazën e saj në skenën aktuale të luftës në Ukrainë.

Si përkufizohet "fuqia" dhe si ka evoluar me kalimin e kohës?

Fuqia e një vendi përkufizohet si ndikimi i tij në sistemin ndërkombëtar. Unë shkruaj për fuqinë "e butë" dhe "të zgjuar" si alternativa ndaj vizioneve tradicionale të pushtetit. Tradicionalisht njerëzit kanë besuar se dikush është po aq i fortë sa muskujt që ka: Asgjë tjetër nuk ka pasur rëndësi, as paratë, armët apo resurset. Bota ka ndryshuar në mënyrë të tillë, që përdorimi vetëm i burimeve materiale në mënyrë agresive, pa e vrarë mendjen për normat dhe lojën e ndershme, ka ardhur duke u kthyer në praktikë.

Trembëdhjetë vjet më parë, në librin tuaj "Mallkimi i fuqisë", ju theksuat se shtetet që rrisin fuqinë e tyre priren të zgjedhin politika vetëshkatërruese. Si arritët në këtë përfundim?

Duke parë historinë, kombet që kishin burime të mëdha materiale dhe u mbështetën vetëm në burimet e tyre materiale në mënyra shumë agresive, treguan një model vetëshkatërrues të marrëdhënieve të jashtme. Në disa raste kemi parë sesi vende jashtëzakonisht të fuqishme dështuan vazhdimisht në arritjen e objektivave, në situata kur dukshëm kishin burime më shumë se të tjerët. Të tilla janë rastet e SHBA-së në Vietnam dhe të SHBA-së dhe Rusisë në Afganistan, por më herët edhe Athina në shekullin V para Krishtit. Në këto raste, burimet në shumicë dërrmuese i shtynë ata të përçmojnë politikat dhe alternativat strategjike më të rëndësishme; politika më të buta mund t’i kishin ndihmuar të shmangnin humbje të mëdha. Si metaforë, unë përdor historinë e Davidit dhe Goliathit në librin tim. Epërsia e Goliathit në armët konvencionale (mburojë, shpatë, shtizë) e bëri atë të neglizhonte mbrojtjen përballë një arme inferiore (guri në hobe).

Izolimi i Rusisë dhe hyrja menjëherë në lojë e vendeve si Kina apo India ngrenë shqetësime për përdorimin e fuqisë së butë kolektive. Cili është ndikimi i tij potencial në arenën globale?

Kombet në fakt mund ta kombinojnë fuqinë e tyre të vogël në mënyra që e zmadhojnë fuqinë e tyre kolektive, e cila në fund rrit fuqinë e tyre individuale. Ato e kanë bërë gjithmonë këtë në formën e organizatave ndërkombëtare. Për shembull, vendet e BRICS kanë rritur fuqitë e tyre individuale duke krijuar fuqi më të madhe kolektive përmes kësaj trupe institucionale. Në të vërtetë, kjo është mënyra se si kombet në botën në zhvillim, kombet më të dobëta, kanë konkurruar historikisht me fuqitë më të mëdha në çështjet botërore.

Shumë studiues argumentojnë se lufta në Ukrainë do të çojë në një rishikim të teorive ekzistuese politike. Mendoni se po përballemi me një rivlerësim të pjesshëm apo të plotë të asaj që është shkruar deri tani mbi teoritë politike?

Jo. Teoritë ndryshojnë shumë ngadalë në raport me kohën. Studiuesit kanë të gjitha arsyet psikologjike për të mos i ndryshuar bindjet e tyre, pavarësisht nga provat bindëse. Dy teoritë kryesore të politikës ndërkombëtare do ta shohin Ukrainën si një shembull për t’i mbështetur vizionet e tyre, edhe pse këto vizione janë mjaft të kundërta: Realizmi e sheh atë si mishërimi i tezës se përdorimi i forcës në shkallë të gjerë dhe lufta janë ende mjete të rëndësishme shtetarësh. Neoliberalët i shohin këto veprime si të pazbatueshme. Pra, nxirren mësime krejtësisht të ndryshme.

Si politolog që shqyrton çështjet dhe dinamikën ndërkombëtare, çfarë mësimesh keni nxjerrë nga lufta në Ukrainë?

Ukraina është shembulli i përsosur i logjikës time për fuqinë e një vendi. Pasojat kundërproduktive të mbështetjes së tepërt te forca si një mjet për krijimin e shtetit janë mjaft të dukshme në këtë rast. Putini mund t’ia kishte dalë shumë më mirë duke krijuar një rrugë më të butë drejt sigurisë në Evropën Lindore. Përdorimi i forcës në këtë rast shërbeu vetëm për të kompromentuar sigurinë afatgjatë të Rusisë. Me fjalë të tjera, ndërsa një qasje më e butë premtonte të gjeneronte përfitime modeste, qasja më e vështirë në fakt shërbeu për të prodhuar një katastrofë sigurie për Rusinë në vazhdim. Si rezultat, të tjera vende në Lindje dhe Veri po i bashkohen NATO-s.

Është e sigurt tani që Ukraina po hyn në projektin e Aleancës Perëndimore. Mbështetja që Putin kishte në Ukrainë mes rusëve etnikë është zhdukur. Lufta po godet ekonominë ruse. Putin ka humbur një pjesë të madhe të mbështetjes politike në Rusi. Vendet përreth Rusisë dhe larg saj kanë shumë më pak gjasa të bashkëpunojnë me të. Rusia është kthyer në një vend të izoluar nga komuniteti ndërkombëtar. Do të kishte marrë rezultate më të mira duke mos bërë asgjë për të siguruar mbështetjen e Ukrainës, kjo nisur nga fakti se kursi i veprimit të Putinit solli rezultate vetëshkatërruese.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.