Albioni nuk ndryshon/Somerset 1772 - Braverman 2023

Postuar në 30 Qershor, 2023 00:45

 Dje në Britaninë e Madhe u njoftua se tre gjykatës së Apelit kishim rrëzuar si të paligjshëm planin e qeverisë për të kaluar drejt Ruandas azilkërkuesit që hyjnë në Britani pa dokumente të rregullta. Vendimi ishte 2:1 dhe gjykatësit u shprehën se ai nuk hyn në meritën e politikës në fjalë. Thjesht në gjykimin e tyre Ruanda: 

Nuk është një vend i tretë i sigurtë dhe bie në shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut që ndalon torturën

BBC-ja e citon kështu planin e qeverisë: 

Qeveria thotë se plani do të frenojë njerëzit të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes “metodave të paligjshme, të rrezikshme dhe të panevojshme”. 

Duket për një çast se qeveria britanike është bërë me zemër e ka merakun e atyre që hyjnë me varka të vogla apo me gomone në ishull. Dhe në emër të këtij humanizmi, qeveria e Rishi Sunak ka deklaruar se do ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Supreme të vendit. 

Duke lënë mënjanë çdo gjë, kjo politikë është shumë e vjetër në atë vend. Ajo ka reminishenca të një të shkuare të errëttë atij vendi që duket se zbulon një psikozë të ngukitur thellë për Tjetrin. Po sjellim këtu një rast të vitit 1772, ashtu siç është trajtuar nga autori Domenico Losurdo në veprën e tij “Një kundërhistori e liberalizmit”, sjellë së fundmi në shqip: 

Institucioni i skllavërisë, pavarësisht se njihet, është i ndaluar në “tokën” angleze dhe është i kufizuar në hapësirën ndarëse mes botës së qytetëruar dhe asaj barbare. Mirëpo çfarë ndodh kur në pronar i bardhë sjell me vete nga kolonitë, si një e mirë e luajtshme, një nga skllevërit e vet? Kjo çështje ngjalli debat të ndezur në Anglinë e vitit 1772.

Një skllav me emrin James Somerset, duke iu drejtuar gjykatës arrin t’i shpëtojë pronarit të vet, i cili kërkon ta marrë me vete, gjithnjë në cilësinë e një të mire të luajtshme, në udhëtimin e tij të kthimit në Virxhinia. Vendimi i gjykatësit nuk vë në pikëpyetje institucionin e skllavërisë: ai mjaftohet e thotë që “ligji i kolonive” aplikohet vetëm “në kolonitë”dhe se për këtë arsye, në Angli skllavëria nuk ka asnjë bazë ligjore. Mbrojtësi i Somerset pohon në mënyrë elokuente: “Ajri i Anglisë është tepër i pastër për skllevërit”. 

Mirëpo nga ky parim ai nxjerr rrjedhojën sipas së cilës duhet ndaluar në çdo mënyrë dyndja në Angli e zezakëve me prejardhje nga Afrika apo Amerika. Më shumë sesa kishte shkelur lirinë dhe dinjitetin e një qenieje njerëzore, pronari i Somerset ndihej përgjegjës se kishte kryer atentat ndaj dëlirësisë së tokës së njerëzve të lirë, të cilët nuk toleronin të përziheshin me skllevërit. Jo rastësisht vendimi i vitit 1772 përcakton premisat për deportimin në Sierra Leone të atyre zezakëve që si nënshtetas besnikë të Kurorës, kërkojnë strehim në Angli pas fitores së kolonëve rebelë amerikanë(fq. 79-80). 

E njëjta frymë në kohë të ndryshme për subjekte formalisht të ndryshëm. Dhe është edhe kjo frymë që shpjegon deri diku përgjigjen e dikurshme të Bertrand Russell që veçoi si unike dhe pozitive për Britaninë fakti që nuk ka qenë pushtuar ndonjëherë. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.