Nëse vota shitblihet për çfarë të drejte do luftojë opozita?

Postuar në 17 Maj, 2023 16:06

Sali Berisha ka deklaruar sërish se qeveria ka blerë votat. Dje ai përmendi shifrën 300 euro për votë, ndërkohë edhe vetë rënia e euros këto dy muaj shpjegohet prej disave me qarkullimin e madh të parasë informale për blerje vote.

Dakord mund të jetë kështu. Po ata që e shesin votën nuk kanë përgjegjësi? Edhe penale? Quhen këta votues potencialë të opozitës nëse nuk do ishin paguar? Këtë nuk ka sesi ta dimë, por përhapja në masë e fenomenit të shitblerjes së votës dëshmon për një krizë sistemike të demokracisë që në Shqipëri vjen edhe nga fakti se pakkush e ka seriozisht këtë fjalë.

Pasi demokracia duhet të vijë njëherë, të instaurohet, të veprojë dhe funksionojë që më pas të korruptohet. Nuk është ky rasti. Kemi mbi dy dekada që dëgjojmë se vota blihet dhe shitet e megjithatë të gjithë kanë nga një votë. Kujtojmë kryeministrin e tanishëm kur ishte në opozitë që bënte thirrje: merruani lekët, por mos i votoni se askush nuk ua sheh votën!

Filozofia e partive shqiptare është në veprim full time edhe tani, me dallimin se kur dikush ta shet votën ty, Saliut p.sh, kjo quhet fitore plebishitare. Kur ia shet votën tjetrit, Ramës, ky quhet një manipulim monstruoz dhe mbi këtë nis përpjekja sublime për rikthimin e të drejtës së votës shqiptarëve.

Ta artikulosh këtë e lëre më ta bësh kredo, është një hipokrizi e madhe, e zhvlerësuar edhe si e tillë pas kaq kohësh. Pasi në fund të fundit, një person që shet votën nuk është qytetar. Qyteari Zgjedh, njerëzia voton. Dhe dikush që ngre fitore mbi blerje vote vetëm demokracinë nuk promovon dhe kontaminon një kulturë të tërë politike duke inauguruar korrupsionin bazë prej nga ku mandej legjitimohet e gjithë vjedhja e parasë publike, e cila edhe kur denoncohet nuk prodhon më asnjë pasojë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.