Njeriu që e pa botën së prapthi

Postuar në 12 Maj, 2023 16:15

Rasti unik i një të riu të plagosur gjatë Luftës Civile në Spanjë ka shërbyer si pikë nisjeje për një qasje të re ndaj trurit dhe mënyrës sesi ai funksionon. 25-vjeçari, i cili mbetet anonim, u plagos me plumb në kokë në frontin e Valencias, në Luftën Spanjolle, në vitin 1938.

Dy javë më vonë, ai vuri re një ndryshim tronditës: në kushte të caktuara, ai e shihte botën së prapthi. Në atë kohë, rastin e ndoqi mjeku 28-vjeçar Justo Gonzalo.

Predha në kokën e të riut kishte shkatërruar pjesërisht kreshtat në korteksin e tij cerebral në rajonin parieto-okcipital të majtë. Ai jetoi pa pasur nevojë për operacione apo kujdes të veçantë, ndërsa mjeku i tij kuptoi se rasti unik – të cilin ai e quajti Pacienti M – mund të hidhte dritë të re mbi funksionimin e trurit të njeriut.

Pacienti dhe doktori mbajtën kontakte të rregullta për 50 vjet me radhë, deri në vdekjen e Justo Gonzalos në 1986. Vajza e këtij të fundit, së bashku me neuropsikologun Alberto García Molina i është rikthyer rastit pasi ka hapur arkivat e të atit. Në një kohë kur komuniteti shkencor ishte i ndarë midis atyre që e shohin trurin në tërësi dhe atyre që vizatojnë kufij të fortë midis rajoneve të trurit, Gonzalo propozoi një hipotezë të ndërmjetme të bazuar në Pacientin M: teoria e dinamikës së trurit, sipas së cilës organi i ka funksionet e tij të shpërndara në gradient, me kalime graduale.

E bija e doktorit, Isabel Gonzalo, fizikane dhe profesore emeritus në Universitetin Complutense të Madridit, e takoi pacientin M gjatë vizitave të tij në shtëpinë e familjes. Kur ishte në gjenjde qetësie, Pacienti M shihte një botë të kthyer së prapthi, në të cilën objektet shfaqeshin në tre kopje dhe me ngjyrë jeshile. Edhe perceptimi për tingujt ishte i përmbysur. "M. e shikonte orën e dorës nga çdo drejtim për të kuptuar sa ishte", kujton Isabel. Detajet e rastit të tij janë publikuar në revistën Neurologia.

Në fillim të shekullit XX, Spanja ishte pioniere në studimet e trurit të njeriut. Studiuesi Santiago Ramón y Cajal kishte demonstruar në vitin 1888 se organi i të menduarit nuk ishte një masë difuze, siç ishte besuar më parë, por se ishte i organizuar në qeliza individuale: neurone. Cajal fitoi çmimin Nobel në Mjekësi për zbulimin e tij në vitin 1906. Rreth tij u rrit një shkollë dishepujsh të talentuar, si neurologu Gonzalo Rodríguez Lafora, i cili, kur shpërtheu Lufta Civile, rekrutoi Justo Gonzalon për të punuar me të në Qendrën e Traumës së Kafkës. Atje, Gonzalo, pasardhësi akademik i Cajal, takoi pacientin M dhe qindra pacientë të tjerë të plagosur. Aftësia e pacientëve për t’u përshtatur ishte befasuese, shkruan ai në librin “Dinamika cerebrale”, botuar në dy vëllime midis viteve 1945 dhe 1950.

P.sh. pacienti M ishte habitur kur në një rast, i kishte parë punëtorët e ndërtimit teksa punon kokëposhtë në një skelë.

Neuropsikologu Alberto García Molina punon në Institut Guttmann, një spital në Barcelonë i specializuar në rehabilitimin e njerëzve me dëmtim të trurit. Studiuesi thekson se historia e neurologjisë është plot me eksperimente natyrore tragjike, si ajo e Phineas Gage, kapiten amerikan i hekurudhës, i cili mbijetoi pasi një shifër hekuri i përshkoi trurin në vitin 1848. Ai që më parë kishte qenë një njeri i qetë u bë agresiv dhe vulgar. Mjeku britanik David Ferrier e përmend rastin e Gage në leksionin e tij të vitit 1878 "Localization of Cerebral Disease", falë të cilit u afirmua si ishte pionier i lidhjes së funksioneve konkrete në zona specifike të korteksit cerebral.

García Molina shpjegon se, në vitet 1930, perspektiva modulare mbeti dominuese. “Truri shihej si një tërësi kutish të vogla. Kur ndryshon një kuti, me gjasa ka pasur një deficit konkret,” shpjegon neuropsikologu. "Për Dr. Gonzalo, teoritë modulare nuk mund të shpjegonin pyetjet që u ngritën në rastin e pacientit M, kështu që ai filloi të krijonte teorinë e tij të dinamikës së trurit, duke u thyer me vizionin hegjemonik se si funksionon truri."

Lufta solli një kthesë në karrierën shkencore të Justo Gonzalos. Ai kishte studiuar në Universitetin e Vjenës në vitin 1934 dhe në Universitetin Goethe të Frankfurtit më 1935, në kulmin e nazizmit në Gjermani. Pas grushtit të shtetit të korrikut 1936 në Spanjë, ai i qëndroi besnik Republikës gjatë Luftës Civile dhe madje punoi si mjek në një batalion, nën komandën e oficerit komunist Enrique Líster.

Në vitin 1952, doktori u bë pjesë e Institutit Cajal në Madrid, ku vazhdoi të ndiqte 200 pacientë me lëndime të trurit, të regjistruar në Korpusin e Nderuar për të gjymtuarit në Luftën për Atdheun, i cili përjashtonte të plagosurit që luftuan në anën republikane. Letrat mes pacientit M dhe Gonzalos konfirmuan se njeriu që e pa botën mbrapsht nuk kishte marrë pension si veteran i plagosur. “Babai im e admironte, sepse ai ishte një person shumë i zgjuar që ishte i aftë të kujdesej për veten dhe të punonte në fusha”, kujton Isabel Gonzalo. Pacienti M vdiq në fund të viteve 1990. Ai mbetet anonim edhe sot e kësaj dite.

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.