Klaudia Kardinale, “Një grua nga Italia është si qielli i Lombardisë”

Postuar në 01 Shkurt, 2023 15:05

Claude Joséphine Rose Cardinale, e njohur në botë me emrin Claudia Cardinale, lindi në 15 prill 1938 në Tunizi, kur Tunizia qe ende koloni franceze, që do të thotë se në më pak se tre muaj do të bëhet 85 vjeçe. “Por, një grua nga Italia është si qielli i Lombardisë. Kaq e bukur, kaq e mrekullueshme, kaq e paqtë”, shkruajnë Stefano Montefiori dhe Aldo Cazzullo nga Corriere della Sera, në parathënien e një interviste të gjatë që dha për ta aktorja e famshme, një prej divave të periudhës së artë të kinemasë italiane. Mes të tjerash, tha, që kujtimi i saj i parë lidhet me ardhjen e trupave amerikane në vendlindjen e saj, në Tunizi, gjatë Luftës së Dytë Botërore në 1943. “Për ne, ky qe fundi i luftës. Mbaj mend një ushtar që qante, mbasi kishte pa parë fëmijët e vet për muaj me radhë”. 

Kardinale u rrit në Tunizi duke folur vetëm frëngjisht, ndërkaq dinte edhe pak arabisht dhe siçeliançe që flisnin prindërit e saj. Italishten e mësoi pas viteve të adoleshencës. Ndonëse me ngurrim - “kam folur për këtë gjë në libra” -  aktorja italiane iu referua në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, përdhunimit të saj prej një të panjohuri në Tunizi, duke e lënë shtatzanë para se të maturohej.

Pasi vendosi tok me prindërit e saj, që ta mbajë fëmijën dhe ta rrisin të gjithë bashkë, sikurse të ishte vëllai i saj i vogël, Kardinale filloi të bënte hapat e saj të parë në kinematografinë italiane, duke arritur që ta fshihte shtatzaninë e saj deri në muajin e shtatë. “Qenë muaj shumë të vështirë. Larg vendit tim. Të mundohem t’ia dal mbanë me kulturën dhe gjuhën italiane, që s’i njihja fort mirë, duke arritur të ngjitem me ritme marramendëse në botën e kinematografisë, që për mua ishte shpëtim, por edhe diçka e panjohur. Producenti Franco Cristaldi e kuptoi që isha shtatzanë, kur shkova t’i kërkoj që të prish kontratën. Që nga ai çast, marrëdhënia ime me të, u bë më e fortë. U bëra transparente”, kujton sot Kardinale.

Kur qe gati për të lindur, Franco Cristaldi vendosi të ndihmojë aktoren e tij të re (dhe më pas partneren e vet) të shkojë në Londër, ku lindi dhe djalin e saj, që u quajt Patrik. 

Patrik u rrit me idenë, që qe vëllai i vogël i nënës së vet, gjersa ajo gjeti kurajon të tregojë të vërtetën, në 1967, gjatë një interviste. “Ishte e domosdoshme të bëhej. Guximi shprehet kur duhet, nuk mund të parashikohet”, përmendi Kardinale, duke shtuar që "sot është penduar që nuk gjeti guximin t’i tregojë, që në fillim të vërtetën djalit të saj”. Përsa i përket bukurisë mahnitëse dhe faktit që është quajtur si një ndër gratë më të bukura në botë, tha që “asnjëherë nuk jam ndjerë vërtet e bukur. Kushedi pse…këto janë gjëra, që s’kanë shpjegim. Kur isha e vogël “bukuroshja” e familjes qe motra ime Blanche, bjonde me sy të kaltër. Ishte vërtet e bukur. Unë, duke qenë esmere, ndoshta ngjaja e zakonshme në një familje siçiliane, dhe sidomos në Tunizi”

Duke iu referuar burrave të shumtë të famshëm, bashkëprotagonistëve të saj, përmendi që John Wayne qe “shumë i madh. Qe gjigant. I matur dhe gentleman. Kishte karrigen e vet në set, ndërsa unë jo. Për më tepër, që isha ende çupëlinë… Një ditë John më dha një karrige me emrin tim, që më shoqëroi në shumë xhirime. Qe një gjest kaq i ëmbël nga ana e tij, që në atë kohë isha ende shumë e re, ndërsa ai ishte një gjigant!”. Sipas Kardinale, “Orson Welles ishte impresionues”, ndërsa për Sean Connery tha, “që kaluam mirë. Bënte shumë ftohtë gjatë xhirimeve të filmit ‘Afër diellit të kuq’, por atmosfera mes nesh qe shumë e ngrohtë”. Pyetjes në është e vërtetë që Mastroianni u dashurua çmendurisht me të por ajo e refuzoi, Kardinale tha “ai atë thoshte. Por, kush e di në është e vërtetë…qemë miq, kjo po”. 

Gazetarët e Corriere në vazhdën e pyetjeve provokuese, e pyetën Kardinalen në është e vërtetë ajo, që ende diskutohet në Francë (ku Kardinale jeton prej shumë vitesh). “Çfarë?”,’ pyeti ajo. “Që Zhak Shirak qe dashuruar marrëzisht pas jush”. “Jo, nuk është aspak e vërtetë. Pata mbështetur fushatën e tij elektorale në periudhën, që më dukej më i përshtatshëm për udhëheqjen e vendit dhe shtypi krijoi një thashethemnajë të tërë mbi këtë gjë. Imagjinoni që i thashë jo Brandosë, Delonit e Mastroiannit. Shirak mund të ishte “homme á femmes” por jo me mua. Shirak më dha Medaljen e Legjionit të Nderit dhe unë e kisha mbështetur publikisht kandidaturën e tij. Këto të dyja në kombinim me famën e tij si pëlqyes grash, mjaftonin që të qarkullonin zëra. Por, ju siguroj që janë thjesht zëra”, shtoi. "Njohja ime me Marlon Brando ka qenë e shpejtë. Ka qenë idhulli im. Kurse Alain Delon është mik. Takoheshim shpesh, edhe nëpër filma, edhe jashtë. Ndamë bashkë përvojën te “Il Gattopardo” dhe kjo na bashkoi pērgjithmonë".

Burimi: protagon.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.