Gerard Depardieu - Dhuna ishte përditësia ime

Postuar në 29 Dhjetor, 2022 14:53

Që 15 vjeç kam filluar të shkoj me meshkuj me pagesë. Dhe nëse më pëlqente diçka nga ato që kishin, ua vidhja. I godisja, në rast se përpiqeshin të bënin rezistencë. Mënyra tjetër për të bërë pare në atë periudhë ishte të hapja varre e të grabisja stoli dhe objekte të tjera të çmuara nga të vdekurit. Gjer në moshën 20 vjeçare, kisha një dosje goxha të rëndë në polici. Jetoja në rrugë. Dhuna ishte përditësia ime. Më çonin shpesh në polici për grabitje të vogla dhe prishjen e rendit publik.”

Gerard Depardie, në librin e tij autobiografik “Ça c’est fait comme ça” (Kështu ndodh të jetë) përshkruan me cinizëm “zezanën” e viteve të tij të adoleshencës. 

Depardie mund të analizohet nga disa këndvështrime. Shumica e analizave kanë të bëjnë me talentin e tij në aktrim. Ka qenë kandidat për Çmimin Oskar në 1991, fitoi Çmimin e Aktorit më të Mirë për meshkuj në Kanes në 1990 dhe në Venezia në vitin 1985, dhe ka qenë kandidat për Çmimin César 17 herë nga viti 1976 deri më sot, duke e fituar çmimin dy herë. Është aktori që ka bashkëpunuar me më shumë se 150 regjisorë, si Godard, Truffaut, Ridley Scott, Bernardo Bertolucci e shumë të tjerë. 

Aktori me jetën e trazuar, lindi në 27 dhjetor 1948. Në vitin 2021, qe në shënjestër të organeve policore për një përdhunim që ndodhi më 2018. Aktorja që ngriti padinë, qe atëherë 20 vjeç. Hetimi fillestar u konsiderua i pavlefshëm në 2019-n, për shkak të mungesës së fakteve. Por, u rihap sërish në verë të 2020-s dhe kishte si rezultat marrjen e masave ndëshkuese. Depardie është ndër aktorët më të njohur francezë në botë. U bë i njohur fillimisht nga rolet e tij në filmat francezë, si “Metroja e fundit”. Ka lozur në një sërë filmash në anglisht,  si dhe në komedinë romantike “Karta e gjelbër”.  Konsiderohet “manjak pune”.

Ka marrë pjesë në mbi 200 produksione filmi gjatë karrierës së tij 50-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe është përfshirë dhe vazhdon të përfshihet në shumë skandale. Jeta e tij është një pre joshëse për shtypin e median.  Në 2005-n, goditi një paparazzi duke e lënë pa ndjenja. Në 2011-n, gjatë fluturimit Paris - Dublin urinoi në publik, në 2012-n u kacafyt me një shofer profesionist, ndërsa në 2013-n u arrestua tek ngiste i dehur. 

Si njeri është i errët, por si aktor është gjigant”, pat deklaruar kolegia e tij aktore Catherine Deneuve. Depardie deklaroi në fund të 2012-s, se i ktheu pasaportën e vet shtetit francez. Zgjodhi këtë formë proteste kundrejt taksave të larta. Ai është baba i katër fëmijëve. Një prej tyre, Guillaume Depardie, ndërroi jetë në vitin 2008. Në vitin 2008 gjithashtu, u vu në qendër të vëmendjes miqësia e aktorit francez me Vladimir Putin. Depardie, ka thënë për këtë marrëdhënie: “Që të dy mund të kishim përfunduar si keqbërës. Ana ime huliganeske i pëlqente shumë”.

Në vitin 2012, Depardie iku në Belgjikë pas masave që mori qeveria e François Hollande për taksimin e lartë të të pasurve. Kryeministri francez Jean Marc Ayrault e konsideroi këtë akt si të turpshëm dhe për këtë arsye Depardie reagoi përmes kthimit të nënshtetësisë së

vet franceze. Catherine Deneuve dhe Brigitte Bardot dolën në mbështetje të vendimit të tij, madje Deneuve dërgoi dhe një letër të hapur ndaj kritikëve të tij. Vladimir Putin, deklaroi që nuk do të sillte kundërshtim, nëse Depardie kërkonte nënshtetësinë ruse. Në 3 janar 2013, Putini nënshkroi një dekret, përmes së cilit i akordohej Depardiesë nënshtetësia ruse. Depardie u pagëzua ortodoks në 4 shtator 2020. Ceremonia u krye në Katedralen e Shën Aleksandër Nevskit në Paris. Depardie pohoi që atij i tij shpirtëror është Tikhon Shevkunov, i cili është dhe ati shpirtëror i Vladimir Putin. 

 

Burimi: fragilemag.gr 

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.