Edhe debati për futbollin, njësoj me politikën

Postuar në 23 Nëntor, 2022 13:24

Botërori i futbollit ka nisur e me këtë teorikisht nis edhe një “muaj emocionesh”. Frazë kjo klishe që trashëgohet brez paz brezi për të theksuar në urdhëore se do festuar e pikë.

Me botërorin vjen edhe “përmbysja” e kohës televizive dhe temave: të bien rehat veshët nga politika – ndjesë rrugaçëria me imunitet dhe para - harrohen ca kohë vipat e debatit, gazetarë me peshë dhe bonuse që i ke si makina të kurdisura përnatë, për të pritur një diskutim disi më të pranueshëm. Më jetësor ndoshta dhe që sikur u intereson të gjithëve.

Mirëpo e vetmja këshillë që njeriu mund t’i japë vetes në këto raste është: mos e hap asnjëherë në shqip televizorin. Në asnjë kanal të vetëm. Zero. Mos e shëmto botërorin edhe kështu i shëmtuar në kulm qëkurse bëhet në Katar, me të njëjtën zhurmë mbytëse të një shqipeje burgaxhinjsh dhe gjysmëanalfabetësh të ngrysur siç janë pjesa më e madhe e njerëzve të sportit.

I keni parë si paraqiten në ekran ? Sikur janë të gjithë të mbytur në borxhe te njëri-tjetri. Panelet mandej janë e njëjta pastë e debateve politike : gazetarët e njëjtë, hedhin nga një bluzë krahëve, zakonisht mbi shpatulla të rëna e të ngushta asportive, vihen përballë dhe kështu, në vend se të flasim për futbollin, njohim një anë tjetër të tyre. Apo të deputetëve, deputeteve, ministrave. Sepse ne patjetër që duhet ta njohim anën tjetër të një hajduti të zgjedhur. Pse jetë është kjo? Të dëgjosh vetëm një aspekt të njeriut?

Pastaj është edhe kjo ideja firaune e ftesës së gazetareve në panele, moderatoreve gjithfarëshe që mençuri kryesore profesionale kanë të qeshin kot, si dekor zbutës i një burrërishteje pa formë e pa kallëp që të del përpara në ca ekrane ku irritimi është i vetmi manifestim. Kupton befas se nëse televizoni do të jetë dikur kriter për ndarjen e shoqërive, e sigurtë është se ne shqiptarët e këtij brezi jemi padyshim shoqëria me jotelevizive. Se nuk dimë të qeshim, se kemi shikimin gjithë djallëzi e mërzi, se na pëlqen vetëm të jemi të parët kur flasim dhe nuk e lëshojmë mor vëlla karrigen të na pushkatosh.

Dje p.sh në një panel të njohur për temat sportive, tavolinës së ustallarëve të futbollit i ishte bashkuar edhe një dekolte me rripa që i ishte veshur një njeriu të gjinisë femërore, që ishte aty biskota e ekspertizës. Për topin po flitet e vetëm aty nuk duan ta kesh mendjen. Bëjnë si bëjnë dhe e shtrembërojnë edhe këtë diskutim ku shfaqen të njëjtët pa ndalim. Orë e çast. Bashkë me bukuranet që janë aty sikur thonë pas kameras: Ta! Dhe kaq. Asgjë më shumë. 

Si xhanëm nuk u është neveritur vetja duke dalë kaq gjatë e kaq shumë, për çdo gjë në ekran?! Mundet t’i bësh hile vetes, se dakord për honoraret e shkreta që duhen?! Këta janë mall, se ka ca e ca që janë në të njëjtën kohë në pesë ekrane. Një tjetër enigmë kjo e Shqipërisë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.