Engjëj dhe demonë

Postuar në 25 Gusht, 2022 17:57
Giorgio Agamben

 

Diskutimet që dëgjohen sot kaq shpesh të përsëriten, mbi fundin e historisë dhe fillimin e një epoke post-njerëzore dhe post-historike, harrojnë faktin e thjeshtë se njeriu është përherë në aktin e të bërit njerëzor dhe ndaj edhe në atë të ndaluarit së qenit i tillë dhe për ta thënë kështu, për të vdekur për njerëzoren. Pretendimi i arritjes së një animaliteti, apo humanizmi të përmbushur të njeriut në fund të historisë, nuk merr parasysh këtë mospërmbushje konstituive të qenies njerëzore.

Konsiderime të ngjashme vlejnë edhe për diskutimet mbi vdekjen e Zotit. Ashtu si njeriu është përherë në aktin e të bërit njerëzor dhe të ndalimit për të qenë i tillë, kështu edhe të bërit hyjnor të Zotit është përherë në rrugë dhe asnjëherë e përmbushur njëherë e përgjithnjë. Në këtë sens duhet kuptuar fraza e Paskalit mbi Krishtin në agoni deri në fundin e kohëve. Në agoni – pra sipas etimologjisë, në luftë apo në konflikt me vetë hyjnërinë e vet, për ç’shkak asnjëherë të vdekur, por përherë për ta thënë kështu me vetveten duke vdekur. I vetmi kuptim i historisë njerëzore qëndron në këtë agoni të pandalshme dhe fjalët mbi fundin e historisë duket se injorojnë faktin – ndonëse evident – se historia është përherë në aktin e të përfunduarit.

Që këtu edhe këmbëngulja e më të fundit Holderlin mbi gjysmëperënditë dhe mbi figurat gati hyjnore ose më se njerëzore. Historia bëhet nga qenie tashmë ose ende jo hyjnore, tashmë dhe ende jo njerëzore: ajo është pra një “gjysmëhistori” siç janë edhe gjysmëperënditë dhe thuajse njerëzit.

Për këtë arsye të vetmet çelësa për të interpretuar historinë janë angjelologjia dhe demonologjia që shohin tek ajo – siç kishin bërë Etërit dhe Pavli vetë, kur thërret engjëjt(apo demonët) fuqitë dhe qeveritë e kësaj bote – një luftë pa pushim mes diçka më pak se hyjnive dhe pak  a shumë njerëzve. Dhe nëse mund të themi diçka mbi kushtin tonë aktual është se në dy vitet e fundit kemi parë me qartësi të paprecedentë demonët duke vepruar egërsisht në histori dhe të pushtuarit që i ndjekin verbërisht në përpjekjen e tyre të kotë për të shtypur përgjithnjë engjëjt – ata engjëj që për më tepër, përpara rënies së tyre të pafundme në histori, ata vetë ishin të tillë.

Burimi: Quodlibet

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.