Vrau veten jo për faj të dritave

Postuar në 10 Gusht, 2022 11:43

Dje në media qarkulloi lajmi i vetëvrasjes me varje I një shtetasi në Përrenjas. U tha se personi kishte  vrarë veten për shkak se nuk kishte paguar detyrimet ndaj OShEE-së. Befas, sapo një njeri ka humbur jetën vlera e saj si e tillë ka humbur për t’i lënë vendin lajmit kryesor: gjetjes së fajit dhe autorit. 
Në këtë rast çështja është zgjidhur sa hap e mbyll sytë. OShEE ka reaguar direkt duke sqaruar se a ka sqaruar në vend situatën duke konfirmuar se personit në fjalë nuk i janë prerë dritat. Thotë OShEE: 
 

OSHEE informon opinionin publik se shtetasit F.Ç., i cili është përmendur sot në një konferencë për shtyp nga forcat politike opozitare si i vetëvarur për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, në të vërtetë nuk i ështē prerë energjia në asnjë moment. Banesa e shtetasit në fjalë furnizohej dhe vazhdon të furnizohet me energji elektrike.
 

Duke i shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerit F.Ç. me keqardhje vërejmë një përdorim politik abuziv në lidhjen midis OSHEE dhe një rasti fatkeqësie personale.
Megjithë vështitësitē e krijuara në kushtet e një krize të rëndë ndërkombëtare, OSHEE vijon të sigurojë shërbim cilësor për të gjithë qytetatët, duke ju ardhur në ndihmë përmes paketave sociale edhe familjeve në vështirësi ekonomike

 

Nuk mund të jetë më e vërtetë se kaq, mirëpo këtu është çështja. Çdo gjë ka funksionuar, personi ka vrarë veten për hesap të vet, në ndriçim 24 orë. Madje nga njoftimi të krijohet ideja se OShEE nuk do i hiqte dritat edhe sikur ta njoftonin se personi ka vdekur e tashmë dritat nuk i duhen.
Korrektësia gati spitalore e entit vijon me një foto ilustruese nga shtëpia e të ndjerit: një derë druri në mes të errësirës dhe në krye një llambë feksëse që provon pafajësinë e OSHEE-së. Pra personi ka patur lekë të paguajë, ai ka vrarë veten për shkaqe të tjera. Brenda një logjike cinike ajo llambë aty do ishte mirë të mos ishte, sepse ashtu e zvjerdhur në mes të errësirës dëshmon mjerimin në ca anë të Shqipërisë. Atë mjerim që prodhon çdo lloj problemi të imagjinueshëm. Të vjen ndërmend thënia e dikujt që thoshte se njerëzve u ha shumë kohë jeta. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.