Kundër drejtësisë së Sorrollatjes që më 1973

Postuar në 07 Korrik, 2022 17:24

 

Debati kryesor i javëve të fundit në Shqipëri ka qenë ai mbi hartën e re gjyqësore. Kundër propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, mbështetur edhe nga qeveria aktuale, kanë dalë përfaqësues të avokatisë nën argumentin se mohohet e drejta bazë e aksesit në drejtësi. Harta e re propozon suprimim të gjykatave të shkallës së parë në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Krujë, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë, duke lënë vetëm 13 gjykata të këtij lloji, lënien e vetëm një gjykate apeli në Tiranë dhe vetëm dy gjykatave administrative në mbarë vendin.

Propozimi është bërë nën kriterin e optimizimit të punës së gjykatave dhe shkurtimit të shpenzimeve, mirëpo ky propozim pason një situatë bllokimi relativ të vendimmarrjes në disa hallka, për shkak të vettingut. Vetëm koha do të provojë drejtësinë apo mençurinë e këtij riorganizimi, por duhet thënë se një diskutim i ngjashëm është bërë edhe më herët në vendin tonë, nën një sistem tjetër.

Konkretisht në vitin 1973, Prokuroria e Përgjithshme e asaj kohe përpiloi një relacion që ia referoi Byrosë Politike përmes të cilit sugjeronte krijimin e gjykatave të shkallës së dytë. Në dokumentin e firmosur nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti, saktësohet se për vitet 1968-1972 ka patur 12 090 çështje penale dhe janë zgjidhur 49 913 konflikte civile në shkallë republike. Me rritje e prezanton Panariti edhe numrin e çështjeve të ankimuara, që asokohe trajtoheshin nga Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Kasacionit.

Numri i madh i çështjeve konkrete me të cilat duhet të merren pothuajse çdo ditë prokurorët e kasacionit(sic.) dhe anëtarët e gjykatës së lartë nuk mund të mos influencojë në cilësinë e punës së tyre, në argumentimin e qëndrimeve që ata mbajnë mbi këtë apo atë çështje, gjë që ka të bëjë me dhënien e drejtësisë. Mjafton të themi se çdo prokurori të kazacionit i takon të përfaqësojë 20-21 çështje penale në muaj duke llogaritur 12 muaj në vit…

Sipas strukturës së sotme të organizimit, personat pjesëmarrës në në proceset penale apo civile detyrohen të vijnë pa tjetër në Tiranë, pranë gjykatës lartë me rastin e shqyrtimit të çështjes në shkallë të dytë…

thuhet në relacion.

 

Më tej, edhe Gjykata e Lartë ofronte disa variante për zgjidhjen e kësaj situate, nisur nga diskutimet e bëra në atë kohë, e të cilat ishin:

Krijimi i gjykatave të shkallës së dytë në rrethet kryesore të vendit…nga efektivi i gjyqtarëve që kanë vetë rrethet…

Për prokuroritë dhe gjykatat ku ka një efektiv relativisht më të vogël kuadrosh…çështjet në shkallë të dytë do gjykohen në gjykatat e rretheve fqinje më të afërta ku ka gjykata të shkallës së dytë

2. Të krijohen gjykata të shkallës së dytë në 6 zona dhe konkretisht : Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Fier

Për këtë variant të dytë, Gjykata rekomandon se:

Një organizim i tillë do të jetë me rezultate, ajo do t’i japë mundësi më mirë gjykatës lartë dhe prokurorisë së përgjithshme të meren më shumë dhe më mirë me problemet themore të punës së tyre…Por pa tjetër kjo mund të ketë anët e dobëta të saja sikundër janë se politika penale në shkallë të dytë do jetë më e decentralizuar

Problemi i fundit është karakteristik për regjimin e kaluar, pasi në thelb politika penale e një vendi është unike, ndonëse aktualisht prokurori ka të drejtën e iniciativës. Por përmbi këtij aspekti, në analizat e bëra në atë kohë prevalon çështja e volumit të punës që është kritike edhe sot. Konkretisht sipas analizës së bërë një gjyqtari në Shqipërinë e vitit 1973 i takonte të shqyrtonte 250 çështje në vit:

shifër kjo jashtë çdo mundësie për t’u përballuar

Numri total i gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë ishte 72, ndërkohë që p.sh vetëm Gjykata e Lartë në vitin 1973 gjykonte 4000 çështje

Problemin e shtruar në rrugë institucionale e zgjidhi në tetor të atij viti Byroja Politike, kur me një vendim të cilësuar “Sekret” nën titullimin: “Mbi disa përmirësime në organizimin gjyqësor”, teksa analizon se:

Rritja e kompetencave të gjykatave të rretheve përqëndroi më mirë dhënien e drejtësisë në rreth, kurse krijimi i gjykatave të fshatrave, të qyteteve dhe të lagjeve të qytetev tërhoqi mijëra njerëz, aktivistë shoqërorë në dhënien e drejtësisë,

ndau se:

Gjykata e Lartë shkarkohet nga gjykimi në shkallë të dytë i çështjeve të vogla, asaj i lihen në shqyrtim çështjet e rëndësishme penale dhe civile

Gjykimi në shkallë të dytë i shumë çështjeve të bëhet në gjyktatat e rretheve, të cilat janë më afër bazës, duke siguruar kështu një shpejtësi më të madhe në gjykimin e çështjeve dhe mënjanimin e sorrollatjeve të shtetasve për të ndjekur gjykimin larg rretheve përkatëse

Po kështu u caktua detyra për plotësim organikash dhe plotësim legjislacioni për kompetencat e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatave të rretheve për shqyrtimin e çështjeve në shkallë të dytë.

Nëse e shohim në prizmin e diskutimit të sotshëm, çështja është po ajo: organizimi për t’iu përgjigjur nevojave të punës dhe qytetarëve. Byroja Politike gjeti një rrugë të mesme ndër propozimet e ardhura, duke u udhëhequr formalisht nga parimi i shkurtimit të kohës në dhënien e drejtësisë, që ilustron devizën: drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar.

 

Sigurisht që nuk mund të vendoset paralele mes dy kohëve dhe dy regjimeve, por teknikisht tema është e njëjta dhe duhet të vëmë në pah mënyrën sesi sot flitet nga ekzekutivi për një çështje të tillë. Kryeministri na tha se Shqipëria nuk ka takat të mbajë zyra shumë, por kufizimi në territor nuk mund të aplikohet në kurriz të efektivitetit të drejtësisë, që prej 30 vitesh është ndër fushat më të errëta të shtetit shqiptar. Dhe kur një sistem i tillë që kontrollohet kështu, zvarrit, mohon, korrupton, shet e blen drejtësi, atëherë atë në praktikë nuk e ndan asgjë nga i ashtuquajturi sistem inkuizitor siç quhet sistemi i drejtësisë së para vitit 1990. Sepse të të mohojnë drejtësinë në këtë mënyrë, siç po shohim p.sh me vendimet e fundit të GJEDNJ për qytetarë shqiptarë që kanë 15 vjet në gjykata, patjetër që është persekutim.

Pa harruar ndër të tjera se për nga numri i çështjeve civile dhe penale, volumi është shumë më i madh.

s.zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.