Qëndrimi kundër sanksioneve, kërkohet ngrirja e integrimit të Serbisë në BE

Postuar në 14 Mars, 2022 13:12

Pozicionimi i Serbisë në raport me konfliktin në Ukrainë mund të ketë pasoja në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Mediat serbe raportojnë se nëntë anëtarë të Parlamentit Evropian nga grupi liberal "Të rinovojmë Evropën" i kanë dërguar një letër presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, dhe ministrit të Jashtëm evropian, Josep Borrell, duke u kërkuar atyre që të ngrijnë përkohësisht bisedimet e anëtarësimit me Serbinë di edhe të pezullojnë ndihmën financiare deri sa të përafrojë politikën e saj ndaj Rusisë.

"Në dritën e ngjarjeve të fundit në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, ne jemi thellësisht të shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht për mospërfilljen e dukshme të angazhimeve të Serbisë si një vend kandidat për në BE. Serbia ka hyrë në vitin e saj të dhjetë të negociatave për t'iu bashkuar Bashkimi me shkallë të ndryshme progresi dhe hapje grupimesh të reja vetëm disa muaj më parë. Gjatë viteve, ne kemi theksuar vazhdimisht angazhimin për të harmonizuar në mënyrë progresive politikën e jashtme dhe të sigurisë me udhëzimet e BE-së dhe për të treguar veprime konkrete se ajo ndan vlerat tona thelbësore", thuhet ndër të tjera në këtë letrën të cilës i referohet Novosti.

Letra mban firmën e nënkryetarit të PE dhe anëtar i Partisë Demokratike të Lirë Gjermane (FDP) Nicola Beer, sllovenit Klemen Kroselj, bullgarit Ilhan Kyuchyuk, lituanezit Petras Auštrevičius, estonezit Urmas Paet, holandezit Bart Grotius dhe Malik Azmani, spanjollit José Ramón dhe rumunes Ramona Strugariu.

“Ne besojmë fuqishëm se Serbia po tregon një zhvendosje të rrezikshme drejt autoritarizmit, që është në kontrast të fortë me aspiratën e saj paralele për t'u bashkuar me BE-në dhe kjo paqartësi kulmoi me refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”, thonë firmëtarët.

Në fillim të marsit, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Serbia u pozicionua kundër sanksioneve të vendosura nga Perëndimi ndaj Kremlinit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.