Gjykata kineze: Tradhtia nuk është arsye për divorc

Postuar në 10 Janar, 2022 15:56

Vendimi i një gjykate rrethi në Kinë ka hapur një debat të madh së fundmi. Gjykata në Shandong njoftoi në daqen e saj zyrtare se nuk do të pranonte kërkesa për divorc, nëse ato motivoheshin vetëm me tradhtinë bashkëshortore. Vendimi për të mos e njohur tradhtinë si shkak për ndarje motivohet me faktin se shumica e dashnorëve nuk jetojnë bashkë dhe në këto kushte, tradhtia nuk arrin të përmbushë standardin e "bashkëjetesës" që është pjesë e ligjeve kineze të divorcit.

“Nëse keni prova që bashkëshorti juaj ka marrë një dhomë me dikë të gjinisë së kundërt, nuk mund të bëni kërkesë për divorc, sepse kjo nuk është bashkëjetesë e gjatë”, thuhet në njoftimin e gjykatës, që citohet nga South China Morning Post.

Në janar 2021, Kina miratoi një ligj që vendosi një periudhë 30-ditore reflektimi për çiftet që duan të divorcohen. Logjika ishte që ata mund të pajtoheshin gjatë asaj periudhe.

Shumë juristë kinezë thonë se gjykata e ka keqinterpretuar ligjin.

Zhou Youjun, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Beihang në Pekin, thotë se gjykata ngatërron të drejtat e atyre që kërkojnë divorc me përgjegjësinë e gjykatave kineze.

“Dispozitat e cituara nga neni zbatohen për seancën dhe vendimin e gjykatës, por nuk ka asnjë kërkesë minimale që njerëzit të bëjnë kërkesë për divorc. Kërkesa për divorc është e drejtë themelore e qytetarit dhe është përgjegjësi e gjykatës të vendosë nëse do ta japë divorcin. Ky ndryshim nuk duhet të ngatërrohet”, tha ai.

“Parimi themelor i ligjeve të divorcit në Kinë është “të ruajnë lirinë për t'u divorcuar ndërkohë që kundërshtojnë divorcet e nxituara”, shton Youjun.

Shkalla e divorcit në Kinë u rrit nga 2 për 1000 njerëz në 2010, në 3.4 për 1000 në 2019 dhe pësoi një rënie të ndjeshme, 3.1 për 1000 njerëz, në vitin 2020. Shkalla e divorcit pritet të bjerë në vitin 2021, bazuar në shifrat tremujore.

Artikulli vjen në kontekstin e një krize demografike që ka pushtuar Kinën, popullsia e të cilës po plaket me shpejtësi ndërsa të rinjtë e shtyjnë martesën dhe lindjen e fëmijëve, madje shpesh edhe refuzojnë krejtësisht krijimin e një familjeje tradicionale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.