Mes dy “zjarreve”, studimi zbulon arsyen e shkrirjes progresive të akullnajës Thwaites

Postuar në 01 Shtator, 2021 13:31

Akullnaja Thwaites, e njohur ndryshe si akullnaja e fundit të botës po shkrin me shpejtësi. Por përtej shkaqeve që lidhen me ndryshimin klimatik dhe që dihen prej kohësh, një arsye e re është zbuluar së fundmi. Një studim i botuar në “Nature” zbulon se nxehtësia natyrore e Tokës po përshpejton shkrirjen e akullnajave. Në fakt, studiuesit thonë se korja relativisht e hollë nën Antarktidën Perëndimore (ku ndodhet akullnaja) e ekspozon atë në temperatura më të larta gjeotermale.

"Matjet tregojnë se aty ku korja e Tokës është e trashë vetëm 17 deri në 25 kilometra, rrjedhja e nxehtësisë gjeotermale deri në 150 milivat për metër katror ndodhet pikërisht nën akullnajën Thwaites", thotë Ricarda Dziadek, autore kryesore e studimit dhe gjeofizikane në Institutin Alfred Wegener, Qendra Helmholtz për Kërkime Polare dhe Detare në Gjermani.

Natyrisht, temperaturat më të larta me origjinë nga manteli i brendshëm i Tokës nuk janë problemi i vetëm me të cilin ballafaqohet akullnaja.

Për më tepër, ndryshimi klimatik për shkak të aktivitetit njerëzor po ngroh në mënyrë progresive ujërat. Hulumtuesit në Universitetin e Gothenburgut zbuluan se ujërat nën akullnajë janë aq të ngrohta, saqë po tretin akullin më shpejt seç pritej për shkak të rritjes globale të temperaturave.

Shkrirja e akullnajës do të rezultojë në një rritje katastrofike të niveleve të ujit në të gjithë botën. Akullnaja Thwaites shtrihet në një sipërfaqe afërsisht 119 300 kilometra katrorë.

Që nga vitet 1980, Thwaites ka humbur rreth 595 miliardë tonë (540 miliardë tonë metrikë) akull, duke kontribuar me 4% në rritjen vjetore globale të nivelit të detit . Shkalla e humbjes së akullit të akullnajës është përshpejtuar në mënyrë të konsiderueshme në tre dekadat e fundit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.