Rrëzohet hipoteza e vjetër: Hëna nuk ka mburojë magnetike

Postuar në 24 Gusht, 2021 15:15

Ndryshe nga Toka, Hëna nuk ka “mburojë”. Është fjala për fushën magnetike, që satelitit të Tokës i mungon. Kjo do të thotë se Hëna është vulnerabël ndaj rrezatimit të dëmshëm diellor që mund të mbërrijë nga Dielli me shpejtësi mbi 1 000 kilometra në sekondë. Kjo ka lënë të habitur edhe shumë shkencëtarë, të cilët kanë besuar të kundërtën.

Pas misioneve Apollo, që çuan njerëzit e parë në Hënë 52 vjet më parë, shkencëtarët mblodhën të dhëna që treguan se mostrat kishin magnetizim, çka sugjeronte se Hëna mund të kishte pasur fushë magnetike në një moment gjatë historisë së saj 4.53 miliardë vjeçare.

Studiuesit menduan se magnetizimi u shkaktua nga një "gjeodinamo" e ngjashme me atë të Tokës. Ideja është se fusha magnetike po krijohej nga përzierja e hekurit të lëngshëm thellë në qendër të Hënës, duke lëshuar rryma elektrike.

Por përparimi i teknologjisë e lë në hije këtë teori.

Në një punim të botuar në revistën Science Advances, studiuesit në Universitetin e Rochester kanë arritur në një përfundim të qartë: hëna nuk ka pasur mburojë magnetike jetëgjatë në asnjë moment në historinë e saj 4.53 miliardë vjeçare.

"Qendra e Hënës është vërtet e vogël dhe do të ishte e vështirë të gjeneronte atë lloj fushe magnetike. Plus, matjet e mëparshme që regjistrojnë një fushë të lartë magnetike nuk janë kryer duke përdorur eksperimente të ngrohjes. Janë përdorur teknika të tjera që mund të mos regjistrojnë me saktësi fushën magnetike", thonë studiuesit. 

Prania ose mungesa e një mburoje ka rëndësi sepse mburojat magnetike mbrojnë trupat astronomikë nga rrezatimi i dëmshëm diellor. Mburoja magnetike e Tokës e ka origjinën thellë në qendër të planetit. Atje, rrotullimi i hekurit të lëngshëm gjeneron rryma elektrike, duke nxitur një fenomen të quajtur gjeodinamo, i cili prodhon mburojën. Mburoja magnetike është e padukshme, por studiuesit kanë pranuar prej kohësh se është e domosdoshme për jetën në sipërfaqen e Tokës sepse mbron planetin tonë nga era diellore - rrymat e rrezatimit nga dielli.

Gjetjet e studimit të çojnë në përfundimin se për miliarda vjet, Hëna është “bombarduar” nga erërat diellore, që mund ta kenë mbuluar sipërfaqen e saj me lloje të ndryshme avujsh ose komponimesh që "avullohen lehtë", përfshirë këtu karbon, hidrogjen, ujë dhe helium 3 - një specifik versioni i heliumit që është i pakët në Tokë.

Gjithashtu, kjo do të thotë se sipërfaqja e Hënës mund të jetë njëfarë regjistri i veprimtarisë së erës diellore përgjatë historisë, çka i ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë evolucionin e diellit.

Gjetjet e studimit të botuar në revistën “Science Advances”, mund të hapin "një epokë të re të eksplorimit të hapësirës" duke filluar në vitin 2024 kur NASA dërgon astronautët përsëri në Hënë si pjesë e misionit Artemis. Një nga qëllimet e misionit është të përcaktojë nëse materiale të tilla mund të nxirren për përdorim në Tokë.

Studiuesit thonë se mund të gjenden izotope të heliumit 3, i cili është i pranishëm në sasi të vogla në Tokë, dhe tani përdoret në imazherinë mjekësore dhe është premtues si burim energjie.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.