Drejt një epoke pandemish

Postuar në 25 Qershor, 2021 15:04

Pandemia aktuale e kapi botën të papërgatitur. Por të tjera mund të vijnë. Për t’iu përgjigjur krizave të ardhshme para se ato të ndodhin, ekspertët europianë u mblodhën në konferencën vjetore të kërkimit dhe inovacionit të Komisionit Evropian.

“Ka shumë gjasa që po hyjmë në një epokë pandemish”, citohet nga Horizon Magazine prof. Peter Piot, drejtor i Shkollës së Higjenës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, i cili ishte njëri nga zbuluesit e virusit Ebola në 1976 dhe tani është këshilltar special i presidentit të Komisionit Evropian për Covid-19.

Frika më e madhe e ekspertëve është ajo e sëmundjeve infektive që kalojnë nga kafshët te njeriu. Megjithatë, në këtë pikë inovacioni qëndron si kundërpeshë. Vaksinat e zhvilluara në kohë rekord, bazuar në teknologjinë mARN, janë një element i rëndësishëm.

Pas përvojës së Covid-19, Bashkimi Evropian po planifikon ngritjen e një Autoriteti të Përgatitjes dhe Reagimit të Emergjencave Shëndetësore (HERA), përgjegjësitë e të cilit do të jenë parashikimi dhe menaxhimi i krizave.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozimi zyrtar do të paraqitet në fund të vitit 2021.

Një organ si HERA që mbulon të gjitha aspektet e gatishmërisë dhe reagimit - nga kërkimi themelor te zhvillimi e kapaciteti prodhues - mund të jetë shumë i rëndësishëm për heqjen e masave të shëndetit publik më shpejt, thotë Momir Radulović, drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe Pajisjet Mjekësore të Republikës së Sllovenisë.

Por plane të tilla duhen shtrirë përtej Europës. Prof. Osterhaus, i cili ka punuar me SARS dhe MERS, si edhe me gripin, theksoi gjithashtu rëndësinë e punës me njerëz në pjesë të tjera të botës, si Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia, në vend që t’i përqendrojë përpjekjet vetëm në Evropë.

Edhe prof. Piot thotë se është e domosdoshme një qasje globale, në mënyrë që të lëmë pas nesh pandeminë aktuale.

Ne duhet të shkojmë më larg se Evropa. Kjo është një pandemi globale dhe për sa kohë që problemi nuk zgjidhet në të gjitha vendet, nuk zgjidhet askund.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.