Zbulohet një roman i pabotuar i John Steinbeck

Postuar në 23 Maj, 2021 16:55

Shumë kohë para se të bëhej një nga autorët më të njohur të Amerikës, John Steinbeck shkroi të paktën tre romane të cilat nuk u botuan kurrë. Dy prej tyre ai i grisi vetë, pa parë dritën e botimit, por një i tretë - një histori misterioze që titullohet “Vrasje me hënë të plotë” - ka mbijetuar në një arkivë, që kur iu refuzua botimi në 1930.

"Do të kishte një interes të madh publik për një roman krejtësisht të panjohur nga një prej shkrimtarëve më të njohur, më të lexuar amerikanë të shekullit të XX", thotë për The Guardian profesori Gavin Jones, specialist i letërsisë amerikane në Universitetin e Stanfordit.

Dorëshkrimi prej 233 faqe është ruajtur në arkivat e mëdha të Harry Ransom Center në Universitetin e Teksasit në Austin pas përpjekjes së pasuksesshme të Steinbeck për ta botuar atë më shumë se 90 vjet më parë.

Mes tekstit janë edhe dy ilustrime nga Steinbeck. Në to shfaqet dyshemeja e ndërtesës ku ndodhin vrasjet si edhe trupat e viktimave. Në libër, këto janë vizatime të bëra nga një prej personazheve që përpiqen të zbardhin vrasjet.

Jones thotë se kjo vepër është shumë larg përshkrimeve realiste të Depresionit të Madh nga Steinbeck. Kjo shpjegon pse ai vendosi të fshihej pas pseudonimit Peter Pym. "Edhe pse është shumë ndryshe nga vepra tjetër e Steinbeck, në një zhanër krejtësisht të ndryshëm, ajo në fakt lidhet me interesin e tij për shndërrimin e dhunshëm njerëzor - lloji i lidhjes njeri-kafshë që ju e gjeni në të gjithë letërsinë e tij; interesi i tij për dhunën në turmë dhe sesi njerëzit kthehen në vrasës”, analizon ai.

Përpjekja për t’u afirmuar si shkrimtar ishte një betejë e vështirë për Steinbeck, i cili fitoi çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 1962. Ndërsa babai i tij e ndihmoi financiarisht, ai punote si punëtor krahu ndërkohë që shkruante “Mice and Men” në vitin 1937 , një histori e dy punëtorëve emigrantë dhe “Në lindje të Edenit”, në 1952, një vepër e përkthyer edhe në shqip.

Me rreth 33 vepra, Steinbeck konsiderohet një nga gjigantët e letërsisë amerikane.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.