E “shkruar” në kujtesën e oqeaneve/ Po jetojmë temperaturat më të larta prej 12 mijë vjetësh

Postuar në 28 Janar, 2021 20:02

Në 12 000 vitet e fundit, Toka nuk ka qenë kurrë aq e nxehtë sa tani. Gjatë kësaj kohe, temperaturat janë rritur pa luhatje, ndryshe nga hipotezat e deritanishme. Kjo është vërtetuar nga studimi i fosileve detare, i analizuar nga një ekip kërkimor ndërkombëtar i udhëhequr nga Universiteti Rutgers i ShBA. Rezultatet janë botuar në revistën “Nature” dhe i japin fund një debati të gjatë që i kishte bërë disa skeptikë të argumentonin se modelet e klimës të përdorura për të parashikuar ngrohjen globale ishin të gabuara.

Debati lidhur me atë që në gjuhën e ekspertëve njihet si "paradoksi i temperaturës së Holocenit" (dmth. periudha aktuale ndër-akullnajore që filloi 12 000 vjet më parë) u shkaktua nga një mospërputhje midis modeleve të klimës dhe rindërtimeve bazuar në analizën e gjetjeve gjeologjike.

E para tregoi një prirje të vazhdueshme të rritjes së temperaturave, ndërsa e dyta sugjeroi që temperaturat mesatare globale vjetore arritën kulmin midis 10 000 dhe 6 000 vjet më parë, pastaj ranë dhe përfundimisht u ngritën përsëri me fillimin e epokës industriale.

Për të zgjidhur misterin, studiuesit të udhëhequr nga paleoklimatologia Samantha Bova ekzaminuan guaskat gëlqerore të organizmave të vegjël detarë (foraminifera) që kanë 'regjistruar' trendin historik të temperaturës së ujërave më sipërfaqësorë të oqeanit, i cili reflekton trendin e temperaturës globale. Në veçanti, në fosile lexohen temperaturat e dy periudhave të fundit më të nxehta në Tokë: periudha e fundit ndërakullnajore (midis 128 000 dhe 115 000 vjet më parë) dhe ajo aktuale e Holocenit.

Rezultatet tregojnë se temperaturat aktuale mesatare globale vjetore janë më të nxehtat në 12 000 vitet e fundit dhe janë të krahasueshme me ato të 125 000 viteve më parë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.