Tirja nesër nuk do jetë Lajm

Postuar në 13 Janar, 2021 16:18

Sot është dita e parë e “bujës” treditore të një sanitareje të spitalit “Shefqet Ndroqi” që sipas raportimeve mediatike ka marrë lekë nga një qytetare në këmbim të premtimit për t’i shërbyer të ëmës së sëmurë. I ashtuquajturi skandal ka sjellë arrestimin e sanitares Tire Alldërvishi, një reagim nga spitali që ndër të tjera deklaron se:

Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, i befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T. A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv…

Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi

Është një reagim karakterisitik nga një institucion që pretendon diçka të cilin nuk e ka. E që është morali i vet i sjelljes i sterilizuar dhe higjenizuar nga akte të tilla. Pa folur për të famshmin prezumim të pafajësisë. 

Kjo thjesht nuk është e vërtetë sepse ne jetojmë në një vend ku korrupsioni është mënyrë jetese. Akti i një sanitareje nuk mund të shihet më as si përgjegjësi e drejtuesve përderisa ne e dimë sesi bëhen punësimet në këtë vend në çdo sektor apo institucion shtetëror. Ndaj ky reagim sidoqoftë i domosdoshëm nuk njollos punën e asnjë mjeku që nuk merr dhe nuk pranon rryshfet, sepse përgjegjësia është individuale dhe situata është e tillë që nuk mund të kontrollohet në një mënyrë kapilare.

Gjyqi i shoqërisë, apo i Rrjetit siç po na del tani, as nuk vlen më. Sepse ai konsiston në një histeri momentale që fsheh pas gishtit të akuzës korrupsionin e një shoqërie të tërë e cila një ditë bën sikur skandalizohet nga këto raste, kurse ditën tjetër voton kandidatë me rekorde kriminale dhe korrupsioni, të cilat i di shumë mirë.

Që i jep para mësuesit të fëmijës, edukatores në kopësht, policit, mjekut, gjyqtarit, nëpunësit, tatimorit e kështu me radhë. Dhe edhe ai që jep është i korruptuar përderisa zgjedh të mos denoncojë por të korruptojë.

Nesër ky lajm nuk do jetë më lajm dhe Tirja me siguri që do vazhdojë procedurën e dikur do thotë se nuk i eci puna me 8 milionë. Tirja është dëshmi e vockël dhe incicent i zbuluar i asaj që është rregulli që merret në gjykimin e rremë vetëm për t’u argëtuar e jo distancuar.

Comments

Submitted by Ai shoku jot :) (not verified) on

Ore shok, Tirja ka 30 vite qe nuk eshte lajm

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.