“Deti” në Hagë, Nazarko: Mendoj se Rama është konsultuar me Erdoganin

Postuar në 22 Tetor, 2020 13:55

Analisti Mentor Nazarko e cilëson lajm të mirë dakordësinë e palës greke dhe asaj shqiptare për të çuar në Gjykatën e Hagës çështjen e detit. Në një lidhje Skype me edicionin e lajmeve në TvT, Nazarko tha se një vendim i tillë tregon se pala shqiptare nuk i ka kapacitete për të negociuar në nivele të tilla. Nazarko shtoi se vendimi për t’ia lënë gjykatës më të lartë këtë çështje nuk mund të mos jetë konsultuar nga Rama me presidentin turk.

Shqipëria nuk ka një marrëveshje të re deti. Negociatat kanë dështuar. Në histori do të mbahet mend marrëveshja që negocioi Berisha dhe pastaj u hodh poshtë nga Kushtetuesja. Ky është një tregues se Shqipëria nuk ka kapacitete për negociata të këtij niveli. Është shumë e vështirë të imagjinosh që Rama, që ka marrëdhënie të mira me Erdoganin të ketë vepruar pa një konsultim paraprak me të. Është një lajm i mirë, por ka pikëpyetje për mënyrën sesi dy palët do t’i drejtohen gjykatës së Hagës”, tha ai.

Hyrjen e një pale të tretë në ngërçin mes Shqipërisë dhe Greqisë, Nazarko e  sheh si pozitive edhe në kushtet e aspiratave të Shqipërisë për pranim në BE, një vendim në të cilin Greqia ka peshën e saj.

Shqipëria po pret çeljen e negociatave dhe Greqia ka një zë në këtë kapitull, kështu që lidhja me një palë të tretë është më e mirë. Ndarja e shelfit të ZEE, që besoj se duhet ta marrë përsipër gjykata, prek edhe shtete të tjera. Mund të ketë edhe shtete të tjera që janë të interesuara, si SHBA”, tha ai.

Nazarko e cilëson hap pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe vizitën që ministri i Jashtëm grek kreu në Tiranë dy ditë më parë.

Rama ka treguar vullnet të mirë në përpjekjen për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Deri më parë i përmbahej tezës së problemeve historike. Mendoj se është qasje e gabuar, prandaj u humb shumë kohë. Kjo krijoi edhe konfliktin institucional me presidentin Meta. Vizita e djeshme ishte një vizitë me tone pozitive dhe çështje të tjera si ligji i luftës dhe bashkëpunimi shumëpalësh mund të sjellin një erë të re në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, tha ai.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.