Liberalizmi dhe pandemitë

Postuar në 14 Tetor, 2020 15:14
Tom G. Palmer - Cato Institute

 

Ngjarjet e mëdha bëhen gjithmonë rast për të konfirmuar disa bindje. Kjo pandemi nuk bën përjashtim. Propagandisti i Partisë Komuniste Kineze, Dong Yuzhen, arriti në përfundimin se "Avantazhet e sistemit kinez kanë dhënë prova edhe një herë që nga shpërthimi i koronavirusit". Kongresistja amerikane, Alexandra Ocasio‐ Cortez, arriti në përfundimin se pandemia tregoi se "tani na duhet një moratorium borxhi dhe të ardhura bazë universale". Pra, a duhet që unë, si liberal i tregut të lirë, të konkludoj se pandemia provon se na duhen tregje më të lira?

Varet nga provat. Dhe për secilin prej nesh, duhet të jetë një mundësi për të menduar se çfarë roli duhet dhe nuk duhet të luajnë qeveritë.

Unë jam për qeveri të kufizuar. Ndër funksionet e një qeverie të kufizuar është mbrojtja e shëndetit publik, d.m.th., kërcënimet ndaj shëndetit që kanë efekte të mëdha përhapëse, në rastin aktual një sëmundje e rrezikshme ngjitëse. Të kesh një rol të ligjshëm nuk do të thotë, megjithatë, që ata të shtypin reagimet vullnetare të shoqërisë civile. Le të marrim dy vende liberale demokratike, Gjermania dhe Koreja e Jugut, ku testet ishin të disponueshme që në janar dhe u prodhuan në masë nga firmat private. Administrata e presidentit Trump zgjodhi qasjen autoritare socialiste kur Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) refuzoi të pranonte testet e huaja dhe i dha monopol një agjencie tjetër qeveritare, Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, e cila më pas vijoi të prodhonte dhe shpërndante teste që ishin të kontaminuara dhe, për këtë arsye, të padobishme. Sipas Dr. Anne Schuchat nga CDC, ata nuk menduan se "ne kishim nevojë për provën e dikujt tjetër". Vetëm më 29 shkurt, FDA më në fund i lejoi laboratorët joqeveritarë të fillojnë testimin. Por kostoja ishte kohë dhe jetë. Ne kemi parë në SHBA një përzierje të monopolizimit, shtypjes së qëllimshme të sektorit privat dhe paaftësisë në një shkallë të lartë.

Tani, kujt t’ia hedhim fajin? Firmave private që nuk u lejohej të prodhonin teste, apo agjencive qeveritare që i monopolizuan ato dhe më pas prodhuan teste të padobishme? Disave kjo mund t’u duket një pyetje të vështirë për t'i dhënë përgjigje.

Ajo që u është kujtuar liberalëve si unë - dhe është një kujtesë e rëndësishme për ata që punojnë për të kufizuar pushtetin shtetëror - është se qeveria e kufizuar duhet të dallohet nga qeveria e paaftë. Qeveria duhet të kryejë funksionet e saj legjitime në mënyrë efektive dhe efikase, dhe të mos shkojë përtej tyre. Të kërkosh një qeveri të kufizuar nuk është e njëjta gjë si të jesh “anti-qeveri”.

Na është kujtuar gjithashtu se, kur qeveria rrit masivisht borxhin (një trilion dollarë këtu, një trilion atje) siç tha senatori i ndjerë amerikan, Everett Dirksen, vite më parë për vetëm miliona dhe miliarda, "dhe shumë shpejt po flisni me para të vërteta"), e bën më të vështirë trajtimin e krizave reale. Qeverisë holandeze iu deshën vite që duke ulur shpenzimet të paguante borxhin në rreth 50% të PBB-së. Kjo i  vendosi ata në një gjendje komode për ta përballuar pandeminë, nëse e krahason me Italinë me borxhe, për shembull, siç i kujtoi kryeministri Rutte popullit holandez kur nisi pandemia.

Ne kemi parë në shumë vende qeveri që heqin - si masa emergjente për të shpëtuar jetë - kufizimet e përhershme në tregti. Dhe rezulton se shpëtimi prej tyre shpëton jetë. Ato nuk kanë qenë të nevojshme që në krye të herës.

Ka pasur përgjigje ndaj pandemisë që mbështeten në qeveri efikase dhe ndërmarrje private dhe ka pasur përgjigje që kanë shtypur ndërmarrjet private dhe kanë i kanë dhënë terren qeverive të paafta. Si liberal, preferoj të parën. Unë nuk gjej ndonjë provë që socializmi, heqja e ekonomisë së tregut, sistemet monopol të kujdesit shëndetësor shtetëror, proteksionizmi ose skema të tjera, do t'i kishin bërë gjërat më mirë.

Një temë është veçanërisht e rëndësishme: liria e tregtisë dhe e udhëtimit. Aktivistë të ndryshëm  joliberalë, si të majtë dhe të djathtë, kanë argumentuar se është koha të heqim qafe tregtinë globale dhe udhëtimet. Ata vërejnë se virusi udhëton më shpejt kur tregtia dhe udhëtimet janë më të lira. Kjo është e vërtetë. Në të njëjtën kohë, ne jemi shumë më të pasur dhe shumë më të aftë për t'iu përgjigjur sëmundjeve të tilla ngjitëse, sepse tregtia dhe udhëtimet janë rritur në mënyrë thelbësore në pjesën më të madhe të botës gjatë dekadave të fundit. Në fakt, tendenca aktuale drejt kufizimit të tregtisë dhe drejt këputjes së zinxhirëve të furnizimit, nëse nuk ndalet, pothuajse me siguri do të vrasë më shumë njerëz sesa do të vriten nga vetë Covid-19. Siç është shprehur drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të KB në Këshillin e Sigurimit, për shkak të ndërprerjeve dhe kufizimeve në rritje të tregtisë, "ka një rrezik real që më shumë njerëz mund të vdesin potencialisht nga ndikimi ekonomik i Covid‐ 19 sesa nga vetë virusi”. A do të kishte efekt ilaçi i barrierave tregtare? Jo, ajo që nevojitet për të shmangur mungesat e mallrave dhe urinë është receta liberale e tregtisë së lirë.

Pandemia u sjell ndërmend liberalëve ndryshimin midis të drejtave të kufizuara të qeverisë dhe qeverisë së paaftë, por ajo duhet të forcojë besimin tonë në epërsinë e demokracisë liberale mbi autoritarizmin dhe tregjeve të lira mbi monopolizimin e shtetit.

Përkthimi: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.