Një deklaratë e pakujdesshme, në mos e papërgjegjshme

Postuar në 19 Gusht, 2020 00:38

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ka folur dje në një diskutim në studin e “Opinion” në News 24. Zoti Brataj ka shpjeguar shumë gjëra që lidhen me epideminë e koronavirusit, ka dhënë shifra, ka shpjeguar si duhet të dallojmë simptomat, si duhet të sillemi etj.

Ai ka sqaruar se CoVid-19 është një sëmundje të cilës i trajtohen simptomat dhe terapitë pra nuk janë unike, por ndjekin shqetëimet e pacientit.

Në një moment të intervistës ai ka deklaruar se mania e njerëzve për të bërë skaner është jo e mirë, pasi sipas tij pas 10 vjetësh do të kemi raste të shtuara të leuçemisë. Z. Brataj ka nxituar të sqarojë se rreziku rritet duke e bërë skanerin rutinë dhe në vend të tij ka sugjeruar ekografinë, e pastaj grafinë.

Kjo deklaratë e tij është marrë në media dhe është qarkulluar me titullin e thjeshtuar se skaneri të shkakton kancer.

Mos të harrojmë se pas 10 vjetësh do të kemi një tmerr me leuçemi

tha Brataj(min. 10).

Le të imagjinojmë tani një situatë ku qindra, në mos mijëra qytetarë që kjanë bërë skaner të përsëritur dëgjojnë një mjek që bën një deklaratë të tillë. Paniku mbi këtë xarbë  është i kuptueshëm, por përgjegjësia shkon te personi. Kjo sepse mbi këtë çështje, pra rrezikun nga ekspozimi ndaj radioaktivitetit në mjekësi, jo vetëm që ka protokolle, por edhe ka edhe debat real mbi tezat se skaneri provokon kancer, duke qenë se ky është një përfundim empirik pa studim shterues, por që në parim referon lidhjen ekspozim-dëmtim.

Një qytetar i thjeshtë mundet të mendojë se meqë ka bërë skanerin do preket nga kanceri pas një farë kohe, ndërkohë që cilësimi prej z. Brataj i leuçemisë nënkupton se më të rrezikuarit janë fëmijët, pasi sipas shumë studimeve pikërisht te fëmijët nëse ekspozohen ekziston më shumë mundësia e prekjes nga kjo sëmundje.

Përsëritja e metodës së ekazminimit me skaner nuk është dëshirë apo mani e njeriut, por rekomandim i mjekëve. Kjo ndodh edhe në spitalet private, të cilat teorikisht duhet të aplikojnë këtë metodë përkundrejt rekomandimit të mjekut specialist. Ndoshta z. Brataj di diçka më shumë dhe ne jo. Por lëshimi i asaj deklarate është papërgjegjshmëri.

Zoti Brataj ndodhet në pozitat që mund t’i këshillojë njerëzit me fjalë dhe terma të tjerë, të kërkojë madje edhe hartimin e udhëzimeve të rrepta për ekzaminimet, por në kohën që jetojmë është bërë e qartë se skaneri, i njohur edhe si tomografi e kompjuterizuar, aplikohet gjerësisht për identifikimin e gjurmës së presupozuar të CoVid-19 në mushkëri, që krijon  një morfologji tipike aty.

 

Zoti Brataj e ka theksuar edhe këtë dhe nuk kemi për asnjë çast mendimin se deklarata e tij është keqdashëse. Përkundrazi, ajo niset nga këshilla që të mos e teprojmë. Por ajo është një deklaratë e pakujdesshme. Shumë e pakujdesshme. Dhe që më shumë bën dëm sesa rregullon diçka, sidomos në kushtet kur po përballemi me një sëmundje që ka diapozon të madh simptomash, që ndryshojnë me kalimin e kohës dhe që vazhdojnë gjatë. Çka mundet që të krijojnë bashkë me këtë deklaratë ngarkesë psikologjike të madhe te shumë njerëz që nuk kanë pse të dinë dozimin e radioaktivitetit, dëmin që krijohet dhe përmbi të gjitha tani u duhet të dinë: çfarë duhet të bëjnë që këtej e tutje.

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Une nuk e di cfare nenkupton ky doktori me Scaner, por duhet te behet e qarte qe ka dy lloj "skanerash". Nje qe qhhet CT (Computed Tomography) Skaner qe perdor Rreze X dhe eshte potencialisht aq i rrezikshem sa Radioskopia ose Radiografia ne kuptimin e shkaktimit te kancerit, por eshte edhe MRI (Magnetic Resonance Imaging) Skaner qe eshte krejtesisht e parrezikshme sepse nuk perdor Rreze X, por fusha magnetike dhe radiovale qe jane totalisht te parezikshme sepse jane vale elektromagnetike me frekuence ne diapazonin e valeve te zakonshme te radios, prandaj edhe quhen radiovale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.