Faleni Drejtuesin Madhor të Policisë. Atë nivel ka

Postuar në 02 Qershor, 2020 14:23

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në mbrojtje të drejtorit të Policisë, Ardi Veliu për publikimin e videos ku shfaqej nëna e një të dhunuari nga policia. Mbrojtja e kryeministrit për policin e vet kryesor ishte kjo:

Së pari më lejoni ta sqaroj që sigurisht që drejtori i policisë, që kam konsideratën më të lartë për integritetin, profesionalizimin dhe për rezultatet ka gabuar, pa diskutim, e them pa asnjë rezervë, ka gabuar, por jam më i pritur t'i besoj ndjesës së tij publike dhe sqarimit që dha, sesa të gjithë moralistëve të mexhlisit të këtij vendi.

Është fare e qartë që nuk ishte përpjekje për të justifikuar dhunën, sepse polici, për të cilin flitej, është pezulluar menjëherë dhe është çuar në hetim penal, por ishte një përpjekje e keqshpjeguar për të thënë se dakord të gjitha, por edhe familja ka përgjegjësinë dhe rolin e vet në mirërritjen e brezit të ri.

E thënë ashtu ishte gabim, por preferoj ndjesën publike të tij dhe shpjegimin dhe duke e njohur dhe vlerësuar për integritetin moral të pa vënë në diskutim nga askush, kur është vënë i kujdo qoftë dhe profesionalizimin, çështja për mua është e mbyllur. Ata që predikojnë më shumë moral dhe ligjësi morale kam fatin t’i njoh, mes të dyve zgjedh drejtorin

Ky është nga ata njerëz që ka kërkuar falje edhe për një gabim që nuk është gabim, por faj: ndryshimet e Kushtetutës. Nuk dihet të ketë ndonjë kryeministër tjetër që bën ndjesë të tillë. Është po ashtu një kryeministër që është regjistruar që shan njerëzinë me libër shtëpie në telefon dhe pastaj justifikohet se “fola shqiptarçe”. Sot e ka më të thjeshtë mbrojtjen: Faleni Ardi Veliun se atë nivel ka. Këtë po na thotë kryeministri për Drejtuesin Madhor të policisë. Dakord. Atë nivel ka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.