Hyri paradite si anëtare, Gjykata Kushtetuese e nxjerr Arta Vorpsin pasdite pa mandat

Postuar në 15 Nëntor, 2019 17:08

Gjykata Kushtetuese nuk njeh si anëtare të KED, Arta Vorpsin. Në faqen zyrtare, Gjykata Kushtetuese ka listuar anëtarët që plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në listë bie në sy mungesa e Arta Vorpsit. Ndërkohë, pjesë e listës është Marsida Xhaferllari, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, të cilat u betuan dje te presidenti i republikës.

"Në mbështetje të nenit 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin nr.47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, sot, më 15.11.2019, Gjykata Kushtetuese i ka dërguar institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi", thuhet në njoftim.

LISTA

1. Znj. Vitore Tusha, gjyqtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;

2. Z. Besnik Muçi, gjyqtar;

3. Znj. Elsa Toska, gjyqtare;

4. Znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare;

5. Znj. Fiona Papajorgji, gjyqtare.

Neni 221 i ligjit që referon Gjykata Kushtetuese përcakton kushtet dhe  kriteret për t’u përfshirë në shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit dhe procedurat e përzgjedhjes. Në këtë nen thuhet shprehimisht:

Jo më vonë se data 15 nëntor e çdo viti kalendarik, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë verifikojnë nëse kandidatët për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi plotësojnë kushtet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, dhe i paraqesin Presidentit të Republikës dhe Kuvendit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet.

 Lista me kandidatët që i plotësojnë kushtet dhe lista me kandidatët që nuk plotësojnë kushtet bëhen publike në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.

Kandidatët e përjashtuar njoftohen me shkrim, individualisht dhe në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit. Ata mund të ankohen brenda 5 ditëve nga data e njoftimit në Gjykatën Administrative të Apelit.

Presidenti i Republikës, në prani të Avokatit të Popullit, përzgjedh anëtarët e Këshillit me short midis datës 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik. Përveç anëtarëve të parashikuar në pikën 1, të nenit 220, të këtij ligji, Presidenti i Republikës zgjedh edhe një anëtar zëvendësues nga secili institucion në të njëjtin short

Në këtë kontekst mospublikimi i emrit të Arta Vorpsit ngre pikëpyetje sidomos pas lajmeve se zonja në fjalë kërkoi sot nga Gjykata njohjen e mandatit.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.