Mihali do ta ndërtojë sërish lokalin

Postuar në 21 Gusht, 2019 14:10

Mediat përcollën me dëshirë të papërmbajtshme pamjet e prishjes së lokalit të Mihal Kokëdhimës në Porto-Palermo. Për ata që nuk e dinë, Kokëdhima qështë personazhi i videos që e paraqet atë mbi kofanon e një makine duke godtur xhamin e përparmë të saj. Arsyeja: turistët spanjollë kishin porositur diçka, Kokëdhima u kishte sjellë diçka më shumë. Parimi i punës në këtë rast është i thjeshtë dhe universal për të ashtuquajturin turizëm shqiptar: Gjobë maksimale për ata që pushojnë në bregdet.

E keqja e kësaj historie është sërish mënyra sesi veprojnë autoritetet. Mihal Kokëdhima është ilustrimi më i fundit i fjalës së urtë që thotë se “për një plesht djeg jorganin”, pasi ai për dy peshq që donte t’ua ngecte turistëve spanjollë, përfundoi me ndërhyrjen e qeverisë që i prishi lokalin.

Qeveria i kishte arsyet dhe justifikimet: Kokëdhima ka patur lokalin pa leje. Ai nuk paguante asnjë taksë. Dhe vazhdonte ta bënte këtë megjithë fushatën kundër informalitetit që u ka zënë frymën njerëzve që ndjekin lajmet.

Pse nuk e panë organet tatimore këtë shkelje në mes të ditës? Pse nuk vepruan? Përgjigja dihet. Në këtë vend ca janë të nënës e ca të njerkës dhe Mihali që përflitej si njeri agresiv ndoshta ka kuptuar se që të përfitosh diçka në këtë lloj mëhalle që quhet Shqipëri, ose duhet të kesh para, ose duhet të bësh si i çmendur. Ai zgjodhi të dytën.

Ndaj herët apo vonë, kur historia e tij të tregohet si shfaqje e çudirave që ndodhin në këtë vend, Mihali do ta ketë bërë sërish lokalin. Patjetër që pa leje dhe do vazhdojë të shërbejë peshk. Ndoshta nuk do të vërvitet më në kofanot e makinave, por zakonin që ia njeh shumëkush nuk do ta harrojë. Nuk ka gjuhë tjetër me këtë milet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.